BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015

Data e publikimit: 15.04.2016

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006, "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015, aktiviteti ekonomik u zgjerua i mbështetur kryesisht nga kontributi pozitiv i investimeve private dhe eksporteve neto. Investimet publike dhe konsumi privat patën një ecuri më të dobët. Rritja ekonomike ende nuk është përkthyer në ulje të normës së papunësisë. Politika fiskale vijoi prirjen e saj konsoliduese dhe financimi i deficitit buxhetor u realizua kryesisht me burime të huaja financiare.

Politika monetare lehtësuese është reflektuar në rënien e interesave mesatare për huamarrje në tregun ndërbankar, në tregun e parasë, në produktet bankare dhe në tregun e titujve të borxhit të qeverisë. Luhatshmëria në kursin e këmbimit të lekut ka qenë e ulët, duke reflektuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe ndryshimet e kërkesës dhe ofertës për valutë në tregun e brendshëm. Tregu i emetimit të titujve të borxhit të qeverisë dhe tregu ndërbankar, kanë funksionuar sipas pritshmërive, duke u mbështetur nga operacionet e nevojshme të administrimit të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë. Në botë, vijuan përpjekjet e autoriteteve për të rigjallëruar kreditimin dhe rritjen ekonomike, përmes ruajtjes së një mjedisi me norma të ulëta interesi dhe kushte të bollshme likuiditeti. Megjithatë, tregjet ndërkombëtare reflektojnë paqëndrueshmëri, si rezultat i brishtësisë së rritjes ekonomike në vendet e zhvilluara dhe dobësisë ekonomike të vendeve në zhvillim.

Veprimtaria e sistemit financiar në vend ishte e qëndrueshme gjatë vitit, duke u vlerësuar në 101.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Megjithë zgjerimin e totalit të aktiveve të sektorit bankar me 1.9% gjatë vitit 2015, pesha e tyre ndaj PPB-së vlerësohet se ka zbritur në 91.3%. Në sektorin bankar, zgjerimi i veprimtarisë u mbështet nga investimet ndërbankare. Depozitat e sektorit u rritën në nivel vjetor me 2.6%, ndikuar nga rritja e depozitave në valutë. Në rritjen e depozitave gjatë periudhës, kontributin kryesor e dhanë bizneset, por pesha e depozitave të individëve në totalin e depozitave mbetet e lartë. Individët kanë zgjeruar më tej investimet e tyre në titujt e borxhit të qeverisë, veçanërisht në ata afatgjatë. Dinamika e kreditimit është ndikuar thelbësisht nga procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bilanci i sektorit bankar, vlerësuar  me rreth 27 miliardë lekë. Procesi ka përfshirë kryesisht kreditë në valutë dhe ato për biznesin. Si rezultat, teprica e përgjithshme e kredisë u tkurr me 1.5% në nivel vjetor. Gjatë vitit, teprica e kredisë në lekë u rrit me 2.6% ndërsa ajo në valutë zbriti me 4%. Në fund të vitit, raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë, zbriti në nivelin 18.2%. Përmirësim të cilësisë kanë shënuar të gjitha segmentet përbërëse të portofolit të kredisë. Gjatë periudhës, performanca financiare e sektorit bankar u përmirësua në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kryesisht si rezultat i kontrollit mbi kostot e veprimtarisë. Kontributin kryesor në rezultatin financiar të sektorit e dhanë bankat më të mëdha.

Indekset që përpiqen të përmbledhin rreziqet e ndryshme dhe të vlerësojnë ecurinë e rrezikut sistemik, tregojnë për një lehtësim të tyre gjatë periudhës, dhe përmirësim të qëndrueshmërisë së sistemit financiar. Megjithatë, zhvillimet në mjedisin ekonomik dhe financiar, të brendshëm dhe të jashtëm, përmbajnë disa sfida ndër të cilat veçojmë:

a)  Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë, si ai i kreditit dhe i tregut, mbetet i ngjashëm me periudhat e kaluara, ndaj vëmendja e sektorit bankar rreth tyre duhet të jetë e vazhdueshme. Megjithë rënien e kredive me probleme dhe përmirësimin e mbulimit të tyre me provigjione dhe me kapital, problemet me përqendrimin e tyre dhe ngadalësimi i ritmit të kreditimit tregojnë që perceptimi i sektorit bankar për rrezikun e kreditit është i konsiderueshëm. Rigjallërimi i kreditimit, veçanërisht ai në lekë, është një tipar i dëshirueshëm që po mbështetet më mirë nga ulja e normës mesatare të interesit. Ndërsa tkurrja e kreditimit në valutë reflekton nevojën për një ekuilibër më të mirë të strukturës së kreditimit, si edhe rreziqet shtesë me të cilat shoqërohet kreditimi në valutë. Ky i fundit, mbetet kanali kryesor përmes të cilit lëvizjet e pafavorshme të kursit të këmbimit mund të rrezikojnë aftësinë paguese të huamarrësve dhe të cenojnë më tej cilësinë e portofolit të kredisë së bankave.

