BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 7 tetor 2020

Data e publikimit: 07.10.2020

 

Në mbledhjen e datës 7 tetor 2020, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 0.5%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

DSC 8837 498

  • Miratimin e rregullores “Mbi operacionalizimin e instrumentit të rikapitalizimit nga brenda dhe rasteve përjashtimore”

Kjo rregullore përcakton kushtet që konsideron Banka e Shqipërisë gjatë zbatimit të instrumentit të rikapitalizimit nga brenda përmes ushtrimit të kompetencës së zhvlerësimit dhe konvertimit, dhe i rasteve përjashtimore nga ushtrimi i kësaj kompetence. Njëkohësisht hartimi i saj plotëson në vazhdimësi kuadrin rregullativ të Bankës së Shqipërisë në zbatim të dispozitave të ligjit 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë”.

  • Miratimin e rregullores “Mbi organizimin dhe funksionimin e Komitetit për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme”.

Ky vendim përcakton rregullat e organizimit dhe funksionimit të Komitetit për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (KFNJ), i cili do të synojë një monitorim të specializuar të administrimit të mjeteve financiare të FNJ-së, si dhe trajtimin dhe shqyrtimin e çështjeve të ndryshme që lidhen me të, në funksion të përmirësimit të procedurave të administrimit të Fondit.

DSC 8810 498

  • Përjashtimin nga mbajtja e të gjitha komisioneve për të gjitha llogaritë e hapura në sistemet e pagesave AFISaR të Bankës së Shqipërisë, për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

Ky përjashtim synon uljen e barrës financiare për mbajtjen dhe administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.