BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 27 nëntor 2019

Data e publikimit: 27.11.2019

 

Në mbledhjen e tij të datës 27 nëntor 2019, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2020-2022.

Strategjia afatmesme 2020–2022 paraqet ambicien e Bankës së Shqipërisë për periudhën trevjeçare në vijim. Ky dokument është një përditësim i Strategjisë 2019-2021, përmes të cilit zgjatet afati i zbatimit përtej vitit 2021, dhe përcakton objektivat kryesorë për periudhën afatmesme.

Strategjia përfshin funksionet kryesore të BSH-së: politikat (politika monetare, rezerva valutore, mbikëqyrja bankare), infrastrukturën financiare (emisioni i parasë, sistemet e pagesave); funksionet e tjera (kërkimet, statistikat); dhe shërbimet mbështetëse (burimet njerëzore, çështjet juridike, kontabiliteti dhe financa, prokurimet dhe shërbimet, IT).

Informacioni për zbatimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit është pjesë e rregullt e raporteve vjetore të Bankës së Shqipërisë.

  • Miratimin e buxhetit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2021-2022.

Buxheti synon parashikimin e tërësisë së të ardhurave, shpenzimeve operative dhe atyre kapitale, që i përkasin vitit të ardhshëm financiar ose buxheteve afatmesme të Bankës së Shqipërisë (BSH), në funksion të përmbushjes së objektivave, detyrave dhe funksioneve të përcaktuara në ligjin organik si bankë qendrore, si dhe të objektivave dhe përgjegjësive publike të shprehura në Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës. Ai bazohet në situatën aktuale në tregjet ndërkombëtare, zhvillimet e tregut të brendshëm, planin e shpenzimeve kapitale miratuar në Komitetin e Shpenzimeve Kapitale, si dhe reflekton kryerjen e shpenzimeve të nevojshme operative për miradministrimin e aktiveve dhe për burimet njerëzore.

Objektivat kryesorë në hartimin e buxhetit të vitit 2020 dhe atij orientues afatmesëm për periudhën 2021-2022 janë:

  • Funksionimi dhe vijimësia normale e aktivitetit të BSH-së për përmbushjen e funksioneve ligjore të saj, në përputhje me strategjinë afatmesme dhe planet e reja të Bankës;
  • Ruajtja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, racionalizimi i strukturës organizative, menaxhimi dhe promovimi në karrierë i kapaciteteve njerëzore për një organizim strukturor përgjegjës dhe fleksibël;
  • Ruajtja dhe përmirësimi i cilësisë së kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim, rritja e eficiencës në administrimin e parasë si dhe fushata e promovimit dhe prezantimit të kartëmonedhave të reja;
  • Përmirësimi i kushteve të punës dhe përditësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe sistemeve të sigurisë, në mbështetje të aktivitetit të Bankës.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.