BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2013

Data e publikimit: 17.11.2013

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë. 

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2013, gjendja dhe ecuria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar u paraqit e qëndrueshme. Treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë bankare ishin në nivele të kënaqshme, ndonëse fitimi i veprimtarisë ishte në nivele më të ulëta. Vëllimi i aktivitetit vijoi të ngadalësohej në kushtet e rritjes më të ngadaltë të depozitave dhe rritjes së dobët të kreditimit. Cilësia e portofolit të kredisë ka vijuar të përkeqësohet dhe një pjesë e rëndësishme e fitimit operativ të sektorit ka shkuar për krijimin e fondeve të nevojshme rezervë për mbrojtjen nga rreziku i kredisë. Kuadri makroekonomik ka qenë i qëndrueshëm, megjithë ritmet e ulëta të rritjes ekonomike. Ai është karakterizuar nga një luhatshmëri e ulët në kursin e këmbimit, presione të dobëta inflacioniste megjithë lehtësimin e politikës monetare, dhe rënie e ndjeshme e kostos së huamarrjes së qeverisë pavarësisht rritjes së deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Vëllimi i tregtimit dhe numri i transaksioneve në tregjet financiare kanë qenë të qëndrueshme. Për sektorin bankar, rreziku i kreditit përfaqëson sfidën më të rëndësishme të veprimtarisë. Ndikimi i disa masave me natyrë ligjore dhe operative për administrimin më të mirë të këtij rreziku nga ana e sektorit bankar, pritet të jetë më i dukshëm në të ardhmen e afërt. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut dhe të likuiditetit mbetet i kufizuar.

Në vijim paraqitet në mënyrë të përmbledhur analiza e zhvillimeve në mjedisin ekonomik rrethues, të brendshëm dhe të jashtëm, si edhe në vetë sistemin financiar.

Në gjysmën e parë të vitit 2013, ekonomia botërore ka vijuar të rritet por ecuria ekonomike ka treguar diferenca të dukshme midis rajoneve. Në vendet e zhvilluara, zhvillimet ekonomike kanë qenë më të stabilizuara, duke shfaqur një përmirësim relativ në tremujorin e dytë të vitit. Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vijuar të rritet e mbështetur nga politikat akomoduese monetare, zhvillimet pozitive në tregun e punës dhe përmirësimi i tregut të pasurive të paluajtshme. Ekonomia e Eurozonës shënoi rritje në tremujorin e dytë të vitit duke zbutur normën vjetore të tkurrjes së ekonomisë. Politikat monetare mbetën thellësisht lehtësuese duke ndikuar në stabilizimin e veprimtarisë së tregjeve financiare. Megjithatë, tensioni në këto tregje është rritur pas njoftimit të Rezervës Federale të SHBA-së për ulje të mundshme të masës së stimulimit monetar gjatë vitit të ardhshëm. Si rezultat, ka pasur rritje të normave të interesit në emetimet më afatgjata të letrave me vlerë të borxhit publik dhe privat, duke rritur shqetësimin për ndikimin e këtyre zhvillimeve në rritjen ekonomike. Kontributi në rritjen ekonomike botërore i vendeve në zhvillim vijon të mbetet mbizotërues por ai ka ardhur në rënie. Vlerësohet se në këtë ecuri ka ndikuar edhe zbehja e ndikimit të politikave mbështetëse publike. Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë shfaqur ecuri të ndryshme, ku vendet me sektor eksporti më të zhvilluar kanë shfaqur ecuri më të mirë. Kushtet e kreditimit në këtë rajon vijojnë të mbeten të shtrënguara edhe për shkak të uljes së ekspozimit nga bankat e Eurozonës. Vendet e Evropës Juglindore, përgjithësisht kanë treguar një përmirësim relativ të ecurisë ekonomike ndikuar kryesisht nga përmirësimi i bilanceve të tregtisë së jashtme. Megjithatë, ato vijojnë të shfaqin vështirësi të rritura në tregun e punës, rënie të mëtejshme të kreditimit nga sektori financiar dhe ulje të mëtejshme të cilësisë së saj. Në nivel botëror, presionet inflacioniste vijojnë të jenë të dobëta, megjithë një prirje të lehtë rritëse të shfaqur në vendet e zhvilluara, reflektuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve djegëse. Qëndrueshmëria e hendekut të prodhimit, nivelet e larta të papunësisë dhe ecuria e çmimit të lëndëve të para e të ushqimeve, pritet të ruajnë nivele të dobëta inflacioniste edhe për të ardhmen e parashikueshme.

