BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011

Data e publikimit: 11.06.2012

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18 .12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Banka e Shqipërisë vlerëson se gjendja dhe ecuria e sistemit financiar dhe e sektorit bankar mbetet e stabilizuar. Treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë së sektorit bankar paraqiten në nivele të mira, por aftësia e tij për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme vijon të mbetet e përqendruar në banka të veçanta. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të drejtpërdrejta të tregut paraqitet në nivele të ulëta, ndërkohë që rreziku i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë i kreditit përfaqëson sfidën kryesore për veprimtarinë e sektorit bankar. Zhvillimet në mjedisin ekonomik rrethues të brendshëm dhe të jashtëm, si edhe gjendja financiare e familjeve dhe bizneseve, vlerësohen të ngjashme me ecurinë e tyre afatmesme. Më konkretisht, ndërveprimi i sistemit financiar me mjedisin ekonomik dhe ekspozimi ndaj rreziqeve të ndryshme, vlerësohen në vijim.

Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2011, u shënua ulje e ritmeve të rritjes së ekonomisë botërore, e ndikuar veçanërisht nga ecuria e ekonomisë së vendeve të zhvilluara. Pasiguritë u shtuan për shkak të ashpërsimit të krizës së borxhit sovran në Eurozonë. Mesatarisht, rritja e aktivitetit ekonomik botëror gjatë vitit 2011 u ngadalësua në 3.8%, krahasuar me 5.2% në vitin 2010. Vendet e zhvilluara u rritën me 1.6%, në vijim të paqëndrueshmërisë së Eurozonës, ngadalësimit të kreditimit të ekonomisë reale nga bankat dhe efektit frenues mbi rritjen ekonomike të procesit të konsolidimit fiskal. Rritja ekonomike e vendeve në zhvillim u vlerësua 6.2%, sërish më e ulët se në vitin 2010. Për vitin 2012, parashikohet një ngadalësim i mëtejshëm i rritjes ekonomike botërore, ku vendet e zhvilluara pritet të rriten në masën 1.2%, ndërsa vendet në zhvillim pritet të rriten në masën 5.4%.

Në Eurozonë, aktiviteti ekonomik u ngadalësua si rezultat i rënies së shpenzimeve të konsumatorëve dhe dobësimit të kërkesës së brendshme në vendet e mëdha të bllokut. Norma e papunësisë u ngjit në 10.4% në fund të vitit ndërsa presionet inflacioniste u zbehën duke ardhur në rënie. Konsolidimi fiskal vazhdon të mbetet sfida kryesore e vendeve të Eurozonës, ndaj shumë prej tyre si Italia, Spanja, Franca etj., kanë deklaruar masat për të pakësuar më tej borxhet e larta të akumuluara dhe për të nxitur rritjen ekonomike. Aktiviteti ekonomik në rajonin e Evropës Qendrore e Lindore është gjallëruar gjatë gjysmës së dytë të vitit, por me ritme të ndryshme midis vendeve. Në vende si Bullgaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, ritmi i rritjes ekonomike u ngadalësua në tremujorin e tretë krahasuar me periudhat e mëparshme, kryesisht për shkak të rënies së kërkesës së jashtme dhe dobësimit të investimeve. Ndërsa vende si Polonia dhe Rumania vazhduan të kenë rritje të mirë ekonomike të mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme. Në rajonin e Ballkanit, Turqia dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë kanë regjistruar ritme më të larta të rritjes ekonomike.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës provuan një përshpejtim të rritjes ekonomike në gjysmën e dytë të vitit 2011 duke u mbështetur nga përmirësimi në investimet private, shpenzimet konsumatore dhe eksportet neto. Sidoqoftë, në terma vjetorë, rritja është ngadalësuar në 1.7% në vitin 2011, nga 3% në vitin 2010. Ecuria e tregut të pasurive të paluajtshme ka vazhduar të jetë e dobët, ndërsa norma e papunësisë shënoi rënie në tre muajt e fundit të vitit, duke u stabilizuar në vlerën 8.5% në fund të vitit.

