BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2015

Data e publikimit: 22.10.2015

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006, "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2015, aktiviteti ekonomik në vend u zgjerua, mbështetur nga përmirësimi i investimeve private (me kontribut të rëndësishëm nga investimet e huaja direkte) dhe përmirësimi i bilancit tregtar.

Politika monetare lehtësuese dhe politika fiskale konsoliduese, u kombinuan për të mbështetur qëndrueshmërinë e kuadrit makroekonomik. Luhatshmëria në kursin e këmbimit të lekut dhe normat e interesit, ishte e ulët. Tregu i emetimit të titujve të borxhit të qeverisë dhe tregu ndërbankar funksionuan normalisht, në kushtet e përshtatshme të likuiditetit. Tregjet ndërkombëtare funksionuan në një mjedis me norma të ulëta interesi, në përpjekje për të forcuar prirjen rritëse të ekonomisë botërore.

Veprimtaria e sistemit financiar në vend u zgjerua gjatë periudhës, duke u ngjitur në 103% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në sektorin bankar, zgjerimi i veprimtarisë u mbështet nga investimet ndërbankare dhe rritja e kredisë, të orientuara kryesisht për jorezidentët. Depozitat e sektorit u rritën në nivel vjetor me 4.4%, ndikuar si nga depozitat në lekë ashtu edhe ato në valutë. Portofoli i kredisë u zgjerua në nivel vjetor me 5.5%, mbështetur si nga kredia në lekë ashtu edhe nga ajo në valutë, në kushtet e ecurisë në rënie të normave të interesit. Megjithatë, rritja e portofolit të kredisë gjatë periudhës ishte vetëm 0.5%, e ndikuar nga largimi prej bilancit të bankave i kredive të klasifikuara si "të humbura", në vlerën 11 miliardë lekë. Largimi i kredive të klasifikuara si "të humbura" nga bilanci i sektorit bankar, ka përmirësuar cilësinë e kredisë. Raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë, zbriti në fund të periudhës në nivelin 21%. Përmirësim të cilësisë ka shënuar kredia në lekë dhe në valutë, si për biznese ashtu dhe për individë. Gjatë periudhës, performanca financiare e sektorit bankar u përmirësua në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kryesisht si rezultat i kontrollit mbi kostot e veprimtarisë. Kontributin kryesor në rezultatin financiar të sektorit e dhanë bankat më të mëdha.

Në përgjithësi, zhvillimet pozitive në ekonominë reale dhe në sektorin bankar, kontribuan në forcimin e stabilitetit financiar gjatë periudhës, siç evidentohet edhe nga ecuria e indekseve përkatëse. Megjithatë, rreziqet mbeten të pranishme, dhe konkretisht:

a) niveli i raportit të kredive me probleme konsiderohet ende i lartë. Dinamika e ecurisë së kredive me probleme gjatë periudhës, është reflektuar në rritjen e provigjioneve për rrezikun e kreditit nga ana e sektorit bankar. Kolateralizimi i lartë i kredive me probleme iu jep mundësi bankave të rikuperojnë vlerën e saj, por përqendrimi i formës së kolateralit tek "pasuria e paluajtshme", si edhe ineficiencat e funksionimit të atij tregu gjatë ekzekutimit të detyrimit (kolateralit), e ndërlikojnë procesin dhe e bëjnë atë të pasigurt. Nga ana tjetër, pritjet e agjentëve ekonomikë ende nuk kanë faktorizuar një përshpejtim të rritjes së ekonomisë, duke bërë që planet e tyre për konsum dhe investime të jenë të ndrydhura. Nevoja për një rritje më të shpejtë ekonomike, evidentohet si një faktor i rëndësishëm edhe nga industria bankare për zgjerimin e ndërmjetësimit financiar. Për këto arsye, oferta dhe kërkesa për kredi mbeten nën potencialin e tyre, duke nxjerrë në pah vështirësitë që ndikojnë në procesin e zgjidhjes së kredive me probleme.