Në nivel botëror, rritja ekonomike pritet të mbetet modeste gjatë gjysmës së dytë të vitit 2013 dhe të rigjallërohet disi në vitin e ardhshëm. Politikat fiskale do të vijojnë të japin një kontribut negativ në ecurinë e kërkesës agregate për shkak të nevojës për konsolidim fiskal në mjaft vende. Konsumi privat do të vijojë të mbetet i ndrydhur, i ndikuar nga kushtet ende të dobëta në tregun e punës, paqëndrueshmëria në ecurinë e pasurive të paluajtshme, si edhe kushtet e shtrënguara të kreditimit. Kristalizimi i një prirjeje ngadalësuese në ecurinë e disa ekonomive të mëdha në zhvillim, do të ndikojë negativisht në rritjen e ekonomisë botërore. Në këto kushte, presionet inflacioniste pritet të mbeten të dobëta.

Ekonomia e vendit ka vijuar të rritet me ritme të ngjashme me periudhën e mëparshme, e mbështetur kryesisht nga stimuli fiskal dhe kërkesa e huaj. Vlerësohet se në tremujorin e parë të vitit 2013, ekonomia shqiptare u rrit mesatarisht me 1.7%. Si edhe në periudhën e mëparshme, sektorët e ekonomisë që kanë dhënë kontribut pozitiv në rritjen ekonomike ishin industria, bujqësia dhe shërbimet. Sektori i ndërtimit ka vijuar kontributin negativ në rritjen ekonomike, por ai ka qenë në nivele më të ulëta. Me ndikim negativ në rritjen ekonomike janë paraqitur edhe sektori i transportit dhe ai i tregtisë. Gjatë periudhës, kërkesa e jashtme dha një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike, duke sjellë ulje të deficitit të llogarisë korrente dhe atij tregtar. Eksportet kanë patur një ecuri të mirë, ndikuar nga produktet energjetike dhe ato minerare. Konsumi dhe investimet private vijojnë të jenë të dobëta, ndërkohë që norma e papunësisë mbetet relativisht e qëndrueshme. Gjatë periudhës, politika fiskale ka qenë dukshëm ekspansioniste, si rezultat i rritjes së shpenzimeve fiskale, përtej nivelit të planifikuar dhe rënies së të ardhurave. Nivelet më të larta të deficitit buxhetor, janë financuar kryesisht me burime të brendshme, dhe me një kosto që ka ardhur në rënie. Kohëzgjatja mesatare e borxhit vijoi të rritet për shkak të rritjes më të shpejtë të vlerës së emetimeve të borxhit me afat maturimi më të gjatë se 12 muaj. Gjatë periudhës, në kushtet e presioneve të ulëta inflacioniste, Banka e Shqipërisë ndoqi një politikë monetare lehtësuese, duke ulur normën e interesit të transaksioneve të riblerjes me afat maturimi njëjavor. Ky qëndrim i politikës monetare synon krijimin e kushteve më të mira për mbështetjen e konsumit dhe të investimeve private, përmes uljes së kostove të financimit në monedhën kombëtare. Për aktivet jo financiare, gjatë periudhës vijoi rënia e njëkohshme dhe me ritme të ngjashme e indeksit të çmimit të banesave dhe e atij të qirasë. Kjo ecuri është shoqëruar me rritjen e kostos relative të pagesës së kredisë për pasuri të paluajtshme, megjithë prirjen rënëse të normës së interesit të kredisë për pasuri të paluajtshme. Të kombinuara, këto informacione sugjerojnë për vijimin, në mënyrë më të qëndrueshme, të prirjes rënëse të çmimit të banesave.

