BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vizitë zyrtare e Presidentit të Bankës Qendrore të Gjermanisë, z. Jens Weidmann, pranë Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 22.08.2013

 

Në datën 21 gusht 2013, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Presidenti i Bankës Qendrore të Gjermanisë (Bundesbank), z. Jens Weidmann, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë.
 
Në takimin me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe drejtuesit e departamenteve të Bankës së Shqipërisë, z. Weidmann diskutoi rreth zhvillimeve më të fundit në vend, në rajon dhe në Eurozonë.

foto takimi copy 1 5971 0

Guvernatori Fullani e njohu Presidentin Weidmann me ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht me zhvillimet në sistemin bankar. Ai prezantoi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për forcimin e kushteve makroekonomike dhe garantimin e stabilitetit financiar të vendit. Gjithashtu, ai e njohu homologun gjerman me punën e Bankës së Shqipërisë për plotësimin e kritereve ligjore dhe ekonomike që burojnë nga kuadri i përafrimit me Bashkimin Evropian, si dhe me përpjekjet e saj për të nisur dhe nxitur bashkëpunimin rajonal ndërmjet bankave qendrore të rajonit.
 
Presidenti Weidmann vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit.
 
Bundesbank-u është një ofruese e rëndësishme e asistencës teknike për Bankën e Shqipërisë, ndërkohë që Presidenti Weidmann u shpreh për një rritje të mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet institucioneve.
 
Kjo është vizita e parë zyrtare e Presidentit të Bundesbank-ut, z.Jens Weidmann, në Shqipëri.