BANKA E SHQIPËRISË

NJOFIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 3 korrik 2019

Data e publikimit: 03.07.2019

 

Pyetje: A po planifikon Banka e Shqipërisë të ndërhyjë në treg për të frenuar rënien e mëtejshme të euros?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë miratoi një program ndërhyrjeje në treg gjatë vitit të shkuar për të stabilizuar kursin e këmbimit. Duhet theksuar që gjatë vitit të kaluar kemi pasur disa faktorë specifikë, të cilët kanë sjellë një mbiçmim më të madh se sa ai që justifikonin fondamentet për kursin e këmbimit. E theksova dhe në deklaratë, se gjatë kësaj periudhe kursi i këmbimit është ndikuar nga faktorë sezonalë dhe ka një sjellje të rregullt në tregje. Nuk ka çrregullime  të ciklit në transaksionet e këmbimeve valutore në tregun bankar, por edhe më gjerë. Pra, Banka e Shqipërisë nuk ka treguesit që të imponojnë ndërhyrje në treg, qoftë për arsye çrregullimi, qoftë për arsye të arritjes së objektivit të saj kryesor, inflacionit.

Dua t’ju theksoj edhe njëherë, që Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun valutor jo për të mbrojtur interesat e palëve të caktuara, por vetëm me qëllim arritjen e objektivit të inflacionit. Pra, ne ndërhyjmë kur mbiçmimi i kursit të këmbimit nuk justifikohet nga fondamentet dhe kjo ndikon në objektivin e inflacioni prej 3%. Aktualisht, ne nuk jemi në këtë situatë. Mbiçmimi i kursit të këmbimit është ndikuar nga faktorë sezonalë. Sigurisht që ne kemi një mbiçmim të kursit të këmbimit prej disa vitesh; ka mbi 4 vjet që ka filluar mbiçmimi i kursit të këmbimit për shumë arsye të cilat ne i kemi përmendur: rritjen e IHD-ve, rritjen e remitancave, të ardhurat nga turizmi dhe shumë burime të tjera të hyrash.

Ne ndjekim një regjim të lirë të kursit të këmbimit, i cili është regjimi më i mirë, jo vetëm se është rekomanduar nga institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar, Banka Botërore, Bashkimi Evropian, etj., por edhe për  faktin se është regjimi më i mirë për një ekonomi të hapur si ekonomia jonë. Pra, kursi përcaktohet nga kërkesa dhe oferta në treg; ndërhyrjet bëhen vetëm në rast çrregullimesh ose në rast të një mbiçmimi që  godet inflacionin. Por nuk jemi në këtë situatë. Gjithsesi ne do të vazhdojmë ta monitorojmë tregun. Në rast se do të ketë çrregullime ose një nivel të mbiçmuar të kursit i cili do të godiste objektivin tonë të inflacionit, ne ndërhyjmë. Programi ynë tani është të monitorojmë tregun.