Gjatë periudhës, pozicioni financiar dhe ndjeshmëria ndaj rreziqeve e individëve dhe bizneseve është zbutur me ritme të ulëta. Pozicioni kreditor i individëve është thelluar me ritme më të ngadalësuara, në kushtet kur diferenca mes rritjes së depozitave dhe të kredive ka qenë më e vogël. Kontributin kryesor në këtë ecuri e ka patur rritja e kreditimit në monedhë kombëtare. Cilësia e kredisë për individët ka ardhur në rënie, pothuaj për të gjithë përbërësit e saj. Ekspozimi i individëve ndaj ndryshimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit ka rënë në krahasim me fundin e vitit 2012, por mbetet në nivele më të larta se një vit më parë. Ekspozimi i individëve ndaj ndryshimeve të pafavorshme në normën e interesit nuk paraqet ndryshime të rëndësishme në krahasim me periudhën e mëparshme. Tek bizneset, pozicioni debitor mbetet në nivele të larta, por ai ka vijuar rënien e nisur në periudhën e mëparshme në kushtet e rritjes së depozitave të bizneseve në banka dhe mungesës së rritjes së kreditimit. Pozicioni debitor ndikohet kryesisht nga veprimtaria në valutë. Ndonëse stoku i kredive me probleme tek bizneset ka vijuar rënien e nisur në periudhën paraardhëse, raporti i kredive me probleme tek bizneset është rritur për shkak të ndalimit të kreditimit, ndikuar nga tkurrja e kreditimit në valutë. Ekspozimi i bizneseve ndaj ndryshimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit, ndonëse mbetet në nivele të larta, është zvogëluar më tej gjatë periudhës.

Në tregjet financiare, vëllimi i veprimtarisë ka shënuar një prirje rritëse, ndërsa normat e interesit kanë thelluar ecurinë rënëse. Në tregun e emetimit të titujve të borxhit të qeverisë, është konstatuar rritja e preferencës së pjesëmarrësve për emetimet e borxhit me afat maturimi mbi 12 muaj. Normat e interesit kanë thelluar rënien e nisur në periudhën e mëparshme në të gjithë strukturën e emetimit të borxhit, duke reflektuar uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe gjendjen e bollshme të likuiditetit të disponueshëm për këto investime në banka, në kushtet e ngadalësimit të ndjeshëm të kredisë për sektorin privat. Në tregun sekondar të titujve të borxhit, vëllimet e tregtimit shënuan një rritje të lehtë krahasuar me periudhën paraardhëse, por ato vlerësohen të ulëta dhe janë të përqendruara vetëm tek bonot e thesarit. Në tregun ndërbankar, vëllimi i aktivitetit është rritur ndjeshëm, pothuaj duke u dyfishuar në krahasim me një vit më parë. Transaksionet me afat maturimi njëditor zënë peshën kryesore në numrin e transaksioneve. Normat e interesit në transaksionet ndërbankare kanë reflektuar ecurinë e normës bazë të interesit, duke qëndruar poshtë saj. Në tregun e këmbimeve valutore, leku është paraqitur relativisht i qëndrueshëm gjatë periudhës, duke u nënçmuar lehtë ndaj euros dhe duke u mbiçmuar ndaj dollarit amerikan.

Infrastruktura teknike që mbështet veprimtarinë e sektorit bankar, ka vijuar të funksionojë normalisht dhe baza ligjore që rregullon veprimtarinë e saj është përmirësuar. Gjatë periudhës, sistemet e pagesave AIPS dhe AECH, kanë operuar në përputhje me kushtet teknike për të plotësuar nevojat e sektorit bankar në shlyerjen e transaksioneve të pagesave në monedhën kombëtare. Në sistemin e transaksioneve me vlerë të madhe, AIPS, është konstatuar një rritje e vëllimit dhe vlerës së transaksioneve, duke u shoqëruar edhe me një rritje të vlerës për transaksion. Në sistemin e transaksioneve me vlerë të vogël, AECH, numri i transaksioneve dhe vlera e tyre ka shënuar rënie. Në të dy sistemet, transaksionet në emër të klientëve të bankave zënë peshën kryesore në numrin dhe në vlerën e transaksioneve. Sipas bankave, veprimet që kryejnë 4 bankat më të mëdha në këto sisteme, përfaqësojnë rreth 2/3 e numrit dhe të vlerës së transaksioneve të procesuara. Gjatë periudhës, u miratua dhe hyri në fuqi ligji i ri "Për sistemin e pagesave", i cili vendos standarde më të larta për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e sistemit kombëtar të pagesave. Këto standarde do të zbatohen në licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e pjesëmarrësve në sistemin kombëtar të pagesave, si edhe në rregullimin dhe mbikëqyrjen e instrumenteve të pagesave. Ligji saktëson veprimet që duhen ndjekur për të kufizuar ndikimin në sistemet e pagesave dhe më tej në stabilitetin financiar, të situatave të paaftësisë paguese të një pjesëmarrësi në sistem. Në këtë frymë, ligji zgjeron hapësirat për përdorimin e formave të ndryshme të kolateralit financiar dhe përcakton të drejtat e mbajtësit të kolateralit për ta zotëruar/ekzekutuar atë me shpejtësi në rastin kur pala tjetër në transaksion është në kushtet e paaftësisë paguese.

