BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vizitë zyrtare e Guvernatorit të Bankës së Greqisë, z. Nicholas C. Garganas në Bankën e Shqipërisë

Data e publikimit: 30.06.2006

 

Në datat 29-30 qershor 2006, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Greqisë, z. Nicholas C. Garganas, i shoqëruar nga Drejtori i Mbikëqyrjes së Institucioneve Financiare dhe të Kreditit, z. Panayiotis Kyriakopoulos, zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri. Kjo vizitë u zhvillua në vazhdën e marrëdhënieve dypalëshe midis dy institucioneve, me theks shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencës në fushën e mbikëqyrjes bankare.

fullani garganas 1087 0

Në foto: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe
Guvernatori i Bankës së Greqisë, z. Nicholas C. Garganas

Në takimin e zhvilluar midis dy guvernatorëve, zoti Fullani e falënderoi zotin Garganas për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy institucioneve, duke vlerësuar lidhjet tradicionale dhe bashkëpunimin e frytshëm me Bankën e Greqisë. Më tej, zoti Fullani e njohu homologun e tij me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe veçanërisht me ato në sistemin bankar, duke vënë një theks të veçantë në ritmet e larta të rritjes së kreditimit gjatë viteve të fundit. Problemet ekonomike të rajonit dhe stabiliteti i tij financiar kanë qenë një tjetër pikë diskutimi midis dy guvernatorëve, të cilët ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi rajonal është një nga rrugët më të mira për arritjen e stabilitetit dhe integrimit financiar.

Përforcimi i kapaciteteve të mbikëqyrjes bankare dhe zhvillimi i saj sipas standardeve më të mira ndërkombëtare kanë qenë fokusi i një prezantimi të Departamentit të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë. Një vend i veçantë në diskutim ndërmjet pjesëmarrësve iu kushtua edhe aktivitetit dhe mbikëqyrjes së bankave greke që operojnë në Shqipëri dhe anasjelltas.

Në takim u diskutua gjithashtu dhe përmirësimi, zgjerimi dhe thellimi i tregjeve financiare në Shqipëri. Edhe në këtë drejtim, Banka e Greqisë u tregua e gatshme të ofrojë asistencën e saj në futjen dhe administrimin e instrumenteve afatgjatë për publikun.

Në përfundim, të dy guvernatorët shprehën angazhimet e institucioneve të tyre për thellimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e shkëmbimit të eksperiencave në fusha të ndryshme të bankingut qendror, në veçanti në fushat e mbikëqyrjes bankare, të politikës monetare dhe të thesarit.