Gjatë periudhës, ecuria e tregjeve financiare ndërkombëtare reflektoi vështirësitë e ekonomisë botërore dhe të agjentëve ekonomikë. Në Eurozonë, tregjet e parasë u karakterizuan nga luhatshmëri e ndjeshme dhe norma interesi në rritje. Për të zbutur tensionet, Banka Qendrore Evropiane përdori instrumente të ndryshme financimi për të rritur likuiditetin në treg, si dhe realizoi dy ulje të normës bazë të interesit me nga 25 pikë bazë, respektivisht në nëntor dhe në dhjetor, duke e zbritur normën bazë të interesit në nivelin 1%. Pavarësisht këtyre masave, në tremujorin e fundit të vitit, vëllimet e tregtimit në tregun ndërbankar mbetën përgjithësisht të ulëta dhe primet e rrezikut u rritën më shumë se në tregjet e tjera, duke reflektuar rritjen e rrezikut të kundërpartisë midis institucioneve financiare dhe midis bankave. Në tregjet e titujve shtetërorë të borxhit, presionet për rritjen e normave të kthimit (yield-eve) ishin të ndjeshme veçanërisht për vendet me nivele të larta të borxhit, si Italia, Spanja dhe Franca. Në tregjet e kapitalit, vijoi hezitimi i investitorëve për blerje të aksioneve dhe obligacioneve të firmave. Si rezultat, kostoja e financimit përmes tyre u rrit dhe ecuria e çmimeve në tregjet kryesore të aksioneve ishte e paqëndrueshme. Në tregjet e këmbimit të monedhave, investitorët u drejtuan drejt atyre të konsideruara si më të sigurta, si jeni japonez dhe franga zvicerane. Në këto kushte, monedha euro ka qenë përgjithësisht e paqëndrueshme ndaj valutave të tjera kryesore gjatë gjithë gjysmës së dytë të vitit. Në tregjet e lëndëve të para, çmimet kanë qenë përgjithësisht në rënie si rezultat i dobësimit të kërkesës globale. Gjithsesi, çmimet e naftës kanë pësuar rritje gjatë fundit të vitit, kryesisht për shkak të zhvillimeve në kahun e ofertës dhe të rritjes së rrezikut gjeopolitik në vendet prodhuese.

Treguesit e përfitueshmërisë për grupet e mëdha e komplekse bankare globale, ishin relativisht të qëndrueshëm. Normat e ulëta të interesit dhe zgjerimi i dobët i kredisë, u reflektuan në një rënie të ndjeshme të të ardhurave nga interesat në disa prej bankave. Përsa i përket grupeve bankare në Eurozonë, performanca financiare është përkeqësuar gjatë gjysmës së dytë të vitit 2011 , kryesisht për shkak të rritjes së rezervave për mbrojtjen nga rreziku i kreditit (provigjoneve) dhe rënies së theksuar të të ardhurave nga aktiviteti i tregtimit. Autoriteti Bankar Evropian kreu në tetor 2011 , ushtrimin e provës së rezistencës, i cili evidentoi nevojën për rritjen e kapitalit në këto banka në masën 11 4.7 miliardë euro. Për periudhën në vazhdim, pasiguria rreth zhvillimeve të ardhshme në tregjet e titujve shtetërorë në Eurozonë, do të vazhdojë të mbetet e lartë, dhe rreziku i përhapjes së krizës në vende të tjera të Eurozonës me nivele të larta të borxhit publik, mbetet i pranishëm. Nga ana tjetër, sektori bankar evropian përballet me nevojën për rritjen e kapitalit të cilësisë së lartë dhe rrezikun e rifinancimit të detyrimeve. Gjithashtu, burim të vazhdueshëm rreziku përbën edhe përkeqësimi i cilësisë së kredisë për sektorin privat, ndonëse nivelet e përkeqësimit janë të ndryshme në vende dhe institucione të ndryshme. Ecuria financiare e këtyre grupeve bankare, do të ndikohet pozitivisht nëse autoritetet evropiane zbatojnë disa masa të parashikuara për uljen e rrezikut sistemik në disa vende të Eurozonës.