Në tërësi, Banka e Shqipërisë vlerëson që fokusi i industrisë bankare duhet të jetë në identifikimin e saktë dhe provigjionimin në kohë dhe në mënyrë të plotë të kredive me probleme. Për këtë çështje, Banka e Shqipërisë do të intensifikojë veprimtarinë mbikëqyrëse, ndërkohë që do të kontribuojë maksimalisht në realizimin e planit ndërinstitucional të veprimit për zgjidhjen e kredive me probleme. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë vlerëson se mbështetja e produkteve të kreditimit në lekë për sektorin privat, duhet të realizohet në mënyrë të përshtatshme për të ekuilibruar strukturën e portofolit të kredisë dhe kontrolluar rreziqet e tregut. Mbështetja e kreditimit në lekë nga bankat, mbetet një nga alternativat për të fuqizuar burimet e të ardhurave në kushtet e veprimit në një mjedis me norma të ulëta interesi. Rigjallërimi i kreditimit, përveç të tjerash, do të kërkojë edhe realizimin e një strukture më të favorshme të burimeve të financimit të bankave, në drejtim të zgjatjes së afatit të tyre të maturimit. Një vëmendje e vazhdueshme duhet të tregohet edhe për vlerësimin dhe trajtimin e rrezikut operacional në veprimtarinë bankare, ku fokusi duhet të jetë tek plotësimi dhe përsosja e sistemeve të kontrollit.

b)  Procesi i ekzekutimit të detyrimit gjatë arkëtimit të kredisë me probleme është shoqëruar me rritjen graduale të vëllimit të pasurive të paluajtshme që po transferohen në bilancin e sektorit bankar. Marrja e këtyre aktiveve në bilancin e bankave është një tregues i vështirësisë së procesit, i cili duket se nuk nxit siç duhet interesin e blerësve potencialë të këtyre kolateraleve gjatë ankandit përkatës. Ndërkohë, rritja e vlerës së këtyre aktiveve në bilancin e sektorit bankar tregon, nga njëra anë, se funksionimi i tregut të pasurive të paluajtshme është problematik dhe nga ana tjetër, që bankat duhet të investojnë më shumë për profilizimin, marketimin dhe identifikimin e mekanizmave që lehtësojnë gjetjen e blerësve potencialë dhe mundësojnë shitjen sa më të shpejtë të këtyre aktiveve. Administrimi për një kohë të gjatë i aktiveve të tilla nuk është një aktivitet tipik për bankat tregtare, dhe shoqërohet me kosto njerëzore dhe financiare për veprimtarinë e tyre. 

Megjithëse niveli aktual i këtyre aktiveve në bilancin e sektorit bankar është i përballueshëm, Banka e Shqipërisë vlerëson se është e nevojshme që autoritetet të vijojnë përpjekjet për të përmirësuar procesin e ekzekutimit të detyrimit, duke u përqendruar kryesisht në identifikimin dhe zbatimin e mekanizmave që nxisin pjesëmarrjen në ankand të një numri sa më të madh blerësish potencialë. Më në përgjithësi, duhen gjetur instrumente që përmirësojnë funksionimin e tregut të pasurive të paluajtshme dhe që plotësojnë kuadrin ligjor për zgjerimin dhe vlefshmërinë e llojeve të aktiveve që përdoren për sigurimin e huadhënies nga sektori bankar. Gjithashtu, duhet që bankat të vijojnë në mënyrë të qëndrueshme përpjekjet për shitjen e këtyre aktiveve, dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për krijimin e infrastrukturës së brendshme që ndihmon në këtë proces. Për sa kohë që këto aktive do të jenë në bilancin e sektorit bankar, bankat duhet të kujdesen për vlerësimin e tyre të rregullt sipas standardeve përkatëse dhe të krijojnë fondet e nevojshme rezervë për lëvizjet e mundshme në vlerën e këtyre aktiveve. Duke qenë se administrimi i këtyre portofoleve nuk është një veprimtari e mirëfilltë e një banke tregtare, bankat duhet të vlerësojnë në vijim nevojën dhe përfitimin që këtë proces t'ia kalojnë subjekteve jobankare më të specializuara, sipas të gjitha formave që njeh kuadri ligjor. Banka e Shqipërisë do ta mbështesë këtë proces bazuar në analizën që do të bëjnë bankat rast pas rasti dhe brenda përgjegjësive të saj ligjore.

