BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 5 qershor 2019

Data e publikimit: 05.06.2019

 

Në mbledhjen e datës 5 qershor 2019, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e rregullores “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”

Kjo rregullore përcakton kuadrin për zbatimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit, si instrumente për zbatimin e politikës makroprudenciale, në përputhje me përcaktimet në dokumentin e Strategjisë së Politikës Makroprudenciale. Këto shtesa kapitali përfshijnë shtesën konservuese të kapitalit, shtesën kundërciklike të kapitalit, shtesën e kapitalit për bankat me rëndësi sistemike dhe shtesën e kapitalit për rrezikun sistemik strukturor.

Qëllimi i tyre është forcimi i rezistencës së sektorit bankar ndaj rreziqeve sistemike me natyrë ciklike dhe strukturore, si edhe zbutja e prociklikalitetit në veprimtarinë e ndërmjetësimit financiar. Sipas rregullores , bankat duhet t’i përmbushin shtesat makroprudenciale të kapitalit, në mënyrë graduale përgjatë një periudhe 5-vjeçare, që fillon nga marsi 2020. Rregullorja shoqërohet me dy metodologji, që detajojnë mënyrën e aplikimit të tyre.  

Rregullorja dhe metodologjitë janë konsultuar me industrinë bankare dhe publikun përgjatë një periudhe 9-mujore.

Miratimi i kësaj rregulloreje dhe  metodologjitë shoqëruese, përfaqësojnë një përafrim të plotë të standardeve evropiane të fushës.

  • Miratimin e rregullores “Vlerësimi për qëllimet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme”

Rregullorja përcakton kriteret, kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së vlerësuesit të pavarur nga Banka e Shqipërisë si dhe kërkesat bazë për mënyrën e kryerjes së vlerësimeve për qëllimet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Njëkohësisht kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë metodologjinë e vlerësimit të diferencës në mënyrën e trajtimit, për të vlerësuar nëse aksionarët dhe kreditorët do të ishin në një pozitë më të favorshme në rast se do të kishte filluar procedura e likuidimit të detyruar në vend të procedurës së ndërhyrjes së jashtëzakonshme, si dhe metodologjinë e përshtatshme për përcaktimin e vlerës së detyrimeve që rrjedhin nga produktet derivative.

  • Revokimin e licencës së Bankës së Kreditit të Shqipërisë sh.a.

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës vendosi revokimin e licencës së Bankës së Kreditit të Shqipërisë sh.a., për shkak të fillimit të procesit të likuidimit vullnetar nga ana e vetë bankës.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi edhe Raportin e Mbikëqyrjes 2018, i cili trajton funksionet e mbikëqyrjes bankare, aktivitetet dhe veprimtaritë kryesore të Bankës së Shqipërisë në këtë fushë, si dhe detajon zhvillimet në kuadrin ligjor dhe rregullativ gjatë vitit 2018. Raporti analizon ecurinë e sistemit bankar dhe të treguesve të veçantë të tij, zhvillimet sasiore e cilësore të këtij sistemi në vend.

Ky raport do të prezantohet për gazetarët dhe do të publikohet në faqen zyrtare të internetit në ditët në vijim.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.