BANKA E SHQIPËRISË

Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 shtator 2018

Data e publikimit: 06.09.2018

 

Në mbledhjen e datës 6 shtator 2018, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2018

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, veprimtaria e sektorit bankar u paraqit e qëndrueshme, me tregues të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare. Rënia e vlerës së aktiveve në valutë të sektorit bankar për shkak të mbiçmimit të ndjeshëm të kursit të këmbimit të lekut, ndikoi në tkurrjen e lehtë të vlerës së totalit të aktiveve të sektorit për periudhën në fjalë. Zhvillimet ekonomike dhe ecuria e tregjeve financiare mbështetën në tërësi veprimtarinë e sistemit financiar. Gjatë periudhës, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë nuk pati ndryshime të ndjeshme. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar këto rreziqe, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizimit dhe përfitueshmërisë, vlerësohet e fortë.

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.

  • Miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Intesa Sanpaolo Albania sh.a. me Veneto Banka sh.a.

Në bazë të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë jep miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Intesa Sanpaolo Albania sh.a. (shoqëria përthithëse) me Veneto Banka sh.a. (shoqëria e përthithur). Kjo do të thotë se pas përthithjes, Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a. do të jetë pasuese e Bankës Veneto sh.a. në Shqipëri.

  • Miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Amerikane të Investimeve sh.a. me Bankën NBG Albania sh.a.

Në bazë të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë jep miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Amerikane të Investimeve sh.a. (shoqëria përthithëse) me Bankën NBG Albania sh.a. (shoqëria e përthithur). Kjo do të thotë se pas përthithjes, Banka Amerikane e Investimeve sh.a. do të jetë pasuese e Bankës NBG Albania sh.a.

  • Miratimin e vizatimeve të tematikës dhe listës së elementeve të sigurisë për kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor, prerja 10000 Lekë

Me anë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi vizatimet e  kartëmonedhës së re me kurs ligjor të prerjes 10000 Lekë dhe listën e elementeve të sigurisë që do të ketë kjo kartëmonedhë.

  • Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për funksionimin e sistemit qendror të regjistrimit dhe shlyerjes së titujve (AFISaR)

Ndryshimi i rregullores parashikon ndryshimin e tarifave të vendosura për aksesimin e informacionit në sistemin AFISaR nga kategoria “Institucione/Organe”.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu