BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vizita zyrtare e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Durmus Yilmaz , pranë Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 24.09.2009

 

Në datën 24-25 shtator 2009, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Durmus Yilmaz zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kjo vizitë shënon një hap të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë.

Gjatë takimit midis dy guvernatorëve u diskutua edhe rreth prioriteteve të bashkëpunimit institucional midis dy bankave qendrore, ku të dy guvernatorët shprehën angazhimet e institucioneve të tyre për zgjerimin e shkëmbimit të eksperiencave në fusha të ndryshme të bankingut qendror. Gjithashtu Guvernatori Yilmaz siguroi për të gjithë mbështetjen dhe partneritetin e mundur nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë për Bankën e Shqipërisë në fushat me interes të përbashkët.

Në kuadër të vizitës zyrtare të Guvernatorit Yilmaz, Banka e Shqipërisë organizoi në hollin e saj një takim të hapur, ku ndërmjet të tjerëve merrnin pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, SH.T.Z. Hasan Sevilir Asan, përfaqësues të biznesit turk në Shqipëri, drejtues të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri dhe shumë personalitete të tjera.

Me këtë rast, z. Yilmaz mbajti leksionin me temë “Kriza aktuale botërore financiare dhe zhvillimet e fundit në ekonominë turke dhe politikën e saj monetare”. Në fjalën e tij, z. Yilmaz bëri një përshkrim të zhvillimeve të fundit në tregjet financiare të Turqisë dhe të sektorit bankar, duke u përqendruar në efektet e krizës globale në ekonominë turke.

Guvernatori Fullani e shfrytëzoi këtë aktivitet për të komunikuar me publikun në lidhje me disa zhvillime të fundit në ekonominë shqiptare. Në faqen tonë të internetit http://www.bankofalbania.org/ do të gjeni të publikuar edhe fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajtur në këtë aktivitet.