Ekonomia shqiptare është rritur mesatarisht me 3.1% gjatë vitit 2011. Pas një ngadalësimi të normës së rritjes në tremujorin e dytë, ekonomia shënoi përmirësim të aktivitetit të saj gjatë tremujorit të tretë dhe të katërt të vitit. Sektorët e tregtisë dhe transportit vijojnë të mbështesin në mënyrë të qëndrueshme zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Ecuria e sektorit të industrisë ka shënuar luhatje gjatë vitit 2011 ndërkohë që sektori i ndërtimit ka shfaqur një përmirësim të lehtë të aktivitetit të tij gjatë gjashtëmujorit të dytë 2011 . Treguesit e tërthortë sugjerojnë se kontributi i konsumit dhe investimeve private në rritjen ekonomike gjatë vitit 2011 ka qenë i kufizuar. Edhe zhvillimet në përbërësin e shpenzimeve qeveritare dhe të tregtisë me jashtë reflektojnë ngadalësim të kontributit të tyre. Në fund të vitit 2011 , norma e papunësisë shënoi vlerën 13 .29% kundrejt 13 .49% në fund të vitit 2010. Ky përmirësim ka qenë i pamjaftueshëm për të mbështetur më tej konsumin dhe për të kthyer prirjen për kursim të familjeve, në kushtet e një pasigurie për zhvillimet ekonomike të ardhshme. Inflacioni mesatar vjetor në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011 rezultoi 2.9%, rreth 1.1 pikë përqindje më pak se në gjashtëmujorin e parë të vitit. Në kushtet e presioneve të kontrolluara inflacioniste, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në muajt shtator dhe nëntor, respektivisht me nga 0.25 pikë përqindje, në nivelin 4.75%, duke ofruar kushte monetare më të favorshme për nxitjen e aktivitetit ekonomik në vend. Deficiti buxhetor në fund të vitit 2011 , vlerësohet në masën 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pas rishikimit të buxhetit nga Qeveria në mes të vitit, gjashtëmujori i dytë u karakterizua nga ulje e të ardhurave dhe të shpenzimeve në një vlerë të konsiderueshme. Financimi i deficitit është kryer në pjesën më të madhe me burime të brendshme. Niveli i borxhit publik vlerësohet në masën 58.5% të PBB-së. Pas një rritjeje në gjashtëmujorin e parë të vitit, kohëzgjatja mesatare e borxhit ka thelluar prirjen rënëse duke shënuar në gjashtëmujorin e dytë nivelin më të ulët pas vitit 2008. Në fund të vitit 2011 , deficiti i llogarisë korrente rezultoi 12% e PBB-së, duke shënuar një rritje të lehtë në krahasim me fundin e vitit 2010. Deficiti tregtar rezultoi 22% e PBB-së, duke u ngushtuar me 1.5 pikë përqindje në krahasim me fundin e vitit 2010. Në fund të vitit 2011 , eksportet mbulonin 29.6% të importeve, krahasuar me një mesatare vjetore prej 36%. Llogaria kapitale dhe financiare është zgjeruar me 5.6% në terma vjetorë, duke financuar 80% të deficitit të llogarisë korrente. Në tregun e pasurive të paluajtshme, indeksi i çmimeve të banesave për Tiranën shënoi rritje me një ritëm më të ngadalësuar ndërsa indeksi i qirasë vijoi rënien. Nga ana tjetër, kreditimi për pasuri të paluajtshme është zgjeruar me 7.2% në terma vjetorë.