Në këto kushte, Banka e Shqipërisë:

  • do të kërkojë nga bankat që të ruajnë nivele sa më të mira të kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë, ndërkohë që evidentojnë sa më saktë kreditë me probleme,
  • do të monitorojë dhe ndjekë realizimin e planit të veprimit të miratuar së bashku me Qeverinë për uljen e nivelit të kredive me probleme, i fokusuar në përmirësimet ligjore dhe rregullative,
  • do të ruajë komunikimin e afërt me industrinë bankare, për të vlerësuar problematikën që mund të shfaqet në kuadër të administrimit të kolateraleve, për të identifikuar veprimet e nevojshme që përmirësojnë procesin;

b) afati tepër i shkurtër i detyrimeve të sektorit bankar dhe struktura e tij aktuale, nuk ofron mbështetjen e nevojshme për rigjallërimin e qëndrueshëm të kredisë, si edhe e ekspozon sektorin ndaj rrezikut të normës së interesit. Në fakt, detyrimet e sektorit bankar kanë qenë historikisht afatshkurtra dhe kjo ka përcaktuar edhe madhësinë e strukturën e aktiveve të tij, pra edhe të portofolit të kredisë. Por aktualisht, struktura e detyrimeve tregon një rritje të mëtejshme të peshës së depozitave pa afat, në kushtet e ciklit rënës të normave të interesit. Rritja e detyrimeve afatshkurtra, shoqërohet me nevojën për rritjen e aktiveve likuide të sektorit dhe mund të ndikojë në shkurtimin e horizontit kohor të investimeve afatgjata të tij. Gjithashtu, ajo rrit ndjeshmërinë e bilancit të bankave ndaj rrezikut të normës së interesit, në rastin e nevojës për rritjen e shpejtë të saj. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë vlerëson që bankat duhet të jetë më aktive në zhvillimin dhe ofrimin e produkteve që gjenerojnë burime financimi më afatgjata, dhe që përmirësojnë balancën dhe strukturën e detyrimeve të tyre;

c) zhvillimet në tregjet ndërkombëtare do të monitorohen dhe do të vlerësohen rregullisht nëse mund të sjellin luhatshmëri në tregun e brendshëm financiar. Një prej këtyre zhvillimeve lidhet me mundësinë e përshpejtimit të rritjes ekonomike botërore dhe rifillimin e një cikli shtrëngues të politikës monetare në ekonomitë e vendeve të zhvilluara. Ndonëse ende i pasigurt, ky zhvillim mund të ndikojë në vend përmes nxitjes së luhatshmërisë në flukset financiare dhe në kursin e këmbimit të lekut ndaj valutave kryesore. Sipas bilancit të pagesave të vendit, flukset financiare në formën e investimeve të huaja direkte, që përfaqësojnë vendime afatgjata dhe të qëndrueshme, dominojnë formën e hyrjes së fondeve në ekonomi. Flukset financiare të përkohshme të portofolit nuk janë të rëndësishme, ndaj efekti i këtij kanali mund të jetë i kufizuar. Nga ana tjetër, ecuria e kursit të këmbimit në afat të shkurtër reflekton edhe lëvizjen e flukseve financiare. Duke marrë si të pandryshueshme elementet e tjera, mungesa e flukseve të përkohshme financiare ndikon në ruajtjen e luhatshmërisë së ulët të kursit të këmbimit. Një zhvillim tjetër që duhet monitoruar me kujdes, është mënyra e zbatimit të marrëveshjes së re mes Greqisë dhe kreditorëve institucionalë, dhe veçanërisht mënyra se si do të rikthehet në normalitet veprimtaria e sektorit bankar. Pritshmëritë bazë janë që palët do të përmbushin marrëveshjen e arritur dhe që, si pjesë e saj, sektori bankar grek do të rikapitalizohet falë masave për ristrukturimin e veprimtarisë dhe injektimin e kapitalit të ri. Banka e Shqipërisë do të vlerësojë rregullisht mënyrën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe efektet e saj, si edhe do të komunikojë rregullisht qëndrimin e saj me publikun dhe palët e interesit;

d) sektori bankar është i ekspozuar ndaj lëvizjeve në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit. Kanali më i mundshëm i ndikimit në këtë rast, është madhësia e kredisë në valutë ku të ardhurat e huamarrësit janë në lekë. Në fund të periudhës, kjo kredi zinte rreth 27% të portofolit të kredisë për bizneset dhe 31% të kredisë për individët. Megjithëse këto nivele kanë ardhur në rënie gjatë periudhës në analizë, në përgjithësi, pozicioni debitor i bizneseve është ulur dhe cilësia e kredisë, si për bizneset ashtu edhe për individët, është përmirësuar, ndërsa lëvizjet në kursin e këmbimit vlerësohen si të rëndësishme për të ndikuar mbi aftësinë paguese të kredimarrësve. Prirja e dy viteve të fundit për zgjerimin e kreditimit kryesisht në lekë ka ndikuar në rënien e ekspozimit të mësipërm, ndaj duhet mbështetur më shumë nga industria bankare dhe agjentët ekonomikë. Për shkak të mospërputhjeve mes aktiveve dhe detyrimeve të ndjeshme ndaj lëvizjeve në normën e interesit, sektori është i ekspozuar ndaj një rritjeje të shpejtë të normës së interesit. Ndonëse probabiliteti i kësaj lëvizjeje është aktualisht i ulët, bankat duhet të përfshijnë vlerësimin e këtij rreziku në analizat e tyre, dhe të veprojnë për minimizimin e tij në rast se ai vlerësohet i rëndësishëm;

e) Madhësia e konsiderueshme e investimeve të sektorit bankar në titujt e borxhit të qeverisë, imponon nevojën për përmirësimin e madhësisë dhe thellësisë së tregut ku tregtohen këta tituj, si një instrument i rëndësishëm për administrimin dhe minimizimin e rreziqeve përkatëse. Investimet e sektorit bankar në titujt e borxhit të qeverisë shqiptare, përfaqësojnë rreth 60% të vlerës së borxhit të brendshëm, dhe rreth 25% të vlerës së aktivit të tyre. Ky përqendrim është i konsiderueshëm dhe i ekspozon palët ndaj performancës dhe qëndrueshmërisë financiare të njëra-tjetrës. Masat për kontrollin e niveleve të borxhit, si edhe për zgjerimin e këtij tregu me pjesëmarrës të tjerë jobankarë, do të kontribuonin në uljen e kësaj ndërvarësie. Gjithashtu, afati ende i shkurtër i maturimit mesatar të borxhit evidenton rrezikun e mosrinovimit të investimit në titujt e borxhit nga ana e subjekteve investuese. Vijimi i zhvendosjes së emetimeve të titujve të borxhit të qeverisë në afat më të gjatë maturimi, si edhe komunikimi i vazhdueshëm mes palëve, ndikon në zbutjen e këtij rreziku. Nga ana tjetër, rritja e kohëzgjatjes së maturimit të borxhit, nëse nuk shoqërohet me rritje proporcionale të afatit të maturimit të burimeve (të detyrimeve), i ekspozon bankat ndaj rrezikut të lëvizjes (rritjes) së normës së interesit dhe rrit hezitimin e tyre për zgjerim të investimeve në tituj. Ky rrezik do të zvogëlohej nëse aftësia absorbuese e tregut sekondar ku titujt tregtohen pas emetimit të tyre, do të përmirësohej. Zhvendosja e huamarrjes së qeverisë drejt valutës në tregun e huaj, ndikon në kufizimin e ekspozimit të sektorit bankar ndaj qeverisë. Duke qenë se kjo huamarrje kryhet ende kryesisht prej institucioneve financiare ndërkombëtare dhe me norma interesi përgjithësisht të ulëta, ajo mund të ndikojë në përmirësimin e strukturës së kostos së borxhit të qeverisë. Megjithatë, kjo huamarrje e ekspozon qeverinë ndaj lëvizjeve në kursin e këmbimit të lekut dhe thekson nevojën për planifikimin dhe përdorimin e kujdesshëm të mjeteve të saj në valutë. 

Gjendja financiare e sektorit bankar vlerësohet e mirë dhe e qëndrueshme. Treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë janë në nivele të mira dhe sektori bankar gjeneron fitim. Për këto arsye, vlerësohet se kapacitetet absorbuese të tij ndaj goditjeve të ndryshme janë forcuar gjatë periudhës. Ky përfundim konfirmohet edhe nga ushtrimi i provës së rezistencës, sipas skenarëve makroekonomikë dhe rreziqeve të ndryshme për situatën e likuiditetit.