BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2017

Data e publikimit: 26.04.2018

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar; dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Në raportin e stabilitetit financiar dhe në këtë deklaratë që e paraprin, vlerësohet ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve që burojnë prej ndërveprimit të tij me zhvillimet ekonomike, të jashtme dhe të brendshme, me agjentët e ekonomisë reale, me tregjet financiare në vend, si edhe ndaj rreziqeve që lidhen me mënyrën se si sektori bankar zhvillon veprimtarinë e tij. Në vijim, këto rreziqe përballen me gjendjen financiare të sektorit bankar dhe stresohen nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës, për të vlerësuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet në ekonominë reale dhe tregjet financiare gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017 (më tej, ‘periudha’), mbështetën zgjerimin e veprimtarisë së sistemit financiar në vend. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë ishte më i kufizuar, ku evidentohet përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së portofolit të kredisë në të gjithë elementet përbërëse. Ekspozimi ndaj rreziqeve të tjera është në nivele të administrueshme, por ka nevojë të vlerësohet në mënyrë të kujdesshme në vijimësi. Si rezultat, mundësitë e sektorit bankar për të zgjeruar më tej ndërmjetësimin financiar dhe përmirësuar treguesit e eficiencës së veprimtarisë, janë përmirësuar. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet e veprimtarisë, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizimit dhe përfitueshmërisë, mbetet e plotë. Në vijim të këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm.

Zhvillimet në mjedisin ekonomik dhe financiar

Gjatë periudhës, zhvillimet në ekonominë botërore kanë qenë pozitive dhe të qëndrueshme. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka qenë me bazë të gjerë dhe i harmonizuar mes rajoneve. Rritja është mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit dhe vijimi i politikave stimuluese, ndërsa rikuperimi i çmimeve të naftës ka ndihmuar rigjallërimin ekonomik të vendeve eksportuese. Kushtet në tregjet financiare kanë qenë të favorshme, pavarësisht divergjencave në politikat monetare të bankave kryesore qendrore. Presionet inflacioniste në nivel botëror kanë qenë përgjithësisht të ndrydhura, por kanë shfaqur herë pas here prirje rritëse, mbështetur edhe nga rikuperimi i çmimeve të naftës. Në tregjet financiare, titujt e kapitalit kanë vijuar të rriten, ndërsa ecuria e titujve të borxhit ka qenë më e luhatshme. Edhe në rajonin e Ballkanit, është vënë re një rritje më e shpejtë ekonomike dhe përmirësim i treguesve të papunësisë. Kreditimi mbetet përgjithësisht i ulët, ndonëse është shënuar përparim i dukshëm në drejtim të uljes së nivelit të kredive me probleme. Kushtet monetare lehtësuese dhe investimet kryesisht private, pritet të mbështesin rritjen ekonomike botërore edhe gjatë vitit 2018. Rreziqet kryesore për rritjen ekonomike në nivel global, vijnë nga tensionet gjeopolitike, mundësitë e zbatimit të politikave mbrojtëse në marrëdhëniet tregtare veçanërisht në ekonomitë e zhvilluara, si edhe mundësia që tregjet të përballen me korrektime të shpejta e të papritura.