Gjatë periudhës, sistemi financiar ka rritur më tej peshën e tij në aktivitetin ekonomik të vendit. Niveli i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri, i llogaritur si raport i aktiveve të sistemit financiar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vlerësohet në nivelin 95.4% në fund të qershorit 2013, nga 93.9% në fund të vitit të kaluar dhe 92.8% një vit më parë. Vëllimi i aktiveve të institucioneve financiare u rrit me rreth 2.1% krahasuar me një gjashtëmujor më parë dhe rreth 5.1% krahasuar me një vit më parë. Sektori bankar mbetet segmenti kryesor i ndërmjetësimit financiar, aktivet e të cilit përfaqësojnë rreth 92.6% të totalit të aktiveve të sistemit financiar në tërësi dhe rreth 88.9% të PBB-së.

Në kushtet e ngadalësimit të mëtejshëm të veprimtarisë, sektori bankar tregoi nivele të kënaqshme të kapitalizimit dhe të likuiditetit, por fitimi i veprimtarisë ishte më i ulët se një vit më parë. Në sektorin bankar, totali i aktiveve të sektorit u ngjit në 1,204 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 1.4% në krahasim me fundin e vitit 2012 dhe 3.4% në krahasim me një vit më parë. Në krahun e aktiveve, zëri me rritjen kryesore ka qenë ai që përmbledh veprimet në tregun ndërbankar dhe atë të letrave me vlerë, duke reflektuar kryesisht rritjen e pjesëmarrjes së sektorit në ankandet e titujve të borxhit të qeverisë. Financimi i veprimtarisë është siguruar prej rritjes së depozitave nga publiku, ndonëse me ritme më të ulëta. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj subjekteve jorezidente, është i ngjashëm me periudhën paraardhëse duke reflektuar një varësi të ulët të sektorit bankar ndaj burimeve të huaja të financimit. Ritmi i rritjes vjetore të kredisë është ngadalësuar ndjeshëm duke zbritur në 1.3%, pavarësisht një performance më të mirë të kredisë për pasuri të paluajtshme dhe për konsum, të dhënë për individët. Për shkak të vijimit të tkurrjes së kredisë në valutë në terma vjetorë, kontributin e vetëm në rritjen vjetore të kredisë e ka dhënë kredia në lekë, e cila është rritur me 9.2%. Gjatë periudhës, rritja e stokut të kredisë shënoi 0.8 miliardë lekë, krahasuar me rreth 5.1 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia e re e sektorit bankar gjatë periudhës ka qenë 16% më e ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në fund të qershorit 2013, raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë shënoi vlerën 24.2%, krahasuar me 22.5% që shënonte në fund të vitit 2012 dhe 21.1% një vit më parë. Për kredinë në lekë, raporti shënoi vlerën 20.1%, me një rritje prej 2.1 pikë përqindje prej qershorit 2012. Për kredinë në valutë, raporti shënoi vlerën 26.5%, me një rritje prej 3.9 pikë përqindje prej qershorit të vitit të kaluar. Depozitat shënuan vlerën 991.4 miliardë lekë, duke u rritur me 4.9% prej një viti më parë. Rritja vjetore për depozitat në lekë ishte 7.2%, ndërsa për depozitat në valutë ishte 2.3%.

Në nivel sektori, vërehet një rezultat financiar pozitiv, me një fitim neto të akumuluar prej 1.5 miliardë lekësh, në krahasim me 2.4 miliardë lekë që shënonte një vit më parë. Në rezultatin financiar, "të ardhurat neto nga interesat" arritën vlerën 19 miliardë lekë, duke qenë 3.9% më të ulëta se një vit më parë. Ndërkohë, provigjionet për humbjet nga kreditë janë rritur me rreth 7.9 miliardë lekë, rreth 11.5% më të ulëta se një vit më parë. Gjatë periudhës, kapitali i paguar u rrit me rreth 6.3 miliardë lekë. Kapitali rregullator u ngjit në nivelin 105.8 miliardë lekë, me një rritje prej 1.6%, dhe aktivet me rrezik zbritën në nivelin 622.3 miliardë lekë, me një rënie prej 3.3%. Si rezultat, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit u ngjit në 17.0%.

Rreziqet për sistemin financiar burojnë prej ndërveprimit të tij me mjedisin ekonomik rrethues dhe prej vetë veprimtarisë së tij.

