BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 9 nëntor 2016

Data e publikimit: 09.11.2016

 

Në mbledhjen e datës 9 nëntor 2016, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e rishtypjes së monedhës metalike shqiptare, me kurs ligjor, me prerje 20 Lekë.

Ky vendim synon plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me këto monedha metalike për një periudhë disa vjeçare. 

  • Miratimin e disa ndryshimeve në paketën e akteve nënligjore që trajtojnë administrimin e aktiveve në Bankën e Shqipërisë

Ndryshimet në aktet nënligjore që trajtojnë administrimin e aktiveve në Bankën e Shqipërisë, kanë rishikuar proceset përkatëse në të gjitha hallkat, duke filluar që nga hyrja në Bankë, inventarizimi i tyre, nxjerrja jashtë përdorimit dhe asgjësimi, si dhe procedura e zhdëmtimit. Rishikimi është konceptuar tërësor, me qëllim përmirësimin apo plotësimin e çdo procesi më vete dhe njëkohësisht në harmoni me njëri-tjetrin. Ato adresojnë njëkohësisht edhe çështje të dala nga praktika, për të evituar boshllëqe apo paqartësi të mundshme gjatë implementimit.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren "Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka" dhe në rregulloren "Për instrumentet e pagesave elektronike"

Qëllimi i këtyre ndryshimeve është rishikimi pjesor i kuadrit rregullativ licencues dhe mbikëqyrës të veprimtarisë së institucioneve të parasë elektronike, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian që rregullojnë shërbimet e pagesave dhe veprimtarinë e këtyre institucioneve.

  • Miratimin paraprak për kryerjen e një veprimtarie financiare shtesë nga Banka Societe Generale Albania sh.a

Në bazë të këtij miratimi, Banka Societe Generale Albania sh.a do të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime, duke vepruar si agjent në sigurime.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.