Në ekonominë e vendit, ritmi i rritjes ruajti nivele të mira gjatë vitit 2017. Në fund të tremujorit të katërt, norma vjetore e rritjes ekonomike shënoi vlerën 3.36%, me kontribut pozitiv nga degët e sektorëve të shërbimeve dhe prodhimit. Kërkesa agregate vijoi të mbështetet në zgjerimin e konsumit final të popullatës dhe në formimin e kapitalit fiks. Në tremujorin e fundit të vitit, kontributi pozitiv në rritjen ekonomike nga ngushtimi i deficitit të llogarisë gjatë tre tremujorëve të mëparshëm, u ndërpre. Në tregun e punës, norma e papunësisë zbriti më tej, në nivelin 13.4%. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë mbeti akomoduese gjatë gjithë periudhës në kushtet kur presionet inflacioniste mbetën të moderuara. Ndonëse në vlerë absolute, deficiti buxhetor për 2017 rezultoi më i lartë se një vit më parë, pesha e borxhit publik ndaj prodhimit të brendshëm bruto (PBB) ka rënë. Në tregjet financiare, normat e interesit reflektuan përgjithësisht gjendjen e qëndrueshme të likuiditetit. Në tregun primar të titujve të borxhit të qeverisë, norma mesatare e interesit tregoi ndryshime të vogla gjatë periudhës, por e përfundoi atë në nivele disi më të larta se një vit më parë, me kontributin kryesor nga ecuria e normës mesatare të interesit për bonot e thesarit. Megjithë rritjen e vëllimeve në tregun ndërbankar, norma mesatare e interesit qëndroi pranë nivelit të normës bazë të politikës monetare. Në tregun e pasurive të paluajtshme, vrojtimet tregojnë se vlerësimet e pjesëmarrësve të tregut janë më optimiste. Norma mesatare e interesit për kredinë për pasuri të paluajtshme ka shënuar një rënie të lehtë. Gjatë periudhës, në tregun e këmbimit të monedhave, u vu re një mbiçmim i Lekut ndaj Dollarit amerikan dhe një nënçmim i lehtë i tij ndaj Euros.

Gjendja e likuiditetit të individëve dhe ndërmarrjeve (bizneseve) u përmirësua gjatë periudhës. Pozicioni neto kreditor i individëve është rritur në kushtet e rritjes më të shpejtë të depozitave në valutë, ndërsa pozicioni neto debitor i ndërmarrjeve është ulur, për shkak të rritjes më të shpejtë të depozitave në Lek. Në terma vjetorë, ndryshe nga prirja gjashtëmujore, individët shfaqin një ngushtim të lehtë të pozicionit kreditor me kontribut nga pozicioni kreditor në monedhën vendase. Ndërsa, ndërmarrjet regjistrojnë sërish ngushtim të pozicionit debitor, në sajë edhe të rënies së kredisë në monedhë të huaj. Tek individët, rritja e kredisë gjatë periudhës është realizuar pothuaj vetëm në Lek dhe cilësia e kredisë është përmirësuar në të dyja monedhat. Raporti i kredive me probleme për individët ka zbritur me 2.6 pikë përqindje kundrejt fundit të vitit të kaluar, duke shënuar nivelin 7.6% në fund të vitit 2017. Për ndërmarrjet, portofoli i kredisë ka shënuar një rënie të lehtë vjetore, e diktuar nga largimet e kredive të humbura nga bilancet e bankave, kryesisht në valutë. Si rezultat, në strukturën e stokut të kredisë për ndërmarrjet, pesha e kredisë në monedhën vendase është rritur. Edhe për ndërmarrjet, cilësia e kredisë është përmirësuar ndjeshëm gjatë periudhës. Raporti i kredive me probleme për ndërmarrjet, zbriti në nivelin 16.9% në fund të vitit, rreth 6 pikë përqindje më i ulët se një vit më parë. Për të vlerësuar në mënyrë më të plotë gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve dhe të ndërmarrjeve, Banka e Shqipërisë kryen dy vrojtime të posaçme me frekuencë gjashtëmujore, në bashkëpunim me Institutin e Statistikave. Për periudhën, përgjigjet e ndërmarrjeve të mëdha e të mesme tregojnë për një përmirësim të aksesit të tyre në financim, ndërsa për ndërmarrjet e vogla ky vijon të jetë një proces më i vështirë. Në përgjithësi, si ndërmarrjet ashtu edhe familjet tregojnë se kanë aktualisht një oreks të ulët për të marrë borxh.

