BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zhvillohet faza e parë e konkursit “Vlera e vërtetë parasë!” midis shkollave të mesme të rrethit të Vlorës

Data e publikimit: 13.12.2008

 

Në datën 11 dhjetor 2008, u zhvillua faza e parë e konkursit “Vlera e vërtetë parasë!” midis shkollave të mesme të rrethit të Vlorës, në ambientet e teatrit “Petro Marko”.

Ky konkurs përbën një tjetër realizim konkret të programit të edukimit ekonomiko- financiar që Banka e Shqipërisë ka filluar të zbatojë, duke filluar nga viti i kaluar. Vitet e fundit, Banka e Shqipërisë gjithnjë e më shumë po i kushton vëmendje edukimit të publikut, duke ndërmarrë iniciativa për grupe interesi dhe grupmosha të ndryshme. Zhvillimi i kulturës ekonomike ndikon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe perceptimit të shoqërisë shqiptare për funksionimin e ekonomisë dhe rolin e Bankës së Shqipërisë në të.

Në kuadër të memorandumit të nënshkruar midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, ky program edukimi tashmë ka fituar një status rajonal, ku përveç rrethit të Tiranës dhe të Vlorës, vitet e ardhshme do të gjejë shtrirje në gjithë rrethet e Shqipërisë.

Në fazën e parë të konkursit të zhvilluar në rrethin e Vlorës morën pjesë 17 shkolla nga qyteti dhe fshatrat e këtij rrethi. Konkursi u organizua në tre panele konkurrimi, me një pjesëmarrje prej rreth 400 nxënësish dhe mësuesish. Konkursi ishte i ndërtuar mbi pyetje formuese në çështje që kanë të bëjnë me funksionin kryesor të Bankës Qendrore, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe hartimin e zbatimin e politikës monetare të saj. Në këtë formë, Banka e Shqipërisë synon jo vetëm që të njohë nxënësit me funksionet kryesore të saj dhe rolin që ajo luan në zhvillimin ekonomik të vendit, por njëkohësisht të përgatisë edhe bankierët e ardhshëm të Shqipërisë.

Në përfundim të kësaj faze, u shpallën 3 skuadrat më të mira që grumbulluan më shumë pikë dhe ato ishin shkollat: “Ali Demi”; ”Numër 1” dhe “Aulona”. Këto tre shkolla do të konkurrojnë midis tyre në fazën finale, që do të zhvillohet në 19 dhjetor 2008 në qytetin e Vlorës, aktivitet i cili do të transmetohet edhe në një televizion kombëtar.

Konkursi është paraprirë nga një punë parapërgatitore disamujore e Bankës së Shqipërisë, e shtrirë në disa faza. Më konkretisht, pas lançimit të këtij programi nga ana e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në muajin qershor të këtij viti, puna ka vijuar me organizimin e trajnimeve për mësuesit e shkollave të mesme, e takimeve me nxënësit e shkollave të mesme, shpërndarjeve e broshurave edukative në shkolla, etj..

Banka e Shqipërisë falënderon edhe Drejtorinë Arsimore të rrethit të Vlorës për mbështetjen që i kanë dhënë asaj për realizimin e këtij programi.