Në gjysmën e dytë të vitit 2011, gjendja financiare e individëve/familjeve dhe bizneseve, shfaqi të njëjtat prirje si në periudhën e mëparshme. Më konkretisht, individët kanë zgjeruar më tej pozicionin e tyre kreditor ndaj sistemit financiar, në vijim të rritjes së konsiderueshme të depozitave në krahasim me kreditë e përfituara. Pozicioni kreditor në valutë është zgjeruar më shpejt se ai në monedhën vendase. Ndërsa pozicioni i bizneseve vijon të mbetet thellësisht debitor dhe në pjesën dërrmuese të tij është në valutë. Kreditimi i sektorit të biznesit gjatë vitit 2011 ishte ndjeshëm më i lartë se ai i individëve. Ndërkohë, cilësia e kredisë për individët dhe bizneset ka rënë, por kjo rënie ka qenë më e lartë për bizneset.

Tregjet financiare në vend, kanë qenë të stabilizuara. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit, tregu ndërbankar ka njohur rritje të vlerave monetare të shkëmbyera në krahasim me periudhën e mëparshme. Sidoqoftë, në nivel vjetor ndryshimi ka qenë i papërfillshëm. Normat e interesit në treg kanë reflektuar nivelin e normës bazë të interesit të përcaktuar nga politika monetare, strukturën përkatëse të maturimit të transaksionit, si edhe luhatjet në kërkesën për likuiditet afatshkurtër të bankave. Gjatë periudhës, vëllimi i tregut primar të letrave me vlerë të borxhit të Qeverisë është zvogëluar kundrejt gjashtëmujorit të parë, duke reflektuar uljen e kërkesës për huamarrje nga ana e Qeverisë në gjysmën e dytë të vitit. Përbërja e borxhit të emetuar në tregun primar është dominuar nga letrat me vlerë të borxhit deri në 12 muaj, megjithëse rënia e emetimeve ka përfshirë si bonot e thesarit ashtu edhe notat/obligacionet. Norma mesatare e interesit për letrat me vlerë të borxhit të emetuara në gjashtëmujorin e dytë të vitit ka mbetur pranë niveleve të një viti më parë. Në krahasim me një vit më parë, norma mesatare e interesit ka shënuar rënie për bonot e thesarit dhe një rritje për notat/obligacionet. Tregu i tregtimit të letrave me vlerë të borxhit pas emetimit të tyre ka shënuar rritje por baza e krahasimit mbetet ende mjaft e ulët. Peshën më të madhe në stokun e letrave me vlerë të tregtuara në tregun sekondar e zënë bonot e thesarit me afat maturimi 12 muaj. Në tregun e këmbimeve valutore, leku është shfaqur i qëndrueshëm duke u nënçmuar lehtë ndaj euros dhe duke u mbiçmuar lehtë ndaj dollarit amerikan. Gjithashtu, luhatshmëria në tregtim ka qenë e ulët. Kursi i këmbimit të lekut ndaj valutave kryesore, ka reflektuar ndryshimet në kërkesë/ofertë si edhe zhvillimet në tregun ndërkombëtar të këmbimit të valutave. Në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit, diferenca mes normave të interesit për kreditë dhe depozitat për lekun, euron dhe dollarin amerikan, është ngushtuar duke reflektuar më tepër rënien e normës së interesit të kredisë në secilën monedhë.