Veprimtaria e sistemit financiar është zgjeruar gjatë periudhës. Raporti i aktiveve të sistemit financiar ndaj PBB-së vlerësohet të jetë ngjitur në 102.6%, duke qenë rreth 0.5 pikë përqindje më i lartë se në qershor të 2017-ës, por më i ulët në krahasim me një vit më parë. Rritja e peshës së sistemit financiar ndaj PBB-së ka ardhur si pasojë e zgjerimit të aktivitetit të pothuaj të gjitha segmenteve përbërëse, duke përfshirë: bankat; institucionet financiare jobanka; shoqëritë e sigurimit; dhe fondet e investimeve. Struktura e aktiveve të sistemit financiar mbizotërohet nga bankat, aktivet e të cilave zënë rreth 93% të aktiveve të sistemit. Gjatë periudhës, pesha e sektorit bankar u ngjit në 92.5% të PBB-së. Në zgjerimin e veprimtarisë së sektorit bankar ndikoi kryesisht zgjerimi i veprimeve ndërbankare. Në terma të treguesve të shëndetit financiar, sektori bankar u karakterizua nga nivele më të larta kapitalizimi, përfitueshmërie dhe likuiditeti. Ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit bankar ndaj sektorit jobankar vlerësohet i ulët, ndërkohë që, performanca e sektorit bankar mbetet me rëndësi kritike për aktivitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit jobankar. Në strukturën e aktiveve të sektorit jobankar, investimet në titujt e borxhit të qeverisë zënë një peshë të konsiderueshme dhe kanë ardhur në rritje gjatë vitit 2017.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë

Në lidhje me rreziqet e veprimtarisë me të cilat përballet sektori bankar, Banka e Shqipërisë vlerëson si më poshtë.

a)          Përmirësimi i cilësisë së kredisë gjatë periudhës ka ulur rrezikun e kreditit. Në fund të vitit 2017, kreditë me probleme treguan një rënie vjetore prej 27.5% ose 30.2 miliardë lekësh. Si rezultat, raporti i kredive me probleme zbriti me 5.1 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë, duke shënuar nivelin 13.2%. Në uljen e kredive me probleme, kontributi i veprimeve të bankave që lidhen me arkëtimin dhe ristrukturimin e kredive, ka qenë më i lartë në krahasim me kontributin e dhënë nga largimi i këtyre kredive nga bilancet e bankave. Ulja e kredive me probleme është shfaqur në të gjitha kategoritë përbërëse, duke përfshirë edhe kredinë në valutë të pambrojtur nga lëvizjet në kursin e këmbimit. Në kreditë ekzistuese me probleme, cilësia më e dobët shfaqet në kredinë në valutë dhe kredinë për ndërmarrjet. Pakësimi i kredive me probleme është shoqëruar me përmirësimin e masës së mbulimit të tyre me kapital, ndërsa mbulimi me provigjione dhe kolateral ka shfaqur ndryshime të papërfillshme.

             Rritja e kontributit të veprimeve që lidhen me ristrukturimin, ndikon pozitivisht në qëndrueshmërinë e prirjes rënëse të kredive me probleme përgjatë kohës. Në veprimtarinë e saj mbikëqyrëse, Banka e Shqipërisë do të nxisë bankat ta zhvillojnë këtë proces në mënyrë sa më efektive, që nga ky proces të përfitojnë vetëm subjektet që kanë projekte të vlefshme financiare dhe përqendrimi i kredive me probleme të përshpejtojë rënien. Në kuadër të kredisë së re, është e nevojshme që bankat të ndjekin me vëmendje rritjen e ekspozimit në sektorë të caktuar, për të siguruar plotësimin e kërkesave rregullative për standarde të shëndosha të kredidhënies dhe diversifikim sa më të mirë të portofolit të kredive.

b)            Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë bankare mbetet i ulët. Raportet e aktiveve likuide, në Lek dhe valutë, ndaj detyrimeve afatshkurtra, janë ndjeshëm mbi nivelet minimale të kërkuara nga kuadri rregullator. Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë së bankave mbeten depozitat, të cilat mbulojnë gati dy herë vëllimin e kredive të sektorit.

