BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zhvillohet mbledhja e parë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave

Data e publikimit: 02.10.2015

 

Sot në datën 2 tetor 2015, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u zhvillua mbledhja e parë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Mbledhja u drejtua nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni, e cila është njëkohësisht dhe Kryetare e këtij Komiteti. Në mbledhje ishin të pranishëm edhe të gjithë anëtarët e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave.

x dsc1355 copy 7636 0

Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave përbëhet nga dhjetë anëtarë, të cilët janë përfaqësues të lartë nga institucione si: Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, Ministri për Inovacionin dhe Administratës Publike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe Shoqata Shqiptare e Bankave. Në mbledhje ishte i pranishëm dhe z. Massimo Cirasino, Administrator në Praktikë i Infrastrukturës së Tregjeve Financiare dhe Linjave të Shërbimeve të Remitancave pranë Bankës Botërore, si ekspert i mirënjohur në fushën e zhvillimit të sistemeve të pagesave dhe konsolidimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Qëllimi i Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave është të mbështesë dhe të kontribuojë në rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri. Komiteti do të shërbejë si një forum, i cili do të lehtësojë diskutimin e çështjeve në lidhje me sistemet dhe instrumentet e pagesave, me synim hartimin e rekomandimeve të nevojshme për të mbështetur procesin vendimmarrës të institucioneve të përfshira. Përtej rolit këshillues, Komiteti do të synojë të lehtësojë procesin e implementimit të masave të marra nga autoritetet përkatëse nëpërmjet nxitjes së bashkëveprimit.

Në fjalën e hapjes, Zëvendësguvernatorja Gjoni theksoi rolin që pritet të luajë Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave si katalizator dhe koordinator për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës financiare. Bota e sotme e teknologjisë parashtron nevojën për gjetjen e ideve dhe mjeteve të reja në fushën e pagesave, por autoritetet rregullatore, në bashkëpunim të ngushtë dhe me aktorët e tregut, duhet të jenë edhe një hap më përpara përsa i përket garantimit të sigurisë dhe efikasitetit së tyre.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë, në rolin e saj për nxitjen e një sistemi efikas pagesash, ka krijuar infrastrukturën e nevojshme, e cila ofron mundësinë të kryhen një numër i madh transaksionesh nga një sërë aktorësh të tregut financiar. Megjithatë reformimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i sistemeve të pagesave vlerësohen si mjaft të rëndësishëm nga Banka e Shqipërisë, jo vetëm për reduktimin e kostove sociale të qytetarëve, por edhe si një objektiv kryesor që ndihmon në përmirësimin e transmetimit të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar të vendit.

Në diskutimin e saj, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, zj. Milena Harito përshëndeti këtë nismë, si një platformë institucionale e nevojshme për të bashkërenduar përpjekjet dhe për të rritur bashkëpunimin në këtë fushë me kaq interes për vendin tonë, e cila gëzon edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare si një mjet i nevojshëm për modernizimin e mëtejshëm të shtetit.

Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave  diskutoi mbi mundësinë e zgjerimit të infrastrukturës së pagesave, në drejtin të rritjes së sigurisë dhe uljes së kostove të shërbimeve të pagesave.

Nga ana e saj, Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, zj Elona Gjebrea shprehu angazhimin për të bashkërenduar veprimet për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të sistemit të pagesave, me synim nxitjen e përdorimit dhe pranimit të instrumenteve të pagesave, të reduktimit të përdorimit të parasë cash në ekonomi, si dhe ruajtjen e stabilitetit të tregjeve financiare.

  Në përfundim, u diskutua edhe strategjia e zhvillimit të sistemit të pagesave, e cila synon modernizimin, përmirësimin dhe plotësimin e sistemeve dhe instrumenteve të pagesave me qëllim rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të tyre në kuadër të reduktimit të parasë fizike në ekonomi dhe njëkohësisht integrimin në Zonën e Njësuar të Pagesave në Euro (Single Euro Payments Area – SEPA).