BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 9 janar 2019

Data e publikimit: 09.01.2019

 

Në mbledhjen e tij të datës 9 janar 2019, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e programit të punës së Këshillit Mbikëqyrës

Këshilli Mbikëqyrës analizoi veprimtarinë e tij për vitin 2018 dhe miratoi programin e punës për vitin 2019, së bashku me kalendarin e mbledhjeve që do të zhvillojë gjatë këtij viti.

Ky kalendar do të publikohet në faqen tonë të internetit www.bankofalbania.org.

  • Emërimin e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë

Në mbështetje të nenit 44 të ligjit 8269/1997 "Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Guvernatorit, Këshilli Mbikëqyrës zgjodhi dhe emëroi zj. Luljeta Minxhozi në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për kapitalin rregullator të bankës”

Këto ndryshime synojnë përafrimin e vazhdueshëm të kërkesave të Bankës së Shqipërisë, me kërkesat e Bazel III, për raportet e kapitalit. Kështu, raportet minimale (përkatësisht të kapitalit bazë të nivelit të parë dhe kapitalit të nivelit të parë) do të përshtaten në mënyrë përpjesëtimore me nivelin minimal të kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit (12%).

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.