BANKA E SHQIPËRISË

Zëvendësimi i Cash-it me Mjete Alternative Pagese:Avantazhet dhe Problemet

Data e publikimit: 10.11.2003

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen, më lejoni të deklaroj të hapur tryezën e diskutimeve mbi reduktimin e veprimeve me para në dorë ose siç quhet ndryshe "cash" në ekonominë shqiptare.

Tashmë që kanë kaluar gati 13 vjet nga fillimi i tranzicionit, sistemi bankar në Shqipëri ka shënuar zhvillime pozitive të rëndësishme në drejtim të parametrave kryesorë si: shtimit të konsiderueshëm të numrit të bankave dhe degëve të tyre, rritjes së numrit dhe cilësisë së shërbimeve bankare, ofrimit të mundësive të përdorimit të mjeteve bashkëkohore të pagesave, uljes së kostos së veprimeve bankare etj., duke ofruar në këtë mënyrë mundësitë reale për zbutjen e veprimeve me lekë në dorë.

Por, ekonomia shqiptare, vazhdon të vuajë problemin shqetësues të qarkullimit të "cash"-it ose të parasë në dorë apo jashtë bankave në vlera dhe në përqindje të konsiderueshme, krahasuar me ekonomitë e zhvilluara dhe me ato të rajonit.

Të gjithë aktorët e pranishëm në tryezën e sotme, si institucionet dhe autoritetet publike, komuniteti i biznesit dhe sistemi bankar, gjykoj se ndajmë të njëjtin shqetësim për përmasat e "cash"-it në ekonomi dhe çka është më e rëndësishme dëshirën dhe angazhimet për rritjen e qarkullimit të parasë nëpërmjet sistemit bankar.

Tashmë janë hedhur hapat e parë dhe Banka e Shqipërisë e konsideron të suksesshëm faktin që më në fund të gjithë jemi të ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e reduktimit të "cash"-it. Media dhe publiku duket se janë partnerët tanë në këtë proces, çka na rrit besimin për zhvillimin e një sistemi pagesash afër standardeve ndërkombëtare dhe evropiane ku kërkojmë të integrohemi.

Është shumë i rëndësishëm fakti që në këtë takim jemi mbledhur të gjithë "regjizorët", pra autoritetet--Banka e Shqipërisë, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave, dhe "aktorët" --bankat e nivelit të dytë, biznesi dhe organet fiskale, për kristalizimin e një plani të përbashkët masash të bashkërenduara për të reduktuar "cash"-in në ekonomi.

Jam shumë i bindur që të gjithë, përjashtuar shmangësit dhe shkelësit e ligjit, do të jemi përfitues nëse i drejtohemi sporteleve të bankave:

Ø Banka e Shqipërisë është e interesuar që paraja të kalojë në kanalet bankare në mënyrë që politikat e saj e veçanërisht ajo monetare të jenë më efikase;

Ø Bankat e nivelit të dytë do të përfitojnë më shumë klientë dhe transaksione, pra më shumë të ardhura dhe fitime të realizuara;

Ø Biznesi privat, do të përfitonte mbështetjen financiare me kredi dhe konsulencën e bankave të cilat pritet të ulin kostot dhe të rrisnin sigurinë e transaksioneve të ndryshme financiare;

Ø Organet fiskale, tatimet dhe doganat, sigurisht që do të rrisnin performancën e të ardhurave të siguruara dhe shërbimeve ndaj biznesit nëse tatimpaguesit do t'i drejtoheshin bankave, duke ulur mundësinë e korrupsionit;

Ø Qeveria do të ishte më efikase në ndërmarrjen e poltikave buxhetore afatmesme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për rritjen ekonomike;

Ø Publiku, do të përfitonte shërbime më cilësore të pagesave te entet publike, Albtelekom, KESH, Ujësjellës dhe pagesa pagash e pensionesh, në mënyrë më të qytetëruar e bashkëkohore, pa pritur rradhë të gjata e pa humbur kohë në sportele. Dhe çka është më e rëndësishme, klientët do të përfitonin të ardhura nga interesat bankar dhe lehtësim të procedurave të kreditimit në procesin e vendimmarjes së bankave.

Ndaj, le të hedhim në tryezën e diskutimeve të gjitha argumentet, vërejtjet dhe propozimet konkrete për zgjidhjen e këtij problemi. Në të njëjtën kohë, le të jemi transparentë, të përgjegjshëm, aktivë dhe praktikë në zgjidhjen e pengesave ligjore, administrative dhe logjistike për kalimin e parasë në kanalet bankare.