BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 7 gusht 2024

Data e publikimit: 07.08.2024

 

 

Në mbledhjen e datës 7 gusht 2024, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të  mbetet e pandryshuar në nivelin 3.0%, si dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 2.0% dhe 4.0%. Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi:

  • Disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin, ushtrimin e veprimtarisë, revokimin e licencës dhe likuidimin e portofolit të kredive të krijuar nga ushtrimi i veprimtarisë financiare nga subjektet financiare jobanka”.

Këto ndryshime parashikojnë ndryshimin e formës ligjore të subjekteve financiare jobanka, nga shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, në shoqëri aksionare, si për subjektet që do të licencohen pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve, ashtu edhe për subjektet që operojnë aktualisht në treg, duke iu lënë këtyre të fundit një kohë të mjaftueshme në dispozicion për ndryshimin e formës ligjore dhe krijimin e organeve drejtuese përkatëse. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve synohet përmirësimi i performancës dhe kuadrit të qeverisjes dhe administrimit të institucioneve financiare jobanka në vend, bazuar në praktikat më të mira të fushës.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu edhe disa kërkesa rregullative të shtuara/përmirësuara lidhur me aspektet e zmadhimit të kapitalit dhe ndryshimet në strukturën e kapitalit të subjekteve financiare jobanka, si dhe për dokumentacionin për miratimin e kryetarit të këshillit të administrimit/mbikëqyrës, administratorit dhe kryetarit të komitetit të kontrollit.

  • Miratimin e rregullores “Për informacionin që shoqëron transfertat e fondeve”  

Miratimi i rregullores “Për informacionin që shoqëron transfertat e fondeve” vjen në vijim të punës së Bankës së Shqipërisë për plotësimin e kuadrit rregullativ dhe kushteve për anëtarësimin e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Kjo rregullore përafron kërkesat e Rregullores së BE 2023/1113, për sa lidhet me transfertat e fondeve në vendin tonë.

Në kuadër të pjesëmarrjes në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), për qëllime të parandalimit, zbulimit dhe hetimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, rregullorja përcakton informacionin mbi paguesin dhe përfituesin që do të shoqërojë transfertat e fondeve në euro, ku të paktën një nga ofruesit e shërbimeve të pagesave të përfshirë në transfertën e fondeve ndodhet në Republikën e Shqipërisë. Rregullorja gjithashtu përcakton rregulla për politikat, procedurat dhe kontrollet e brendshme për ofruesit e shërbimeve të pagesave, me qëllim zbatimin e masave shtrënguese, pavarësisht transaksionit të përfshirë ose monedhës së përdorur, si dhe kërkesa në lidhje me detyrimin për ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.