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011, sistemi financiar zgjeroi më tej veprimtarinë e tij, duke vepruar në përputhje me treguesit kryesorë që përcakton kuadri mbikëqyrës. Aktivet e sektorit bankar shënuan një rritje vjetore prej 13 .7%, duke u ngjitur në nivelin 1,120.17 miliardë lekë. Kreditë janë rritur me 15.5% në terma vjetorë, duke zënë rreth 50% të aktiveve të totalit të bilancit të sektorit bankar. Depozitat janë rritur me 13 .2%, duke zënë 81 .4% të totalit të bilancit të sektorit bankar. Kreditë në valutë zënë rreth 68% të portofolit të kredive, ndërsa për depozitat ndarja është pothuaj e barabartë. Kohëzgjatja mesatare e kredisë ka rënë lehtë, ndërsa kohëzgjatja mesatare e depozitave është rritur. Në sajë të rritjes së kapitalit nga disa banka, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit u përmirësua në fund të periudhës duke u ngjitur në nivelin 15.6%. Vijimi i rritjes së depozitave me ritme të mira dhe zgjerimi i vlerës së aktiveve likuide në zbatim të kërkesave të kuadrit mbikëqyrës, tregojnë një situatë të kënaqshme të likuiditetit. Sidoqoftë, madhësia e rezultatit financiar pozitiv ka pësuar rënie të ndjeshme në fund të vitit, duke bërë që treguesit e kthimit mbi aktivet dhe mbi kapitalin të bien në krahasim me fundin e gjashtëmujorit të parë të vitit 2011 dhe fundin e vitit 2010. Nivelet e ulëta të kthimit nga investimet në tregjet ndërkombëtare, ngadalësimi i ritmeve të kreditimit, si edhe rritja e kostove operative, kanë qenë faktorë që kanë ndikuar në rënien e rezultatit financiar. Sidoqoftë, kontributin kryesor në këtë drejtim e ka dhënë rritja e fondeve rezervë për mbrojtjen nga rreziku i kreditit. Në fakt, cilësia e kredisë ka shënuar rënie, pothuaj në të gjitha kategoritë e saj. Raporti i kredisë me probleme ndaj totalit të kredisë shënoi vlerën 18 .8% në fund të vitit. Gjatë vitit 2011 , rritja e raportit të kredive me probleme ka qenë më e ngadaltë krahasuar me vitin 2010, por kjo i atribuohet kryesisht rritjes më të shpejtë të nivelit të përgjithshëm të kredisë.

Ecuria e sektorit bankar në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011 , vlerësohet edhe nëpërmjet Indeksit të Fortësisë Financiare. Vlera e indeksit është rritur me 3.2 njësi krahasuar me një gjashtëmujor më parë, por ka rënë lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e vlerës së indeksit reflekton rritje të nënindeksit të likuiditetit, të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe atij të ekspozimit ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit. Në ecurinë e indeksit kanë dhënë kontribut negativ nënindeksi i cilësisë së aktiveve, i përfitueshmërisë dhe ai i ekspozimit ndaj luhatjeve të normës së interesit.

Në muajin nëntor 2011 , u finalizuan me miratimin në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, disa ndryshime dhe plotësime në ligjin nr.9662, datë 18 .12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" të përgatitura nga Banka e Shqipërisë. Krahas disa plotësimeve në kuadër të një përcaktimi më të qartë të veprimtarisë me paranë elektronike dhe të institucioneve financiare përkatëse, në kuadër të një përafrimi më të mirë me direktivën përkatëse evropiane, ndryshimet synonin përcaktimin e rrezikut sistemik dhe fuqizimin e instrumenteve të Bankës së Shqipërisë për trajtimin e tij.