c)  Rënia e përgjithshme e normave të interesit në treg, do të rrisë presionin mbi performancën financiare të sektorit bankar dhe të institucioneve financiare në përgjithësi. Deri tani, rënia e normave të kthimit nga investimet e bankave (në aktiv), është kompensuar nga rënia, në një masë më të madhe, e shpenzimeve të veprimtarisë, kryesisht të atyre për interesa (në pasiv). Megjithatë, hapësira për rënien e mëtejshme të këtyre të fundit është kufizuar ndjeshëm dhe në rast të vijimit të rënies së normës mesatare të kthimit nga investimi, marzhi neto i interesave për sektorin bankar do të bjerë duke ndikuar negativisht në rezultatin financiar neto. Rënia e mundshme e rezultatit financiar dobëson aftësinë e bankave për të mbështetur veprimtarinë bankare me burimet e veta, duke shtuar ngarkesën tek aksionerët për rritje kapitali.

Ndonëse ky proces nuk është i menjëhershëm, Banka e Shqipërisë vlerëson se bankat duhet të përfshijnë në strategjitë e tyre të zhvillimit, përdorimin e fitimit të vitit 2015, kryesisht për fuqizimin e pozicionit të tyre të kapitalit, dhe njëherazi të përshpejtojnë veprimet për rigjallërim të kreditimit në vend, kur parametrat për normën e kthimit dhe nivelin e rrezikut janë të pranueshme.

d)  Zhvillimet ekonomike dhe financiare ndërkombëtare mbeten të paqëndrueshme. Me gjithë masat e marra nga bankat qendrore dhe autoritetet e tjera, ekonomia e Eurozonës mbetet dukshëm nën potencialin e saj të rritjes, ku kreditimi është i dobët dhe procesi i pastrimit të bilanceve të bankave ende nuk është konsoliduar. Si rezultat, procesi i ristrukturimit të veprimtarisë së grupeve bankare evropiane, me qëllim fuqizimin e pozicionit të kapitalit dhe përqendrimin në tregje apo produkte me kthyeshmëri më të lartë, pritet të vazhdojë. Në praktikë, ky proces do të përfshijë veprime për ndryshimin e shtrirjes së rrjetit të tyre në vende të ndryshme, largimin nga veprimtari të caktuara që kanë kosto relativisht të lartë dhe shkrirjen mes tyre me qëllim krijimin e sinergjive që sigurojnë një veprimtari më eficiente në treg. Në vitet e para pas fillimit të krizës financiare ndërkombëtare, këto procese kanë ndikuar edhe në vendin tonë, kryesisht në drejtim të tërheqjes së bankave të caktuara nga veprimtari specifike. Aktualisht, mbetet e paqartë se në ç'masë dhe në ç'formë ky proces do të shfaqet në të ardhmen në rajonin ose në vendin tonë.

Duke qenë se informacioni konkret për këto çështje është shumë i pakët, Banka e Shqipërisë do të ndjekë me vëmendje situatën për të identifikuar se si mund të ndikohet sektori ynë bankar dhe sistemi financiar nga këto zhvillime. Banka e Shqipërisë do të thellojë bashkëpunimin me bankat qendrore dhe autoritetet mbikëqyrëse në rajon dhe në Eurozonë, për të siguruar shkëmbimin e informacionit dhe ndërmarrjen e veprimeve në mënyrë të harmonizuar. Brenda vendit, do të ketë një komunikim të vazhdueshëm me industrinë bankare dhe me autoritetet e tjera publike, për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që ruajnë stabilitetin e sistemit tonë financiar.

Në përgjithësi, Banka e Shqipërisë vlerëson se gjendja financiare e sektorit bankar dhe qëndrueshmëria e tij është e mirë. Kapacitetet absorbuese ndaj goditjeve të ndryshme mbetën të qëndrueshme gjatë periudhës, pasi treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit janë në nivele të mira. Megjithatë, rreziqet e pranishme sugjerojnë që rezultati i mirë financiar i vitit 2015, të përdoret për fuqizimin e tyre të mëtejshëm. Gjendja e mirë e sektorit bankar dhe rezistenca e tij ndaj goditjeve të supozuara, konfirmohet edhe nga ushtrimi i provës së rezistencës, sipas skenarëve makroekonomikë dhe rreziqeve të ndryshme për situatën e likuiditetit.