BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Zv.Guvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, z.Fatos Ibrahimi, takohet me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 15.10.2003

 

Zv. Guvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë, z.Fatos Ibrahimi dhe drejtues të saj zhvilluan sot takimin prezantues me Misionin e vjeshtës EU1 të Fondit Monetar Ndërkombëtar që po viziton Shqipërinë të kryesuar nga z.Jan Kees Martijn, ekonomist në Departamentin Evropian të FMN-se dhe që shoqërohej nga përfaqësuesi i Përhershëm i Zyrës së FMN-së në Shqipëri, z. Jan-Peter Olters.

Temat kryesore të takimit ishin zhvillimet kryesore makroekonomike të vitit 2003, politika monetare e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimet në sektorin financiar.

Në fjalën e tij zv.Guvernatori Ibrahimi u shpreh se Banka e Shqipërisë mbështetur në të dhënat më të fundit që gjithësesi nuk janë të plota, gjykon se objektivi për një rritje ekonomike 6 për qind për vitin 2003 është i arritshëm. Ky parashikim mbështetet kryesisht në zhvillimet më të fundit në sektorin bujqësor dhe të agroindustrisë. Gjithashtu, tregues optimistë për arritjen e objektivit të rritjes ekonomike janë edhe: rritja e importit të makinerive dhe paisjeve, rritja e numrit të turistëve që vizituan Shqipërinë gjatë sezonit të verës, rritja e konsiderueshme e kreditimit të biznesit, investimet në fushën e transportit, ecuria e sektorit të ndërtimit, rritja e kërkesës së brendshme dhe përmirësimet që janë vërejtur gjatë këtij viti në furnizimin me energji etj.

Duke parë në tërësi zhvillimet monetare, u shpreh z.Ibrahimi, Banka e Shqipërisë gjykon se parashikimet për inflacionin vjetor janë optimiste për respektimin e objektivit të Bankës së Shqipërisë për një normë inflacioni 2-4 për qind. Banka e Shqipërisë, u shpreh zv.guvernatori i parë, ka ulur dy herë gjatë këtij viti normën bazë të interesit (REPO) mbështetur në zhvillimet monetare, ndërkohë që gjysma e parë e vitit 2003 është shoqëruar me norma në rritje të inflacionit dhe pas muajit qershor inflacioni ka ardhur në rënie.

Sa i përket zhvillimeve në sektorin financiar, z.Ibrahimi u shpreh se me rëndësi është shfaqja e interesit nga ana e disa bankave të huaja për privatizimin e Bankës së Kursimeve. Deri tani, u shpreh z.Ibrahimi, janë disa banka të huaja që kanë tërhequr aplikimet dhe informacionin për Bankën e Kursimeve dhe pas përfundimit të periudhës së parë të shfaqjes së interesit deri më 20 tetor, do të fillojë procesi i shqyrtimit të kërkesave.

Në takimin e ditës së sotme vend të veçantë zuri edhe fushata e përbashkët e Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankierëve në Shqipëri për reduktimin e cash(parasë në dorë) në ekonomi dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave. Z. Ibrahimi u shpreh se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në bashkëpunim me institucionet e tjera për pagesat e pagave dhe faturave tatimore, doganore, të telefonisë, KESH etj., nëpërmjet bankave dhe nga ana tjetër Banka e Shqipërisë është në procesin e zbatimit të projektit të infrastrukturës për projektin e pagesave të mëdha në kohë reale(RTGS).

Misioni i FMN-së do të vazhdojë takimet në Bankën e Shqipërisë dhe ditën e hënë do të takohen me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani ndërsa takimi konkludues do të zhvillohet me datë 29 tetor 2003.