Rreziqet për sistemin financiar burojnë prej ndërveprimit të tij me mjedisin ekonomik rrethues dhe prej vetë veprimtarisë së tij. Në lidhje me ndikimin prej zhvillimeve makroekonomike, vlerësohet se stimuli fiskal dhe kontributi i kërkesës së huaj në rritjen ekonomike do të vijojnë të zvogëlohen. Politika fiskale është e nevojshme të vijojë procesin e konsolidimit, duke synuar mbajtjen e deficitit buxhetor në nivele të ulëta dhe uljen graduale të nivelit të borxhit publik. Gjithashtu, kërkesat për huamarrje duhet të konsiderojnë më mirë objektivin për rritjen e kohëzgjatjes mesatare të borxhit për të siguruar kushte më të përshtatshme të rifinancimit, duke përfshirë edhe një rishpërndarje më të mirë mes investitorëve institucionalë dhe individëve. Një vëmendje e posaçme i duhet kushtuar edhe ecurisë në kohë të detyrimeve në valutë, të cilat kërkojnë paraprakisht krijimin dhe administrimin e kujdesshëm të burimeve në valutë. Këta faktorë mund të theksojnë pritshmëritë e operatorëve ekonomikë për ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe mund të shtojnë mundësitë për pakësim të investimeve private dhe për konsum. Diferencat në ritmin e rritjes ekonomike dhe në normat reale të interesit mes vendit tonë dhe vendeve partnere në tregtinë me jashtë, do të kenë ndikim mbi ecurinë e deficitit tregtar dhe të llogarisë korrente, por kahu dhe masa e këtij ndikimi varen edhe nga faktorë të tjerë dhe mbetet e paqartë. Sidoqoftë, niveli i deficitit tregtar është i lartë dhe përbën një rrezik potencial për zhvillimet makroekonomike në vend. Ulja e tij mund të jetë e qëndrueshme vetëm nëse mbështetet me politika konsistente dhe afatgjata që stimulojnë prodhimin vendas dhe përmirësojnë konkurrueshmërinë e tij. Në afat të parashikueshëm, presionet inflacioniste mund të vijojnë të mbeten të dobëta, duke i dhënë më shumë mundësi autoritetit monetar të ruajë kushtet monetare akomoduese. Kushtet monetare akomoduese janë reflektuar në ecurinë e normës mesatare të interesit për depozitat në banka, por shkalla e përfitimit të operatorëve ekonomikë në treg nga ofrimi i kushteve më të favorshme monetare do të varej edhe nga gjendja e tyre financiare, si edhe nga sasia e kreditimit të sektorit bankar e niveli përkatës i normës së interesit.

Individët dhe bizneset janë të ekspozuar ndaj rrezikut të tërthortë të kreditit, por madhësia e ekspozimit është e ndryshme për shkak të gjendjes së tyre financiare. Për individët, ekspozimi ndaj lëvizjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit, buron kryesisht prej kredisë në valutë të marrë për blerje banese. Ndërsa ekspozimi ndaj lëvizjeve të pafavorshme në normën e interesit, vlerësohet se është ulur gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, për shkak të rënies së peshës së kredisë me normë të ndryshueshme interesi në totalin e kredisë për individët. Sidoqoftë, pozicioni kreditor i individëve ndaj sistemit financiar zbut efektin e këtyre rreziqeve. Për bizneset, ekspozimi ndaj rrezikut të lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit është rritur në gjysmën e dytë të vitit 2011 , si rezultat i rritjes së peshës së kredisë në valutë të pambuluar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, në kredinë totale në valutë. Megjithatë, rënia e cilësisë për këtë kategori kredish ka qenë më e ulët se rënia në vlerën e përgjithshme të kredisë për bizneset. Bizneset paraqiten me një ekspozim më të lartë edhe ndaj rrezikut të luhatjeve të pafavorshme në normën e interesit, për rastin e rritjes së tyre. Aftësia e bizneseve për të përballuar këto rreziqe, ndikohet edhe prej pozicionit të tyre debitor ndaj sistemit financiar.

