BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 7 shkurt 2018

Data e publikimit: 07.02.2018

 

Në mbledhjen e datës 7 shkurt 2018, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e paketës së deeuroizimit, një paketë masash përmes të cilave do të fuqizohet më tej promovimi i përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar të vendit.

Kjo paketë është pjesë e angazhimit të Bankës së Shqipërisë në kuadrin e një strategjie ndërinstitucionale për këtë qëllim, të formalizuar në muajin prill të vitit të kaluar përmes nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Paketa e miratuar përfshin dokumentin e politikës "Mbi zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobankare që mbikëqyren dhe rregullohen nga Banka e Shqipërisë", si dhe masat që do të aktivizohen gjatë këtij viti në zbatim të kësaj politike. Ky dokument përkufizon në parim format e kontributit të Bankës së Shqipërisë në kuadrin e kësaj strategjie dhe mënyrën me të cilën do të vlerësohen rezultatet e këtij kontributi. Ndërsa, masat synojnë ta bëjnë më pak të preferuar veprimtarinë në valutë të sektorit bankar, si dhe të forcojnë ndërgjegjësimin e kredikërkuesve për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë.

Më konkretisht, ndryshimet rregullative që vendosin në zbatim masat për deeuroizimin përfshijnë:

a. rritjen e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë në nivelin 12.5% (ishte 10%) dhe uljen e saj për detyrimet në lek në nivelin 7.5% (ishte 10%). Për bankat, ku detyrimet në valutë zënë më shumë se 50% të detyrimeve gjithsej, vetëm për vlerën e ndryshimit pozitiv, norma e rezervës së detyrueshme në valutë rritet në 20%.

b. rritja e kërkesës minimale rregullative për aktive likuide në valutë, në 20% të detyrimeve afatshkurtra (ishte 15%). Për aktivet likuide në lek, niveli i raportit do të ruhet në 15%.

c. rritja e ndërgjegjësimit të huamarrësve për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Për këtë qëllim, bankave iu kërkohet që t’i propozojnë huamarrësit një kredi alternative në lek dhe ta shoqërojnë produktin me një shembull konkret se si ndryshon kësti i kredisë në rastin e nënçmimit të supozuar të kursit të këmbimit. Përveç kësaj, bankat nxiten të trajtojnë mundësinë e zbutjes së rrezikut të kursit të këmbimit për huamarrësin në valutë, në rastin kur ky rrezik është evidentuar dhe kur kjo pranohet nga kushtet e kontratës midis palëve.

 

Instrumentet e miratuara në këtë paketë do të hyjnë në fuqi, me faza, brenda muajit qershor 2018.

Në kuadër të paketës së deeuroizimit dhe për vlerësimin e ndikimit të masave të marra, Banka e Shqipërisë do të publikojë dy herë në vit një raport në të cilin monitorohet ecuria e disa treguesve financiarë që reflektojnë nivelet e euroizimit. Në varësi të ecurisë së treguesve, masat e mësipërme mund të plotësohen me të tjera në të ardhmen.

 

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren "Për instrumentet e pagesave elektronike"

Këto ndryshime synojnë rishikimin e kuadrit rregullativ për instrumentet e pagesave elektronike, për të mundësuar përdorimin e teknologjisë moderne në rrugët e komunikimit tek klientët të kodit PIN për kartat bankare.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.