BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Platforma për rigjallërimin e kreditimit në Shqipëri

Data e publikimit: 18.11.2019

 

Në datën 29 maj 2019, Banka e Shqipërisë organizoi një tryezë të përbashkët me bankat tregtare me temë “Sektori bankar si kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”. Në vijim të orientimeve të kësaj tryeze, u organizua puna e përbashkët me Shoqatën Shqiptare të Bankave për hartimin e një platforme me objektiva konkretë për rigjallërimin e kreditimit në ekonominë shqiptare në afat të mesëm.

Produkt i kësaj pune është një plan i përbashkët veprimesh që angazhon Bankën e Shqipërisë dhe sistemin bankar për përmirësime rregullative dhe iniciativa konkrete, me synim nxitjen e kreditimit si një burim i pazëvendësueshëm për rritjen ekonomike dhe ndërmjetësimin financiar.

Aktualisht në Shqipëri, kreditimi i sektorit privat nga sektori bankar, si peshë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, është në një nivel mesatar dukshëm më të ulët në krahasim me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo ecuri reflekton jo vetëm një trashëgimi historike, por, pas krizës financiare globale të vitit 2008, tregon për rritjen e rrezikut të kësaj veprimtarie dhe rënien e kërkesës për kredi.

Megjithatë, treguesit financiarë të sektorit bankar dhe të dhënat e vrojtuara sa i përket ngarkesës me borxh të familjeve dhe të ndërmarrjeve, dëshmojnë se potenciali për zgjerimin e kreditimit në tërësi dhe në sektorë të caktuar është i konsiderueshëm. Duke treguar kujdesin e nevojshëm dhe në varësi të ecurisë së kërkesës për kredi, bankat kanë hapësira për të rritur kreditimin me ritme më të shpejta, veçanërisht në monedhën kombëtare dhe në drejtim të sektorëve e subjekteve që kanë qenë më pak të financuar deri tani.

Me qëllim shfrytëzimin e këtij potenciali, është hartuar kjo platformë nëpërmjet së cilës identifikohen disa veprime që ndihmojnë në uljen e rrezikut të kreditimit dhe krijojnë kushte më të mira për rritjen e kreditimit. Kjo platformë prek politikat e kreditimit të bankave, sistemet e pagesave dhe edukimin financiar, por nuk kufizon dhe nuk përjashton ndërmarrjen e veprimeve të tjera mbështetëse. Për realizimin e veprimeve të përfshira në këtë platformë, do të nevojitej përmirësimi i akteve ligjore e nënligjore dhe bashkëpunimi efektiv midis institucioneve publike.

Duke monitoruar në vijimësi ecurinë dhe strukturën e kreditimit, kjo platformë do të rishikohet në mënyrë të rregullt dhe, në varësi të ecurisë së kreditimit, do të pasurohet me elemente të tjera ose do të vlerësohet si e përmbushur.