BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 7 dhjetor 2016

Data e publikimit: 07.12.2016

 

Në mbledhjen e datës 7 dhjetor 2016, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e rregullores "Për shtypjen, rishtypjen, hedhjen dhe tërheqjen nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor"

Kjo rregullore përmirëson dhe plotëson kuadrin aktual rregullator në procesin e prodhimit të monedhës kombëtare, kryesisht në drejtim të përcaktimit të procedurave për përzgjedhjen e tematikave që trajtohen në kartëmonedha ose monedha metalike, përzgjedhjen e vizatimeve të tyre, shtypjen dhe rishtypjen e kartëmonedhës dhe monedhës metalike si dhe procedurat e hedhjes dhe tërheqjes nga qarkullimi.

  • Miratimin e buxhetit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017 dhe buxhetin afatmesëm për vitet 2017-2019

Buxheti i miratuar për vitin 2017 garanton përmbushjen e funksioneve kryesore të Bankës dhe siguron vijueshmërinë normale të aktivitetit ekonomik, financiar dhe njerëzor të institucionit. Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore.

Bazuar në harmonizimin e kuadrit rregullativ të buxhetimit me praktikat më të mira vendase dhe të huaja, buxheti i Bankës përfshin parashikimin për vitin që buxhetohet (2017) dhe për dy vitet pasardhëse (2018 dhe 2019).

Buxheti për vitet 2017 - 2019 synon përsosjen e mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e infrastrukturës teknologjike, forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë, zhvillimin dhe përsosjen e mëtejshme të burimeve njerëzore, furnizimin e ekonomisë me kartëmonedhë cilësore, përpunimin me kujdes të saj, si dhe përsosjen e komunikimit dhe transparencës me publikun.

Buxheti është hartuar në përputhje me objektivat e departamenteve dhe njësive të tjera të Bankës të shprehura në Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit, si dhe në parashikimet e njësive në lidhje me të ardhurat dhe shpenzimet për vitet 2018 dhe 2019.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.