BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zhvillohet faza finale e konkursit "Vlera e vërtetë e parasë!" midis shkollave të mesme të rrethit të Vlorës

Data e publikimit: 27.12.2008

 

Banka e Shqipërisë, në zbatim të programit të edukimit “Banka Qendrore në Jetën e Përditshme”, ka zhvilluar në qytetin e Vlorës, konkursin “Vlera e vërtetë e parasë!” me nxënësit e shkollave të mesme. Konkursi synon të krijojë e të zgjerojë njohuritë e nxënësve rreth rolit të bankës qendrore në ekonominë e vendit, hartimit e zbatimit të politikës së saj monetare dhe transmetimit të vendimeve të saj në ekonomi.Ai gjithashtu, synon tí nxisë ata drejt studimeve të thelluara në financë e degë të lidhura.

U thirrën të marrin pjesë në këtë konkurs të gjitha shkollat publike dhe jopublike të rrethit të Vlorës.

Konkursi zhvillohet në dy faza, faza eliminatore dhe faza finale. Në fazën eliminatore morën pjesë 17 shkolla; 9 nga qyteti dhe 8 nga fshatrat e këtij rrethi. Konkursi u ndoq drejtpërdrejt në sallën e teatrit “Petro Marko” të qytetit nga rreth 400 nxënës, mësues, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit dhe familjarë të pjesëmarrësve në të. Takimi final i tij u filmua i plotë dhe do të transmetohet në një televizion kombëtar.

Skuadrat që u klasifikuan për në finale ishin ato të shkollave “Ali Demi”, “Aulona” dhe “Numër 1”, të cilat arritën të grumbullonin më shumë pikë.

Skuadra që u shpall fituese e kësaj gare të gjatë ishte ajo e shkollës “Ali Demi”. Në vendin e dytë u rendit shkolla “Aulona”dhe në të tretin shkolla “Nr.1”.

2008

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në cilësinë e Kryetarit të Jurisë, përgëzoi nxënësit, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave pjesëmarrëse për përgatitjen dhe nivelin e pëlqyeshëm të dijeve, që nxënësit treguan në konkurim.

Ai gjithshtu, falenderoi Drejtorinë Arsimore të rrethit të Vlorës për mbështetjen që i dha këtij programi, për realizimin e suksesshëm të tij. Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit, të nënshkruar midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit e Shkencës, ky program edukimi do të zhvillohet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.