BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Zhvillohet workshop-i i nivelit të lartë me temë: “Qeverisja e Korporatave në sektorin financiar”

Data e publikimit: 02.06.2016

 

Në datën 2 qershor 2016, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me IFC (Korporata Financiare Ndërkombëtare) dhe Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike* (SECO) zhvilluan w orkshop-in me temë “Qeverisja e Korporatave në sektorin financiar”.

Gjatë këtij workshop-i u diskutua mbi sfidat e qeverisjes së korporatave dhe nevojat e identifikuara për përmirësimin e mëtejshëm të praktikave të qeverisjes së tyre në sektorin financiar me qëllim përafrimin me standardet ndërkombëtare.

#250 2

#250 2

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtorë ekzekutivë e përfaqësues të lartë të bankave tregtare dhe institucioneve financiare jo banka që operojnë në Shqipëri, përfaqësues nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri; Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim; Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Banka e Shqipërisë, Korporata Financiare Ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Folësi kryesor në këtë workshop ishte z. Eddy Wymeersch, ekspert në fushën e qeverisjes së korporatave dhe njëkohësisht Kryetar i Bordit Mbikëqyrës së Interesit Publik në Madrid.

Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni gjatë fjalës përshëndetëse vlerësoi rolin e rëndësishëm që luan Banka e Shqipërisë si autoritet mbikëqyrës në sigurimin e stabilitetit të sistemit bankar.

Zj. Gjoni, midis të tjerash, theksoi se Banka e Shqipërisë nëpërmjet kuadrit rregullativ të saj garanton zbatimin e praktikave të shëndosha të qeverisjes së korporatave nga bankat, por nga ana tjetër mbështet gjithashtu iniciativat në drejtim të përmirësimit të këtyre praktikave në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Gjatë fjalës së saj, Zëvendësguvernatorja Gjoni u shpreh se sistemi bankar është i ndërgjegjshëm dhe ka njohuri lidhur me parimet ndërkombëtare të qeverisjes së korporatave, por ka ende vend për përmirësim në drejtim të: forcimit të rolit të Këshillave Drejtues dhe Komiteteve të Kontrollit të bankave, sistemeve të matjes; kontrollit dhe monitorimit të rreziqeve, funksionit të kontrollit të brendshëm; funksionit të rrezikut dhe të përputhshmërisë, procesit të planifikimit strategjik në drejtim të vendosjes së objektivave të qarta dhe parashikimit të planeve dhe burimeve të detajuara për arritjen e tyre, etj.

Më tej, zj. Gjoni u ndal më në veçanti në projektin e bashkëpunimit që Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), mbi përforcimin e funksionit mbikëqyrës për qeverisjen e korporatave të bankave dhe përafrimin e tij me praktikat e Bankës Qendrore Evropiane (BQE).

Qeverisja e Korporatave, njihet sot si një nga faktorët kyç për vendosjen e mekanizmave të duhur për sigurimin e përgjegjshmërisë së bankave, në veçanti të strukturave të komiteteve dhe këshillave drejtuese në drejtimin dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së tyre, me qëllim mbrojtjen e interesave të të gjithë palëve të interesit.

Në përfundim të workshop-it, të pranishmit diskutuan mbi sfidat e qeverisjes së korporatave me të cilat ndeshen institucionet financiare dhe biznesi në tërësi, nismat e ndërmarra nga rregullatoret si dhe identifikuan fushat e mundshme për përmirësim si intensifikimi i dialogut ndërmjet institucioneve financiare, rregullatorëve dhe institucioneve ndërkombëtare, forcimin e standardeve të qeverisjes së korporatave dhe rolit parësor të bankave për promovimin e praktikave më të mira të qeverisjes tek bizneset e sektorit real.

___________________________________

* Në vitin 2013, Banka e Shqipërisë nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), e cila i mundëson Shqipërisë të jetë pjesë e programit mbi asistencën dypalëshe dhe ndërtimin e kapaciteteve për bankat qendrore.