BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zhvillohet faza finale e konkursit "Vlera e Vërtetë e Parasë!" midis shkollave të mesme të rrethit të Gjirokastrës

Data e publikimit: 08.05.2009

 

Sot në rrethin e Gjirokastrës u zhvillua konkursi midis nxënësve të shkollave të mesme “Vlera e Vërtetë e Parasë”. Ky konkurs është një iniciativë e Bankës së Shqipërisë nëpërmjet të cilës synohet që të rinjtë të mësojnë e thellojnë njohuritë e tyre mbi Bankën Qendrore dhe politikën e saj monetare, nëpërmjet një mënyre argëtuese. I zhvilluar për herë të parë gjatë vitit shkollor 2007-2008, këtë vit ai është shtrirë në 5 rrethe të vendit.

Në Gjirokastër morën pjesë 7 shkolla të mesme nga të cilat doli fituese shkolla “Siri Shapllo”. Konkursi u zhvillua në sallën e teatrit “Zihni Sako” të qytetit, ku ishin të pranishëm nxënës, mësues, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit, studentë të Universitetit të Gjirokastrës e familjarë të pjesëmarrësve.

Në përgjigje të interesimit të të pranishmëve, z. Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, shpjegoi rëndësinë e programeve të edukimit të publikut, të ideuara dhe të zbatuara nga Banka e Shqipërisë, 4 vitet e fundit.

Duke theksuar veçanërisht domosdoshmërinë e edukimit ekonomik dhe financiar të publikut në zhvillimin e ekonomisë së një vendi dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të tij,- ai tha:

“Sa më shumë njohuri të ketë publiku, aq më shumë do të rritet kërkesa e tij për produkte e shërbime. Rritja e kërkesës publike do të shtyjë institucionet financiare të përmirësojnë e zgjerojnë shërbimet e tyre, të krijojnë e hedhin në treg produkte të reja e të kërkojnë instrumente të reja për realizimin e tyre. Institucionet financiare nga ana e tyre, sa më shumë të sofistikohen, zgjerohen e shtohen aq më shumë do të nxisin publikun të mësojë rreth shërbimeve e produkteve që ato ofrojnë. E gjitha kjo marrëdhënie funksionon në bazë të parimit të enëve komunikuese që rrisin nivelin e kaheve të ndryshme të të njejtit objekt.”.