BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 5 mars 2025
Data e publikimit: 05.03.2025
Në mbledhjen e datës 5 mars 2025, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:
- Miratimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2024
Raporti vjetor përbën një detyrim ligjor të Bankës së Shqipërisë, me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë dhe komunikimi me sistemin financiar, mediat dhe publikun. Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm që, në mënyrë transparente, informon Kuvendin mbi vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të objektivave të saj institucionalë, monetarë, operacionalë dhe zhvillimorë.
Në raport, ndër të tjera, pasqyrohen:
- zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend;
- politika monetare dhe ajo valutore e ndjekur nga Banka e Shqipërisë;
- zhvillimet në sistemin bankar dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar;
- aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator;
- aktiviteti i emisionit monetar, i sistemit të pagesave, i administrimit të rezervës valutore, statistikor, kërkimor, komunikues dhe ai i edukimit të publikut;
- administrimi i burimeve njerëzore;
- veprimtaria e kontrollit të brendshëm;
- objektivat afatmesëm të institucionit.
Pas prezantimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë, çdo i interesuar do mund të gjejë një kopje të plotë të Raportit Vjetor 2024, në faqen tonë të internetit: http:/www.bankofalbania.org/.
Gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi përdorimin e fitimit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2024.
Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.