Në lidhje me ndikimin e zhvillimeve makroekonomike në ecurinë e sektorit bankar, ndikimi i politikës fiskale mbetet i rëndësishëm edhe gjatë periudhës së ardhshme, pavarësisht realizimit të pjesës më të madhe të deficitit vjetor të planifikuar dhe financimit të tij. Nëse qeveria i përmbahet ligjit të buxhetit për vitin 2013, nevojat/hapësirat për huamarrje më të ulët në periudhën e mbetur deri në fund të vitit, mund të rrisin stimujt në sektorin bankar për të kredituar më shumë sektorin privat. Nga ana tjetër, hapësira e kufizuar e politikës fiskale për të marrë një pozicion më aktiv në shlyerjen e detyrimeve publike ndaj sektorit privat gjatë këtij viti fiskal, do të kufizojë burimet e nevojshme financiare të cilat biznesi mund t'i përdorë për të shlyer detyrimet ndaj sektorit bankar. Sidoqoftë, duket se në çdo rast ndikimin më të madh politika fiskale do të duhet ta japë vitin e ardhshëm, ku mundësitë për të konsideruar këtë problematikë do të jenë më të mëdha. Nga ky këndvështrim, vlerësohet se objektivi kryesor i politikës fiskale duhet të jetë rivendosja e besimit të agjentëve ekonomikë në qëndrueshmërinë e politikës dhe të treguesve fiskalë. Në këtë kuadër është e rëndësishme vendosja në afat të shkurtër e një rregulli fiskal të qëndrueshëm, që të përcaktojë kufijtë maksimalë të borxhit publik në afat të mesëm dhe të mundësojë rikthimin e këtij treguesi në një prirje të qëndrueshme rënëse. Gjithashtu, politika për zgjatjen e kohës mesatare të maturimit të borxhit publik duhet të vijojë të jetë një objektiv qendror, pavarësisht veprimeve operacionale afatshkurtra që synojnë maksimizimin e përfitimit nga rënia e kostos së huamarrjes. Si edhe në deklaratën e mëparshme, vlerësojmë se monitorimi me kujdes i ecurisë së detyrimeve në valutë, është një tjetër element i rëndësishëm në politikës fiskale. Përcaktimi i veprimeve për sigurimin, në kohën e duhur dhe me kosto të pranueshme, të burimeve në valutë për përballimin e këtyre detyrimeve, kontribuon në shmangien e pasigurive në treg dhe në nxitjen e stabilitetit financiar.

Në veprimtarinë e sistemit bankar, rreziku i kreditit përfaqëson sfidën kryesore. Prania e stokut të lartë të kredive me probleme në bilancin e bankave rrit koston e veprimtarisë së bankave, dëmton aftësinë e tyre për të realizuar ndërmjetësimin financiar dhe kërkon një përdorim të shtuar e joeficient të kapaciteteve të tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka pasur një qëndrim të qartë në raport me industrinë bankare dhe me autoritetet e tjera publike që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e këtij problemi. Në çdo rast, është theksuar roli kyç që luan sektori bankar me politikat që ai zbaton për njohjen e klientit, për dhënien dhe për monitorimin e kredisë. Nga ana tjetër, duke identifikuar nevojat për përmirësim në kuadrin ligjor dhe rregullativ përkatës, Banka e Shqipërisë së bashku me Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Drejtësisë, përgatitën disa ndryshime ligjore që përmirësojnë procesin e ekzekutimit të kolateralit. Këto ndryshime pritet të hyjnë në fuqi në muajin shtator të këtij viti. Nga ana tjetër, komunikimi me sektorin bankar, tregon se ndikimi i masave të miratuara nga Banka e Shqipërisë në maj të këtij viti, do të shfaqet më i dukshëm në pjesën e dytë të tij. Së fundi, në treg janë shfaqur edhe transaksionet e para që mundësojnë transferimin e kredive me probleme nga bankat drejt subjekteve financiare jobanka që zgjedhin të veprojnë për arkëtimin e tyre. Për aq sa ka mundësi, Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, që ky instrument të forcohet më tej. Për këto arsye, sektori bankar pritet të ketë mundësi më të mëdha në administrimin e rrezikut të kredisë në gjysmën e dytë të vitit dhe në vazhdim. Banka e Shqipërisë do të vlerësojë në vazhdimësi nevojën për veprime shtesë që nxisin industrinë bankare drejt zgjidhjes së qëndrueshme të këtij problemi.

