BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zhvillohet faza finale e konkursit "Vlera e Vërtetë e Parasë!" midis shkollave të mesme të rrethit të Korçës, 24 prill 2009

Data e publikimit: 27.04.2009

 

Banka e Shqipërisë, në zbatim të programit të edukimit “Banka Qendrore në Jetën e Përditshme”, ka zhvilluar në qytetin e Korçës, sot në datë 24.04.2009, konkursin “Vlera e Vërtetë e Parasë!”.

Si pjesë e Memorandumit të Bashkëpunimit, të nënshkruar midis Ministrisë së Arsimit dhe Bankës së Shqipërisë në datën 13 dhjetor 2007, ky konkurs përbën një iniciativë konkrete në kuadër të programit të edukimit ekonomiko-financiar që Banka e Shqipërisë ka filluar të zbatojë vitet e fundit. Ai synon të krijojë, thellojë e zgjerojë njohuritë e nxënësve në fushën e politikës monetare e të Bankës Qendrore në përgjithësi. Gjithashtu, të nxisë nxënësit drejt studimeve të thelluara në financë e degë të ngjashme dhe njëkohësisht, shërben në zhvillimin e kulturës ekonomike të vendit.

finalja konkursi korce

Konkursi “Vlera e Vërtetë e Parasë” për vitin mësimor 2008-2009 është zhvilluar në rrethet e Vlorës e Shkodrës dhe tashmë edhe në atë të Korçës. 11 shkolla nga fshati dhe qyteti konkurruan mes tyre në mjediset e teatrit “Andon Zako Çajupi ”. Gjatë muajit maj ky aktivitet edukativ do të zhvillohet edhe në rrethin e Gjirokastrës dhe Tiranës, duke u finalizuar me konkursin midis skuadrave fituese të të pesta rretheve, në Tiranë.

Skuadra fituese e rrethit të Korçës është shkolla “Themistokli Gërmenji”.

Konkursi u ndoq nga nxënës, mësues, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit dhe familjarë të pjesëmarrësve.

Duke vlerësuar punën në grup si dhe atë individuale, në fund të aktivitetit Banka e Shqipërisë ndau çmime simbolike.