BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 7 prill 2021

Data e publikimit: 07.04.2021

 

Në mbledhjen e datës 7 prill 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2020

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

DSC 6574 498

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Ndërmjetësimi financiar vijoi me ritme të mira, cilësia e kredisë u ruajt në nivele të pranueshme, depozitat u rritën në mënyrë të ndjeshme dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Masat publike në fushën fiskale, monetare dhe prudenciale, ndihmuan në ecurinë e kreditimit, zbutën goditjen e pandemisë dhe ndihmuan në kontrollin e rreziqeve. Megjithë pritjet për një ecuri më të qëndrueshme drejt daljes nga pandemia, pasiguritë mbeten të konsiderueshme. Bankat duhet të vazhdojnë të ruajnë vigjilencën, veçanërisht në lidhje me monitorimin e afërt të aftësisë paguese të klientëve të tyre huamarrës. Si edhe më parë, Banka e Shqipërisë, mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.

  • Miratimin e rregullores “Për njohjen kontraktuale të kompetencave të zhvlerësimit dhe konvertimit”

Kjo rregullore i shërben plotësimit në vazhdimësi të kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë në zbatim të dispozitave të ligjit nr.133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në Banka në Republikën e Shqipërisë”. Nëpërmjet zbatimit të saj synohet që të përcaktohen elementët që duhet të përmbajë dispozita kontraktore në lidhje me njohjen kontraktuale të ushtrimit nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme të kompetencave të zhvlerësimit dhe konvertimit.

DSC 6604 498

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.