                Në strukturën e burimeve të financimit të sektorit bankar, vijon rritja e depozitave pa afat dhe e llogarive rrjedhëse, kundrejt rënies së depozitave me afat. Sidoqoftë, rreziku i kësaj strukture financimi paraqitet i kufizuar në kushtet kur depozitat e sektorit bankar mbizotërohen nga kursimet e individëve duke qenë të mirëshpërndara, depozitat me afat ruajnë peshën kryesore në strukturën e depozitave të sektorit bankar dhe ritmi i rënies së tyre në vitet e fundit është ngadalësuar ndjeshëm. Në depozitat me afat, vlera e atyre me maturim mbi dy vjet vijon të rritet. Por, struktura aktuale e burimeve të financimit kufizon aftësinë e sektorit bankar për të financuar projektet afatgjata, të cilat lidhen kryesisht me investimet e familjeve dhe ndërmarrjeve, duke ndikuar negativisht në eficiencën e veprimtarisë së tij.

c)            Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut, ndonëse ka ardhur në rënie gjatë periudhës, mbetet i rëndësishëm. Rreziku i drejtpërdrejt i kursit të këmbimit, mbetet i kufizuar, në kushtet kur lëvizjet në pozicionet e hapura valutore në bilancet e bankave kanë treguar luhatshmëri të ulët ndaj sjelljes së tyre afatgjatë. Rreziku i tërthortë i kursit të këmbimit, shfaq një rënie të lehtë në kushtet e uljes së vlerës së kredisë në valutë të pambrojtur nga lëvizjet e pafavorshme në kursin e këmbimit. Në fund të periudhës, kjo kredi zbriti në 24.6% të totalit të kredisë dhe vijon të mbizotërohet nga kredia për ndërmarrjet. Kjo rënie është inkurajuese dhe pritet të ndikohet më tej pozitivisht nga një ndërgjegjësim më i mirë i publikut dhe bankave, në vijim edhe të masave të miratuara nga Banka e Shqipërisë më 7 shkurt 2018, në kuadër të procesit të de-euroizimit.

                Në lidhje me ndikimin e lëvizjeve në normën e interesit, sektori bankar mbetet i ekspozuar ndaj luhatjeve të normës së interesit. Sidoqoftë të dhënat e fundit të periudhës tregojnë se ky ekspozim paraqitet relativisht më i kufizuar. Në mjedisin aktual me norma të ulëta të interesit, të dhënat për ecurinë e aktiveve me rrezik dhe për afatet mesatare të maturimit të aktiveve, tregojnë se përgjithësisht sektori bankar nuk ka shfaqur rritje të preferencës për investime me tipare më të larta të rrezikut në dy vitet e fundit. Nga këndvështrimi i administrimit të rreziqeve, kjo sjellje është pozitive. Megjithatë, ajo është e diktuar në një masë të konsiderueshme nga ngadalësimi i ndjeshëm i kreditimit, duke sugjeruar nevojën që analiza e rreziqeve të shtrihet për një afat më të gjatë dhe të përfshijë ndikimin e kësaj sjelljeje në eficiencën e veprimtarisë.

