BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 shkurt 2019

Data e publikimit: 06.02.2019

 

Në mbledhjen e datës 6 shkurt 2019,  përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.0%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin paraprak për ndryshimin e aksionareve te Bankës Tirana sh.a.

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miraton paraprakisht zotërimin e 88.95% të aksioneve me të drejtë vote të kapitalit aksionar të Bankës Tirana sh.a. nga Balfin sh.p.k.dhe 9,88% nga Banka Comercijalna A.D. Shkup me kusht paraqitjen në Bankën e Shqipërisë të miratimit të Hellenic Financial Stability Fund (HFSF) për shitjen e aksioneve të Bankës Tirana sh.a.

  • Miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarisë financiare shtesë nga Banka e Parë e Investimeve, Albania sh.a.

Në bazë të këtij miratimi, Banka e Parë e Investimeve Albania sh.a do të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të ndërmjetësimit në sigurime, duke vepruar si agjent në sigurime.

  • Miratimin e shtypjes së kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor, prerjet 1.000 dhe 10.000 Lekë

Ky vendim synon plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me këto kartëmonedha për periudhën në vijim.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.