Sektori bankar paraqitet i mbrojtur ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë prej lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit, por ndjeshmëria është rritur . Pozicioni i hapur në valutë i sektorit bankar është brenda niveleve historike, dhe vlerat e aktiveve e të detyrimeve të ndjeshme ndaj normës së interesit janë të krahasueshme. Megjithatë, sektori bankar paraqitet i ndjeshëm ndaj ndikimit që japin mbi klientët e tij lëvizjet në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit. Një nënçmim i ndjeshëm i kursit të këmbimit ose një rritje e tillë e normës së interesit, mund të dëmtojë aftësinë paguese të klientëve të sektorit bankar, veçanërisht të sektorit të biznesit. Kanali kryesor i transmetimit të këtij rreziku përfaqësohet nga kredia në valutë kur burimi kryesor i shlyerjes së saj është në monedhën vendase, dhe nga kredia me normë të ndryshueshme të interesit.

Rreziku i likuiditetit për sektorin bankar, vlerësohet gjithashtu në nivele të moderuara. Si edhe më parë, depozitat përbëjnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar dhe ato janë rritur me ritme të mira, ndonëse më të ngadalësuara, edhe gjatë periudhës së kaluar. Huamarrja nga jorezidentët mbetet në nivele të kontrolluara. Aktivet likuide të sektorit, në lekë dhe në valutat kryesore, janë mbi nivelet minimale që kërkohen nga kuadri rregullativ, dhe vlerat negative te diferencave mes aktiveve likuide dhe detyrimeve afatshkurtra sipas periudhave të maturimit deri në një vit, kanë shfaqur rënie. Raporti "kredi/depozita", për shkak edhe të ngadalësimit të kreditimit, është në nivele optimale.

Treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë janë aktualisht në nivele të kënaqshme por bankat duhet të vlerësojnë me kujdes skenarët e mundshëm të zhvillimeve të ardhshme dhe nevojat e tyre për kapital shtesë. Gjatë kësaj periudhe, kontributin kryesor në ecurinë e kapitalizimit të veprimtarisë, e ka dhënë ngadalësimi i rritjes së aktiveve të ponderuara me koeficientët e rrezikut. Problemet me cilësinë e kredisë, si edhe rënia e normave të interesit në treg, kanë ulur më tej rezultatin financiar pozitiv të sektorit. Në këto kushte, mundësitë e sektorit bankar për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme në mënyrë që të mbështesë rritjen e kapitalit dhe zhvillimin e veprimtarisë me burime të brendshme, është më e vogël. Nga ana tjetër, mbulimi me kapital i kredisë me probleme neto është ulur. Për këto arsye, si edhe më parë, vlerësimi i kujdesshëm dhe proaktiv i nevojave për kapital shtesë në përputhje me profilin e rrezikut të veprimtarisë mbetet një domosdoshmëri për bankat. Kur del e nevojshme në bazë të këtij vlerësimi, bankat duhet të veprojnë për fuqizimin e gjendjes së tyre të kapitalit, fillimisht përmes kufizimit të shpërndarjes së fitimit e më pas përmes injektimit të kapitalit shtesë.

Ushtrimi i provës së rezistencës duhet t'iu shërbejë bankave si instrument për të mbështetur vlerësimin e nevojave të mundshme për kapital shtesë. Banka e Shqipërisë realizon rregullisht ushtrimet e provës së rezistencës, për të vlerësuar ndjeshmërinë e treguesve kryesorë të kapitalizimit të sektorit bankar ndaj lëvizjeve në treguesit makroekonomikë. Skenarët, bazë dhe të rrezikut, përfshijnë supozime lidhur me lëvizjet në normën e rritjes së PBB-së, në nivelin e kursit të këmbimit dhe të normës së interesit, si edhe në nivelin e kreditimit, dhe shtrihen deri në fund të vitit 2014. Rezultatet e ushtrimit tregojnë që në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm në rast të realizimit të supozimeve për treguesit përkatës. Niveli i kapitalizimit për të gjithë sektorin mbetet mbi nivelin minimal të kërkuar në rastin e skenarit bazë. Në rastin e skenarëve më të rënduar (që përfshijnë supozimet përkatëse për uljen e normës së rritjes së PBB-së, uljen e nivelit të kreditimit dhe nënçmimin e kursit të këmbimit), banka të veçanta mund të kenë nevojë për kapital shtesë. Kuadri rregullativ mbikëqyrës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, kërkojnë që ushtrime të tilla të kryhen rregullisht nga vetë bankat, për të mbështetur vendimmarrjen.