BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2011

Data e publikimit: 11.04.2012

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Sistemi financiar dhe sektori bankar, nëpërmjet veprimtarisë së tyre të ndërmjetësimit financiar, japin një kontribut të çmuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e shoqërisë. Por veprimtaria bankare shoqërohet me disa rreziqe që lidhen me mjedisin ekonomik rrethues dhe me vetë zhvillimin e veprimtarisë. Këto rreziqe duhen analizuar dhe vlerësuar, për të siguruar trajtimin në kohë të tyre dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar.

Referuar zhvillimeve në mjedisin ekonomik rrethues, vlerësohet se megjithë rritjen e mirë ekonomike në pjesën e parë të vitit, pritshmëritë për rritjen ekonomike në pjesën e mbetur të vitit janë më të pasigurta, në kushtet e ngadalësimit të pritshëm të rritjes së ekonomisë botërore, mungesës së hapësirës për një politikë fiskale stimuluese dhe presionit mbi kontributin e konsumit dhe të investimeve në rritjen ekonomike për shkak të rritjes së prirjes për kursim nga ana e familjeve. Nëse ekonomia ngadalësohet, kjo mund të ndikojë negativisht në vëllimin e aktivitetit dhe në vendimet për zgjerimin e investimeve nga bizneset, duke frenuar rigjallërimin e kërkesës për kredi bankare.

Referuar ecurisë së vetë sistemit financiar, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2011, gjendja e sistemit financiar dhe e sektorit bankar vlerësohet e qëndrueshme. Sektori bankar vijon të mbizotërojë në aktivitetin e sistemit financiar, ka zgjeruar më tej veprimtarinë dhe ka rritur peshën e tij në ekonominë e vendit. Situata e likuiditetit paraqitet e mirë në kushtet kur rritja e depozitave të publikut vijon me ritme të kënaqshme, ato mbulojnë më shumë se një herë vlerën e kredive dhe huamarrja nga jorezidentët është në nivele të ulëta. Ritmi i rritjes së kredisë po përmirësohet, por cilësia e portofolit të kredisë ka vijuar të bjerë. Sektori bankar ruan ritme të qëndrueshme të rritjes së të ardhurave neto nga interesat dhe të fitimit operativ bruto. Por rritja e nevojshme e fondeve rezervë për mbulimin e rrezikut të kreditit, ka ndikuar në rënien e rezultatit financiar neto të sektorit bankar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, rezultati financiar vijon të mbetet pozitiv dhe i përqendruar. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ka ardhur në rënie, ndonëse mbetet dukshëm mbi nivelin minimal të kërkuar nga kuadri rregullativ.

Gjenerimi i pamjaftueshëm i rezultatit financiar pozitiv dhe rënia e mjaftueshmërisë së kapitalit, kanë rritur ndjeshmërinë e sektorit bankar ndaj rreziqeve të ndryshme, siç konfirmohet edhe nga ushtrimet e provës së rezistencës. Ndër këto rreziqe, sektori bankar paraqitet më i mbrojtur nga rreziqet e drejtpërdrejta të tregut, por mbetet i ekspozuar ndaj efektit mbi cilësinë e kredisë të lëvizjeve të padëshiruara në kursin e këmbimit dhe në normat e interesit. Rreziku i kreditit, përfaqëson burimin kryesor të rrezikut për sektorin bankar. Për këtë çështje, nëpërmjet funksionit të saj mbikëqyrës Banka e Shqipërisë ka kërkuar nga bankat tregtare që ato të sigurojnë paralelisht identifikimin e saktë dhe në kohën e duhur të kredive me probleme dhe krijimin e fondeve përkatëse rezervë, si edhe të realizojnë veprime të vendosura për rikuperimin e vlerave të kredive të humbura nëpërmjet ekzekutimit të kolateraleve. Këto veprime, të kombinuara me masat për uljen e mëtejshme të kostove operative, do të krijonin gradualisht kushtet për gjenerimin e një rezultati financiar të qëndrueshëm dhe pozitiv, i cili do të mbështeste më mirë nevojat afatmesme për kapital të sektorit bankar.

Në një afat më të shkurtër, Banka e Shqipërisë vlerëson dhe ka kërkuar që sektori bankar duhet të fuqizojë kapitalizimin e veprimtarisë, nëpërmjet rritjes së kapitalit nga aksionerët. Banka e Shqipërisë e ka orientuar dhe monitoruar nga afër këtë proces, në mënyrë që ai të kryhet në përputhje me strategjitë e zhvillimit të veprimtarisë bankare dhe ecurinë e rreziqeve përkatëse. Procesi i forcimit të treguesve të kapitalizimit në sektorin bankar përfshin krijimin e madhësive të mjaftueshme të kapitalit mbi nivelin minimal të kërkuar. Procesi vijon të ecë sipas përcaktimeve në komunikimin që Banka e Shqipërisë ka zhvilluar me sektorin bankar. Si rezultat i këtyre masave, sektori bankar do të mbetet i qëndrueshëm dhe do të krijojë kushtet për rritjen e kontributit të tij në zhvillimin ekonomik të vendit.