BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vizitë zyrtare e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, z.Zhou Xiaochuan, pranë Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 13.09.2011

 

Në datën 13 shtator 2011, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Ardian Fullani, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, z.Zhou Xiaochuan. 

13 09 2011 foto vizita guv kinez 4212 0

Gjatë takimit, dypalësh diskutimet u fokusuan në zhvillimet ekonomike, ku Guvernatori Fullani e njohu Guvernatorin Zhou me ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht me atë të sistemit bankar. Guvernatori Fullani paraqiti masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për një mbikëqyrje të kujdesshme të sistemit bankar, si dhe bëri një përshkrim të kuadrit të politikës monetare në Shqipëri. Gjithashtu, ai vuri dukje politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Ndërmjet të tjerave, Guvernatori Fullani theksoi se klima e favorshme e biznesit, stabiliteti makroekonomik, pozicioni i përshtatshëm gjeografik, legjislacioni liberal e bëjnë Shqipërinë një vend interesant për investitorët e huaj. Nga ky këndvështrim ka hapësira që interesimi dhe prania e kapitalit kinez në Shqipëri të jetë më e lartë. 

Nga ana e tij, z. Zhou vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Ai u shpreh i hapur për të rritur bashkëpunimin bilateral.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, z.Zhou Xiaochuan,  falënderoi Guvernatorin Fullani për ftesën e bërë. Kjo është vizita e parë  zyrtare e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, z.Zhou Xiaochuan, në Shqipëri.

Kjo vizite është një tregues që Banka e Shqipërisë ka rritur profilin e saj ndërkombëtar, duke patur një bashkëpunim aktiv me një institucion të tillë si  Banka Popullore e Kinës, vendimmarrja e së cilës ka peshë të rëndësishme në ekonominë botërore.