d)            Potenciali i zhvillimit të tregut bankar në vend ka nevojë të zgjerohet. Ky është një proces me rëndësi, në mënyrë që sektori bankar të mbetet tërheqës për investitorë strategjikë institucionalë dhe që kontributi i tij në zhvillimin ekonomik të vendit të përmirësohet në afat të gjatë. Vlerësimi i bankave që operojnë në treg për potencialet e tregut bankar vendas, mund të perceptohet nga rezultatet e vrojtimit që kryen rregullisht Banka Evropiane e Investimeve me grupet bankare evropiane që operojnë në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore. Për rajonin, grupet bankare evropiane shprehen më optimiste për zgjerim të ekspozimit të tyre në rajon, gjatë vitit 2018. Duke u përqendruar tek Shqipëria, grupet bankare që operojnë në vend e konsiderojnë potencialin e tregut në drejtim të performancës financiare si mesatar. Gjithashtu, shumica dërrmuese e tyre vlerësojnë se pozicionimi i tyre në treg është i kënaqshëm ose optimal. Vlerësimi i mirë për pozicionimin në treg dhe pritjet mesatare që kanë në drejtim të performancës së tregut shqiptar, sugjerojnë një gatishmëri të moderuar të tyre për t’u angazhuar në veprime që mbështesin zgjerimin e veprimtarisë përmes blerjes së bankave të tjera në vend. Megjithatë, vlerësimi i tyre për tregun shqiptar, në krahasim me një vit më parë, është përmirësuar. Arsye për këtë mund të jenë përmirësimet në rritjen ekonomike dhe stabiliteti makroekonomik, si edhe përmirësimi i cilësisë së kredisë së sektorit bankar, në kushtet e veprimeve aktive të autoriteteve publike dhe të industrisë bankare për këtë qëllim. Si rezultat, treguesit e performancës financiare të sektorit bankar janë përmirësuar. Është e kuptueshme që tregu shqiptar do të bëhet edhe më tërheqës për bankat evropiane nëse këto procese vijojnë me ritmin e duhur. Me rëndësi në këtë rast mund të jetë edhe përshpejtimi i procesit të adoptimit të standardeve evropiane, në kuadër të veprimtarisë bankare dhe financiare në përgjithësi, duke përmirësuar konkurrueshmërinë e tregut shqiptar për bankat e huaja. Në këtë drejtim, miratimi i ligjit “Për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë” në fund të vitit 2016, përfaqësoi një kontribut konkret. Më tej, Banka e Shqipërisë është duke punuar edhe në drejtim të adoptimit të disa elementeve të rëndësishme që përmban standardi i Bazel III për procesin mbikëqyrës, për administrimin e rrezikut të likuiditetit dhe të rrezikut sistemik.

Rreziqet për stabilitetin financiar

Për vlerësimin e rreziqeve sistemike është analizuar ecuria e treguesve që lidhen me materializimin dhe me akumulimin e rrezikut sistemik, me nivelin e stresit në sistemin financiar dhe me perceptimin e industrisë bankare lidhur me ekspozimin e veprimtarisë bankare ndaj rrezikut sistemik. Gjithashtu, harta e stabilitetit financiar synon të realizojë një qasje të konsoliduar të vlerësimit për rreziqet ndaj stabilitetit financiar.

Harta e stabilitetit financiar, indekset e materializimit dhe akumulimit të rrezikut sistemik, si dhe indeksi i stresit financiar, përgjithësisht tregojnë rreziqe më të kontrolluara për stabilitetin financiar. Kontribut pozitiv në këtë drejtim kanë dhënë: rritja ekonomike; ulja e normës së papunësisë; ulja e raportit të borxhit publik; luhatshmëria e ulët e kursit të këmbimit; dhe përmirësimi i disa treguesve të sektorit bankar që lidhen kryesisht me rezultatin financiar dhe përmirësimin e cilësisë së aktiveve. Nga ana tjetër, kontribut negativ kanë dhënë rritja e vlerës së deficitit buxhetor në fund të vitit dhe ngadalësimi i rritjes së depozitave në sektorin bankar. Përgjigjet e bankave në vrojtimin përkatës, tregojnë se ato perceptuan nivele më të ulëta të rreziqeve sistemike gjatë periudhës, dhe pritshmëritë janë përgjithësisht pozitive.

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet vlerësohet duke analizuar gjendjen e tij të kapitalizimit dhe të përfitueshmërisë, si edhe duke provuar përshtatshmërinë e këtyre treguesve në skenarë stresi, nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës.