Në lidhje me veprimtarinë e sistemit financiar, rreziku i drejtpërdrejtë dhe ai i tërthortë i kreditit përfaqësojnë rrezikun kryesor, veçanërisht për sektorin bankar. Ndonëse me ritme të ndryshme, cilësia e kredisë ka rënë për kredinë në lekë, për kredinë në valutë, për kredinë për sektorin e biznesit dhe për individët. Me përjashtim të sektorit të bujqësisë, sektorët e tjerë kanë shënuar rënie të cilësisë së kredisë, ku veçohet sektori i ndërtimit. Në përgjigje të kësaj situate, bankat kanë rritur nivelin e fondeve rezervë dhe kanë përforcuar procedurat standarde për dhënien dhe monitorimin e kredisë. Në këtë kuadër, konstatohet një përshpejtim i veprimeve të bankave për të kërkuar një zgjidhje të kredisë me probleme, duke përfshirë edhe rritjen e numrit të praktikave të kredisë që përcillen në gjykatë për ekzekutim të detyrimit. Këto veprime vlerësohen të nevojshme dhe ato duhet të jenë konsistente e të vazhdojnë në të ardhmen. Trajtimi i kredive me probleme në sektorin bankar, është i rëndësishëm për ritmin e dhënies së kredisë dhe kontributin e ardhshëm që mund të japë sektori bankar dhe sistemi financiar në zhvillimin ekonomik të vendit. Për këtë qëllim, kjo çështje u diskutua në mbledhjen e fundit të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF), ku u theksua se ajo duhet trajtuar me përparësi dhe në mënyrë të zgjeruar e të plotë. Ulja e nivelit të kredive me probleme është një hap i nevojshëm për të çliruar potencialin e konsiderueshëm që ka sektori bankar për financimin e projekteve të vlefshme të investimit që vijnë nga familjet dhe bizneset. Në këtë kuadër GKSF-ja vlerësoi rezultatet paraprake të punës së nisur nga një grup i posaçëm ndërinstitucional për identifikimin e zgjidhjeve ligjore dhe operacionale, të cilat lehtësojnë procesin e ekzekutimit të kolateraleve si dhe nxiti konkretizimin e tyre. Gjithashtu, GKSF vlerësoi që duhet të identifikohen dhe të zbatohen përmirësime të tjera rregullative dhe operacionale që lehtësojnë dhe përshpejtojnë procesin e trajtimit të kredive me probleme. Përmirësimi i gjendjes së likuiditetit të bizneseve do të ndikonte pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së kredisë të sektorit bankar. Për këtë arsye, GKSF-ja i sugjeroi Qeverisë që të ndikojë për kryerjen në kohë të pagesave ndaj kontraktorëve të sektorit privat, të cilët zbatojnë projekte të ndryshme të saj, në përputhje me përcaktimet ligjore për ruajtjen e treguesve fiskalë.

Sektori bankar paraqitet relativisht i mbrojtur nga rreziku i drejtpërdrejtë prej lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit. Një gjë e tillë diktohet prej pranisë në bilancin e sektorit bankar të nivelit të ulët të pozicionit të hapur në valutë dhe madhësisë së krahasueshme të aktiveve dhe të detyrimeve të ndjeshme ndaj normës së interesit. Megjithatë, sektori bankar paraqitet i ndjeshëm ndaj ndikimit që japin mbi klientët e tij lëvizjet në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit. Një nënçmim i ndjeshëm i kursit të këmbimit ose një rritje e tillë e normës së interesit, mund të dëmtojë aftësinë paguese të klientëve të sektorit bankar, veçanërisht të bizneseve. Një vëmendje e posaçme duhet t’i kushtohet kredisë në valutë dhe rreziqeve të saj, sidomos në rastet kur burimi kryesor i shlyerjes së saj është në monedhën vendase. Në një transaksion afatgjatë kredie, bankat dhe klientët e tyre duhet të arrijnë një vendimmarrje të arsyetuar në lidhje me ecurinë e normës së interesit në të ardhmen dhe zbutjen reciproke të rrezikut nëpërmjet përcaktimit të formës më të përshtatshme të kredisë.

Rreziku i likuiditetit për sektorin bankar, vlerësohet gjithashtu në nivele të moderuara. Depozitat përbëjnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar dhe ato janë rritur me ritme të mira. Kohëzgjatja mesatare e depozitave është rritur. Huamarrja nga jorezidentët mbetet në nivele të kontrolluara. Aktivet likuide të sektorit, në lekë dhe në valutat kryesore, janë rritur si rezultat i kërkesave më të larta rregullative. Raporti kredi ndaj depozitave, mbetet në nivele të mira dhe ofron hapësirën e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë. Bankat mund të plotësojnë nevojat për likuiditet afatshkurtër në tregun ndërbankar, si edhe duke marrë pjesë në operacionet e injektimit të likuiditetit që kryhen rregullisht nga Banka e Shqipërisë. Sidoqoftë, në këtë drejtim bankat duhet të tregojnë kujdes në administrimin e kolateraleve të përshtatshme për huamarrje në tregun ndërbankar.

Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë, janë përgjithësisht në nivele më të mira se në gjashtëmujorin e parë të vitit. Kontributin kryesor në këtë përmirësim e ka dhënë rritja e ndjeshme e kapitalit nga disa banka, në vijim të kërkesave mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, aftësia e sektorit bankar për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme, për të mbështetur rritjen e kapitalit dhe zhvillimin e veprimtarisë me burime të brendshme, ka nevojë të forcohet. Për këtë arsye, në kushtet e rritjes së shpenzimeve për rrezikun e kreditit, bankat duhet të mbajnë nën kontroll ecurinë e kostove operative.

Për të vlerësuar ndjeshmërinë e treguesve kryesorë të kapitalizimit të sektorit bankar ndaj lëvizjeve në treguesit makroekonomikë, Banka e Shqipërisë realizon rregullisht ushtrimet e provës së rezistencës. Ushtrimi përmban skenarin bazë dhe një ose më shumë skenarë të rrezikut. Skenarët përfshijnë supozime lidhur me lëvizjet në normën e rritjes së PBB-së, në nivelin e kursit të këmbimit dhe të normës së interesit, si edhe në nivelin e kreditimit, dhe shtrihen për një periudhë dyvjeçare, deri në fund të vitit 2013 . Rezultatet e ushtrimit tregojnë që në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm në rast të realizimit të supozimeve për treguesit përkatës. Niveli i kapitalizimit për të gjithë sektorin mbetet mbi nivelin minimal të kërkuar në rastin e skenarit bazë. Në rastin e skenarit më të rënduar që përfshin supozimin e ngadalësimit të kreditimit dhe uljen e normës së rritjes të PBB-së, sektori bankar mund të ketë nevojë për kapital shtesë. Banka të veçanta, paraqesin nevoja për kapital shtesë në skenarët e rënduar dhe në skenarin bazë. Në përgjithësi, veprimtaria bankare zhvillohet në një mjedis ekonomik të brendshëm dhe të jashtëm sfidues, ndaj bankat duhet të ndjekin me kujdes ecurinë e veprimtarisë së tyre për të identifikuar në kohë dhe për të përmbushur nevojat për kapital.

Infrastruktura teknike që mbështet veprimtarinë e sektorit bankar, vlerësohet të ketë funksionuar sipas parametrave të pritshëm. Kjo infrastrukturë përfaqësohet kryesisht nga sistemet e pagesave, ku procesohen të gjitha transaksionet që bankat tregtare kryejnë mes tyre, me klientët ose me Bankën e Shqipërisë, për vete ose në emër të klientëve të tyre. Për vitin 2011 , në krahasim me vitin 2010 vihet re rritja e numrit dhe vlerës së transaksioneve në sistemin e pagesave me vlerë të vogël (AECH), ndërsa ka një rënie të tyre në sistemin e pagesave me vlerë të madhe (AIPS). Rritja e kufirit të vlerës së klerimit të transaksioneve në sistemin AECH si dhe përdorimi më i ulët i instrumenteve financiare të Bankës së Shqipërisë nga ana e bankave, janë arsyet kryesore për rënien e transaksioneve në sistemin AIPS. Përdorimi i kartave të kreditit dhe të debitit ka shënuar gjithashtu rritje. Ritmi i rritjes së përdorimit ka qenë më i lartë për kartat e kreditit, për shkak të bazës më të ulët. Megjithatë, kartat e debitit zënë rreth 95% të kartave në qarkullim. Gjatë periudhës, bankat kanë shtuar më tej numrin e makinave elektronike të arkës (ATM) si edhe të pikave të pakicës ku mund të kryhen transaksione blerjeje me karta (POS). Në fund të vitit, 11 banka ofronin shërbimet e tyre për klientët nëpërmjet internetit. Numri i transaksioneve të kryera përmes kësaj teknologjie dhe vëllimi i tyre, ka shënuar rritje.