BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zëvendësguvernatorja e Parë Minxhozi merr pjesë në tryezën e diskutimit mbi tregjet e kapitalit

Data e publikimit: 26.05.2023

 

Në datën 26 maj 2023, u organizua një tryezë diskutimi midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe bankave lidhur me zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vend.

Kjo tryezë diskutimi u zhvillua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të Dokumentit Politik “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”.

498-2535

Të pranishëm në këtë tryezë ishin Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF, z. Ervin Mete, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, zj. Delina Ibrahimaj, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, drejtues të bankave tregtare, të fondeve të investimeve, të Bursës, si edhe aktorë të tjerë të tregjeve të kapitalit.

Në fjalën e mbajtur, Zëvendësguvernatorja Minxhozi u ndal fillimisht në rolin e rëndësishëm që ka funksionimi me efikasitet i tregjeve të kapitalit në Shqipëri. Në këtë kuadër, ajo theksoi se zhvillimi i këtyre tregjeve ndihmon në uljen e volatilitetit të lartë të normave të interesit dhe kursit të këmbimit, në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm për përcjelljen efektive të politikës monetare, në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Nga ana tjetër, tregjet efikase të kapitalit mund të ofrojnë financim për sektorin shtetëror dhe atë privat, duke ofruar kështu një qasje të re në burimet financiare përtej sektorit bankar dhe duke nxitur më tej konkurrueshmërinë. Gjithashtu, këto tregje përdorin infrastruktura të ashtuquajtura pas-tregtim (post trading) për finalizimin e transaksioneve dhe si rrjedhojë ndërthuren ngushtë me sistemet e pagesave, duke krijuar kështu elementin bazë të tregjeve financiare.

498-2409

Në vijim, Zëvendësguvernatorja shtoi se Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe të gjithë partnerët e brendshëm ka punuar për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare (SKEPF), që përshkruan parimet dhe objektivat e përgjithshme të edukimit dhe përfshirjes financiare. Synimi i kësaj strategjie kombëtare është t’i sjellë të gjitha institucionet e interesuara në rang kombëtar brenda një strukture ndërinstitucionale me një objektiv dhe program të koordinuar, për rritjen e kulturës dhe përfshirjes financiare në fushat që ato mbulojnë. Ajo nënvizoi se strategjia do të përcaktojë objektivat, instrumentet, planet e veprimit, burimet e financimit, monitorimin dhe vlerësimin, si dhe raportimin e progresit të arritur, për secilin nga institucionet tona.

498-2582

Më tej, zj. Minxhozi u shpreh se bashkëpunimi dhe bashkërendimi i përpjekjeve midis Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ka qenë shumë domethënës, duke u konkretizuar në shumë nisma të përbashkëta.

Megjithatë, ajo shtoi se zbatimi i strategjisë dhe zhvillimi i tregjeve të kapitalit do të gjenerojnë risi dhe sfida të reja duke diktuar që bashkëpunimi dhe bashkërendimi i përpjekjeve duhet intensifikuar dhe mbase edhe ridimensionuar.

Së fundi, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi shprehu angazhimin e plotë të Bankës së Shqipërisë për të ndihmuar në zbatimin e strategjisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve të kapitalit.