BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zv.Guvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, z.Fatos Ibrahimi takohet me Misionin EU 1 të Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 14.04.2003

 

Sot paradite Zëvendësguvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, z.Fatos Ibrahimi dhe drejtues të Bankës së Shqipërisë zhvilluan takimin prezantues me Misionin EU 1 të Fondit Monetar Ndërkombëtar(FMN) në kuadër të Programit të Zbutjes së Varfërisë dhe Zhvillimit Ekonomik (PRGF). Misioni kryesohej nga Z. Jan-Peter Olters, përfaqësues rezident i FMN-së në Shqipëri dhe do të zhvillojë një sërë takimesh në Bankën e Shqipërisë në kuadër të vizitës dy javore, 14-28 prill 2003.

Temat kryesore të takimit ishin zhvillimet e treguesve kryesorë makroekonomikë dhe parashikimet deri në fund të vitit 2003; zhvillimet ecuria e deficitit buxhetor; zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë dhe politika monetare.

Duke folur për zhvillimet kryesore në ekonominë shqiptare gjatë vitit të kaluar, Zv.Guvernatori i Parë, z.Ibrahimi, u shpreh se indikatorët makroekonomikë ishin brenda parashikimeve. Këtu theksohet një inflacion vjetor 2.1 për qind, në kufijtë e objektivit të BSH-së, 2-4 për qind, rritje e Produktit të Brendshëm Bruto me 4.7 për qind, një kurs këmbimi relativisht i stabilizuar me tendencë të nënçmimit të lekut ndaj euros dhe mbiçmim ndaj dollarit amerikan. Pas zhvillimeve të tërheqjes së depozitave në muajt mars-prill, politika monetare u shpreh z.Ibrahimi ishte kryesisht "shtrënguese" deri në tetor dhe më pas u kalua përsëri një politikë monetare "neutrale" e cila është në vazhdimësi.

Lidhur me zhvillimet në sektorin e jashtëm, z.Ibrahimi u shpreh se gjatë vitit të kaluar kishte një rënie të investimeve të huaja direkte si pasojë e mosrealizimit të të ardhurave të parashikuara nga privatizimi, një rritje të deficitit tregtar dhe rritje të të ardhurave nga turizmi.

Më pas, Zv.Guvernatori Ibrahimi u shpreh se ekonomia shqiptare gjatë viteve të fundit është karakterizuar nga rritje të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së) dhe parashikimi edhe për vitin 2003 është për një rritje ekonomike prej 6 për qind. Arritja e këtij parashikimi, u shpreh z.Ibrahimi, mbështetet në zhvillimet në sektorin e ndërtimit, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e mundshme të numrit të turistëve dhe zgjerimin e sektorit të shërbimeve, përmirësimi nga viti në vit (megjithë problemet ende ekzistuese) të sektorit energjitik dhe vazhdimin e reformës në bujqësi drejt krijimit të tregut të tokës, etj.

Sa i përket pritshmërive për vitin 2003, z.Ibrahimi theksoi se agregatët monetarë parashikohen brenda objektivave, inflacioni përsëri parashikohet të luhatet në intervalin 2- 4 për qind, kursi i këmbimit parashikohet relativisht i qëndrueshëm dhe se shpenzimet buxhetore dhe deficiti buxhetor pritet të realizohen brenda parashikimeve.