BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në konferencën për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, 3 tetor 2018

Data e publikimit: 03.10.2018

 

Të dashur përfaqësues të medias,

Në mbledhjen e sotme, të datës 3 tetor 2018, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të politikës monetare.

Informacioni i ri ekonomik dhe financiar, i disponuar dhe i marrë në analizë në mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës, është përgjithësisht pozitiv dhe në linjë me pritjet tona. Vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend është rritur, duke sjellë shfrytëzimin më të plotë të kapaciteteve prodhuese si dhe rritjen e punësimit, të pagave dhe të presioneve të brendshme inflacioniste. Po ashtu, gjendja financiare e familjeve dhe bizneseve shqiptare ka ardhur në përmirësim, çka është pasqyruar në përmirësimin e bilanceve të tyre dhe në rënien e vazhduar të treguesit të kredive me probleme.

Këto zhvillime vijojnë të mbështeten nga përmirësimi i ambientit të huaj, nga kushtet e favorshme financiare të diktuara nga politika jonë monetare lehtësuese, nga flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte, si dhe nga rritja e prodhimit të energjisë, si pasojë e situatës së mirë hidrike të këtij viti.

Përditësimi i parashikimeve rikonfirmoi pritjet tona të mëparshme mbi ecurinë pozitive të ekonomisë dhe mbi kthimin e inflacionit në objektiv, brenda horizontit afatmesëm. Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se, ndonëse kahu akomodues i politikës monetare do të jetë i nevojshëm për garantimin e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike gjatë afatit të mesëm, intensiteti i këtij stimuli do të vijë në rënie, në përputhje me ritmin e përmirësimit të aktivitetit ekonomik dhe shpejtësinë e kthimit të inflacionit në objektiv.

 DSC1046-2 - 498

Inflacioni shënoi vlerat 2.3% dhe 2.2%, respektivisht në muajt korrik e gusht, duke regjistruar një rritje të lehtë kundrejt nivelit mesatar prej 2.1%, të shënuar në gjashtëmujorin e parë të vitit. Rritja e inflacionit ka reflektuar forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste, ndikimin direkt e indirekt të rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, si dhe çmimet e larta të produkteve ushqimore. Nga ana tjetër, mbiçmimi i kursit të këmbimit ka frenuar presionet inflacioniste të importuara nga tregjet e huaja.

Banka e Shqipërisë vlerëson se efekti frenues në inflacion i mbiçmimit të kursit të këmbimit do të vijojë të jetë i pranishëm dhe për disa tremujorë në vijim. Megjithatë, ky faktor frenues do të mbetet kalimtar dhe nuk do të cenojë përmbushjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm.

Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2020. Kjo dinamikë do të mbështetet nga zgjerimi i vazhduar i kërkesës agregate, e cila do të mundësojë rritjen e punësimit, të pagave e të marzheve të fitimit, në linjë me normat e tyre historike.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me rreth 4.3% në tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat indirekte sinjalizojnë vazhdimin e dinamikës rritëse edhe gjatë tremujorit të tretë. Rritja ekonomike ka pasur një bazë të gjerë; ajo është mbështetur nga rritja e konsumit dhe e investimeve private, si edhe nga zgjerimi i eksporteve. Nga ana tjetër, ritmi i konsolidimit fiskal është forcuar në tremujorin e dytë e të tretë të vitit. Gjithashtu, ashtu si dhe tremujorin e kaluar, rritja ekonomike e tremujorit të dytë reflektoi dhe zgjerimin e prodhimit të energjisë elektrike.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka sjellë një përdorim më të plotë të kapaciteteve prodhuese. Në tregun e punës, rritja e punësimit ka reduktuar më tej normën e papunësisë, e cila shënoi nivelin 12.4% në tremujorin e dytë. Po ashtu, sipas vrojtimeve tona të aktivitetit të biznesit, shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve është luhatur rreth nivelit mesatar prej 72%, duke ardhur në rritje kundrejt nivelit mesatar të vitit të kaluar. Këto zhvillime mbështesin forcimin dhe zgjerimin e bazës së presioneve të brendshme inflacioniste.