Në fund të periudhës, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shënoi nivelin 16.6%, duke qenë 0.6 pikë përqindje më i lartë se niveli i fundit të vitit 2016, dhe dukshëm mbi nivelin minimal të kërkuar për këtë tregues prej 12%. Përmirësimi në treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit është diktuar nga rritja më e lartë e vlerës së kapitalit rregullator, në krahasim me rritjen e aktiveve të peshuara me rrezik të sektorit bankar. Rezultati financiar i sektorit u përmirësua gjatë periudhës. Treguesit e rentabilitetit të sektorit - kthimi mbi aktivet (RoA) dhe kthimi mbi kapitalin (RoE) - rezultuan përkatësisht 1.6% dhe 15.7%, duke qenë përkatësisht 0.9 pikë përqindje dhe 8.9 pikë përqindje më të lartë se një vit më parë. Në performancën financiare të sektorit evidentohet që ndikimin pozitiv e ka dhënë rënia e shpenzimeve për provigjione lidhur me rrezikun e kredisë, duke ritheksuar ndjeshmërinë e sektorit bankar ndaj vijueshmërisë së këtij procesi. Ndërkohë, rezultati financiar nga veprimtaria kryesore e ndërmjetësimit financiar, në formën e të ardhurave neto nga interesat, ka vijuar të bjerë. Rënia e të ardhurave neto nga interesat ka reflektuar rënien e normave të kthimit nga investimet, me ritme më të shpejta se rënia e shpenzimeve përkatëse, në kushtet e operimit për një kohë relativisht të gjatë në një mjedis me norma të ulëta interesi. Pavarësisht rënies me 0.3 pikë përqindje në terma vjetorë, gjatë periudhës, bankat ruajtën treguesin e marzhit neto nga interesat rreth nivelit 3.9%.

Përshtatshmëria e treguesve të mësipërm është verifikuar gjatë ushtrimit të provës së rezistencës, me skenarë që supozonin ndryshime të pafavorshme në treguesit makroekonomikë dhe financiarë për periudhën 2018-2019. Si edhe më parë, pjesë e supozimeve ekstreme, por me një probabilitet të ulët ndodhjeje, në skenarin e rënduar përfshiheshin: tkurrja e ekonomisë; tkurrja e kredisë; rritja e shpejtë e normave mesatare të interesit; dhe nënçmimi i fortë i kursit të këmbimit. Krahas ushtrimit të provës së rezistencës me skenarë makroekonomikë, u kryen edhe disa ushtrime të tjera. Më konkretisht, treguesit e performancës së sektorit bankar u testuan në drejtim të luhatshmërisë së vlerës së pasurive të paluajtshme që bankat kanë marrë në bilancet e tyre, në vijim të zgjidhjes së kredive me probleme dhe të luhatshmërisë së normave të interesit. Gjithashtu, në nëntor 2017, bankat ofruan të dhëna që ishin të nevojshme për realizimin e ushtrimit të provës së rezistencës për rrezikun e likuiditetit.

Në përgjithësi, rezultatet e testeve të mësipërme tregojnë se sektori bankar mbetet i kapitalizuar dhe me performancë të mirë, në skenarët që përmbajnë supozime më pranë realitetit. Gjendja e likuiditetit të sektorit bankar konfirmohet e mirë. Në skenarët më ekstremë, banka të veçanta dhe sektori bankar do të kishin nevojë për rritje të kapitalit.

Mbështetur në këtë analizë, Banka e Shqipërisë vlerëson se gjendja e kapitalizimit dhe e përfitueshmërisë së bankave paraqitet aktualisht e përshtatshme për të përballuar rreziqet e veprimtarisë. Si edhe më parë, nevojitet që bankat të analizojnë dhe testojnë aftësinë e tyre për të përballuar rreziqet e ndryshme, në mënyrë të rregullt, në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës.