BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 7 shtator 2016

Data e publikimit: 07.09.2016

 

Në mbledhjen e datës 7 shtator 2016, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Raportit e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë me qëllimin kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit është vendosur Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë ligjore.

Raporti i miratuar sot është numri i gjashtëmbëdhjetë që nga momenti i parë i publikimit dhe ai analizon zhvillimet e ndodhura në 6-mujorin e parë të vitit 2016.

Gjatë periudhës, gjendja e kapitalizimit, likuiditetit dhe përfitueshmërisë së sektorit bankar ishte e mirë. Rreziku i likuiditetit vlerësohet i ulët, ndërsa rreziku i tregut dhe ai operacional kanë nevojë për monitorim të vazhdueshëm. Rritja e raportit të kredive me probleme gjate periudhës ka evidentuar vështirësitë që ka procesi i zgjidhjes së tyre dhe luhatshmërinë që mund të shfaqë ecuria e kredive me probleme në afat të shkurtër. Megjithatë, pritshmëritë për një rritje më të shpejtë të ekonomisë, zbatimi i masave të përfshira në planin e masave për reduktimin e kredive me probleme dhe procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bilanci i sektorit bankar, mbështesin pritjet e Bankës së Shqipërisë për prirjen rënëse të kredive me probleme në afat të mesëm.

Si edhe më parë, aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet e mundshme, është verifikuar edhe nëpërmjet ushtrimeve të provës së rezistencës në terma të qëndrueshmërisë financiare (aftësisë paguese) dhe të likuiditetit.

Në përfundim të analizës, Banka e Shqipërisë vlerëson që veprimtaria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar në përgjithësi, ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016. Treguesit kryesorë financiarë të veprimtarisë së sektorit bankar që përfshijnë ata të kapitalizimit, likuiditetit dhe përfitueshmërisë, evidentojnë kapacitetin e tij të plotë për të përballuar rreziqet e veprimtarisë në kushte normale si edhe për të treguar një rezistencë të mirë ndaj goditjeve më të forta.

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisëwww.bankofalbania.org

  • Miratimin paraprak për transferimin e kontrollit (të tërthortë) në masën 97.64% të kapitalit të Veneto Bankës sh.a., tek Quaestio Capital Management SGR S.p.A., Itali

Në bazë të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë miraton transferimin e kontrollit (të tërthortë) të Veneto Bank Sh.a. tek Quaestio Capital Management SGR S.p.A., Itali.

Veneto Banka sh.a. është licencuar nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar aktivitetin si bankë në Republikën e Shqipërisë. Ajo është pjesë e grupit Veneto Banca, drejtuar nga Veneto Banca S.p.A., Itali.

Quaestio është shoqëri administruese që vepron në emër të fondit të mbyllur të rezervuar të investimit alternativ të quajtur Fondi Atlante. Së fundmi, Quaestio Capital Management SGR S.p.A., Itali, ka nënshkruar dhe blerë 97.64% të kapitalit të Veneto Banca S.p.A., Itali, transaksion i cili ka marrë edhe miratimin paraprak të Bankës Qendrore Evropiane.

Ky transaksion si pasojë sjell kontrollin e tërthortë të Veneto Bankës sh.a. në Shqipëri nga Quaestio Capital Management SGR S.p.A., Itali.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.