Kushtet financiare për bizneset dhe familjet vijojnë të mbeten të favorshme, të karakterizuara nga norma të ulëta interesi dhe prime të reduktuara rreziku. Kostot e financimit të sektorit bankar, të sektorit privat dhe të sektorit publik, janë të ulëta, në reflektim të kursit akomodues të politikës monetare. Normat e ulëta të interesit për kredinë në lekë kanë ndihmuar zgjerimin e portofolit të kredisë në monedhën vendase, i cili mbetet instrumenti i preferuar i financimit dhe mbështetësi kryesor i zgjerimit të kredisë për sektorin privat. Ritmi i rritjes vjetore të kredisë në lekë shënoi vlerën 6% në muajin gusht. Në fund të këtij muaji, kjo kredi përbën rreth 46.1% të kredisë totale.

Sikundër e kemi theksuar dhe më parë, dinamika e kreditimit në vend pasqyron ecurinë e kërkesës dhe ofertës për të. Më konkretisht, kërkesa për kredi mbetet e moderuar – ndonëse me një tendencë përmirësimi gjatë tremujorëve të fundit – ndërsa bankat vijojnë të aplikojnë kushte të shtrënguara kreditimi, sidomos për segmentin e bizneseve. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë konstaton se reduktimi i vazhduar i rrezikut të kredisë, siç ilustrohet nga rënia në nivelin 12.9% e raportit të kredive me probleme në muajin gusht, krijon parakushtet për një përqasje më proaktive të bankave në kreditim.

Kursi i këmbimit mbetet i mbiçmuar kundrejt monedhave të partnerëve tanë tregtarë, por ritmi i mbiçmimit të tij është frenuar gjatë muajve të verës. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kanë qenë efektive në drejtim të stabilizimit të kursit të këmbimit në tremujorin e tretë. Së fundi, pas përfundimit të sezonit turistik, raportet e kërkesës dhe ofertës për valutë paraqiten të balancuara edhe në mungesë të ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë. Analizat tona sugjerojnë se rreziku i kursit të këmbimit në arritjen e objektivit ka ardhur në rënie.

 DSC1202-2 - 498

Pritjet tona për të ardhmen janë pozitive. Ekonomia shqiptare pritet të mbetet në një trajektore pozitive rritjeje. Zgjerimi i kërkesës agregate pritet të rrisë shkallën e përdorimit të kapaciteteve prodhuese, duke shtuar presionet e brendshme inflacioniste. Paralelisht me to, dhe presionet nga ambienti i huaj pritet të vijnë në rritje, si pasojë e zbehjes së efektit frenues të kursit të mbiçmuar të këmbimit.

Në afatin e mesëm, përmbushja e këtij skenari kërkon ruajtjen e miksit aktual të politikave makroekonomike. Kursi akomodues i politikës monetare siguron stimulin e nevojshëm për nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe kthimin e inflacionit në objektiv. Në të njëjtën kohë, konsolidimi fiskal redukton primet e rrezikut në ekonomi dhe rrit hapësirën e përballimit të goditjeve potenciale.

Në afatin e gjatë, përshpejtimi i rritjes ekonomike duhet të bazohet në vijimin e reformave strukturore, në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, të nxitjes së investimeve vendase dhe të huaja, si dhe në drejtim të rritjes së eficiencës dhe të zgjerimit të potencialit ekonomik.

***

Duke gjykuar mbi analizat dhe parashikimet e skenarit bazë, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

Në këto rrethana, ai vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%;
  • të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se – bazuar në trendet aktuale dhe informacionin e disponuar – normalizimi i normave të interesit në tregun e brendshëm financiar nuk do të fillojë përpara tremujorit të dytë të vitit 2019. Në çdo rast, ky normalizim do të jetë i kujdesshëm për të garantuar konvergimin e qëndrueshëm të inflacionit drejt objektivit.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se raportet e kërkesës dhe ofertës për valutë paraqiten të qëndrueshme dhe se mbiçmimi i kursit të këmbimit është një rrezik më i ulët për inflacionin.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu