BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takim me sistemin bankar dhe biznesin me temë “Marrëdhëniet Biznes-Bankë: Sfidat e përbashkëta ekonomike në kushtet e pandemisë globale Covid-19”

Data e publikimit: 13.05.2020

 

Në datën 13 maj 2020, Banka e Shqipërisë organizoi një takim diskutimi me sistemin bankar dhe biznesin me temë “Marrëdhëniet Biznes-Bankë: Sfidat e përbashkëta ekonomike në kushtet e pandemisë globale Covid-19”.

Ky takim i organizuar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me nismën dhe nën drejtimin e Guvernatorit Sejko, kishte për qëllim nxitjen e bashkëpunimit midis këtyre dy grupeve të interesit për të përballuar sfidat e përbashkëta ekonomike të krijuara nga pandemia Covid-19, si dhe ofrimin e një platforme për shkëmbimin e ideve dhe nevojave mbi instrumentet që do të përdoren dhe masat e mëtejshme për t’u ndërmarrë.

DSC 6082 498

Pjesëmarrës në takim ishin drejtues të sistemit bankar, të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë – Shqipëri, Bashkimit Tregtar të Shqipërisë, Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Shoqatës së Hidrokarbureve, si dhe të Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë.

DSC 6091 498

Takimi nisi me fjalën e Guvernatorit Sejko, i cili u shpreh se gjatë vitit 2020, aktiviteti ekonomik pritet të shënojë një rënie të ndjeshme, si pasojë e masave të kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë Covid-19.

Në këtë realitet të ri të krijuar nga pandemia Covid-19, Guvernatori Sejko theksoi se ruajtja e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe garantimi i qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike në periudhën afatmesme dhe afatgjatë përbën një sfidë serioze, përballimi i së cilës kërkon harmonizimin e veprimeve ndërmjet të gjithë aktorëve të tregut.

Në vijim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko veçoi rëndësinë e masave të ndërmarra nga autoritetet publike për përballimin e kësaj situate, ku thelbësore janë dy paketat fiskale të miratuara nga qeveria, të cilat ofrojnë një stimul për nxitjen e kërkesës agregate, për zbutjen e problemeve të likuiditetit dhe për shmangien e pasojave afatgjata të krizës në ekonomi. Guvernatori vlerësoi dhe miratimin e fondeve për garancitë sovrane të ofruara nga qeveria shqiptare për të mbështetur me kredi bankare kompanitë, me qëllim kryerjen e pagesave mujore të punonjësve të tyre dhe mbulimin e nevojave të tjera shtesë.  

Ndërkohë, masa të rëndësishme për përballimin e kësaj situate janë ndërmarrë dhe nga Banka e Shqipërisë. Në cilësinë e autoritetit monetar në vend, Banka e Shqipërisë aktivizoi një sërë masash të rëndësishme që synojnë të zbusin efektet negative të pandemisë Covid-19 në ekonomi dhe të krijojnë të gjitha parakushtet e nevojshme për të ofruar një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë shqiptare.

Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko paraqiti masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, si ulja e normës bazë të interesit në nivelin historik prej 0.5 për qind, furnizimi me të gjithë likuiditetin e nevojshëm të sistemit bankar në vend duke hequr kufijtë sasiorë, sigurimi i pandërprerë i ekonomisë me para fizike, si dhe shtyrja me një tremujor e pagesave të kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi financiare.

Por pavarësisht masave të ndërmarra nga autoritetet publike, Guvernatori Sejko u shpreh se bizneset dhe sektori bankar duhet të jenë mjaft aktivë dhe bashkëpunues për të përballuar sfidat e së ardhmes. Në këtë drejtim, Guvernatori veçoi disa nga sfidat më të rëndësishme me të cilat do të përballet biznesi dhe sektori bankar në realitetin e post-Covid. Realiteti i ri do të kërkojë që biznesi të jetë më realist në planet e tij por dhe të jetë më i kujdesshëm në administrimin e likuiditetit.

Nga ana tjetër, Guvernatori Sejko vlerësoi kontributin e rëndësishëm që sektori bankar jep në zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë realitet të ri të krijuar nga pandemia Covid-19, ai theksoi se është e domosdoshme që sektori bankar të gjejë dhe të ruajë një ekuilibër të drejtë midis mbështetjes së kredimarrësve në nevojë – në interes dhe përfitim afatgjatë të dyanshëm, pa cenuar sigurinë e kursimeve të qytetarëve dhe stabilitetin financiar të vendit – dhe ruajtjes së shëndetit të bilanceve të tij.

Ruajtja e stabilitetit financiar të vendit është e lidhur me shëndetin e biznesit dhe në kushtet e krijuara nga pandemia Covid-19, bankat mund të ndihmojnë klientët në vështirësi më serioze nëpërmjet ristrukturimit të kredisë, në formën e një tjetër shtyrjeje të përkohshme të këstit apo në formën një ristrukturimi tërësor të saj, gjithnjë dhe për aq kohë sa perspektiva afatgjatë e biznesit mbetet solide. Guvernatori u shpreh se marrja e këtyre vendimeve nuk duhet të ndikojë në stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi, dhe Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, zj. Ines Muçostepa, vlerësuan masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe shprehën këndvështrimet e tyre në lidhje me situatën ekonomike të krijuar nga Covid-19.

Më pas, takimi vijoi me diskutime dhe shkëmbime mendimesh midis të pranishmëve. Në mbyllje të tij, takimi u vlerësua shumë frytdhënës nga të gjithë pjesëmarrësit, të cilët shprehën angazhimin e tyre për krijimin e një platforme të përbashkët pune për periudhën në vijim.