BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017

Data e publikimit: 29.09.2017

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Në raportin e stabilitetit financiar dhe në këtë deklaratë që e paraprin, vlerësohet ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve që burojnë prej ndërveprimit të tij me zhvillimet ekonomike të jashtme, të brendshme, me agjentët e ekonomisë reale, me tregjet financiare në vend, si edhe ndaj rreziqeve që lidhen me mënyrën se si sektori bankar zhvillon veprimtarinë e tij. Në vijim, këto rreziqe përballen me gjendjen financiare të sektorit bankar dhe stresohen nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës, për të vlerësuar qëndrueshmërinë e tij.

Banka e Shqipërisë vlerëson që veprimtaria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar në përgjithësi, u paraqit e qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, dhe aftësia e tij për të përballuar rreziqet e veprimtarisë është e mirë.

Në tërësi, ecuria e treguesve makroekonomikë dhe zhvillimet në mjedisin e përgjithshëm ekonomik, mbështetën më mirë veprimtarinë e sistemit financiar. Në sektorin bankar, treguesit e performancës financiare, të kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë, përgjithësisht u përmirësuan. Megjithatë, analiza e faktorëve përcaktues dhe ushtrimet e provës së rezistencës sugjerojnë nevojën për monitorimin e ecurisë së këtyre treguesve përgjatë kohës. Zhvillimet në sektorin bankar gjatë periudhës evidentuan përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së kredisë dhe dëshmuan rëndësinë e vijimit të këtij procesi.

Zhvillimet në mjedisin ekonomik dhe financiar

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, zhvillimet në ekonominë botërore kanë qenë përgjithësisht pozitive. Rritja ekonomike është përshpejtuar, mbështetur kryesisht nga kushtet e favorshme të financimit dhe vijimi i politikave stimuluese, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe tek një pjesë e vendeve në zhvillim. Qëndrueshmëria e çmimit të naftës ka ndikuar në uljen e ndikimit negativ që solli rënia e mëparshme e tij mbi vendet eksportuese. Në Eurozonë, rritja ekonomike është shtrirë tek një numër më i madh vendesh anëtare, dhe është mbështetur nga rritja e konsumit privat si rezultat i përmirësimit të kushteve në tregun e punës, rritjes së të ardhurave dhe qëndrueshmërisë së kreditimit veçanërisht për familjet. Në sektorin bankar evropian, nevoja për uljen e kredive me probleme mbetet e lartë, pavarësisht progresit që është bërë në këtë drejtim. Presionet inflacioniste përgjithësisht mbeten nën nivelin e synuar nga bankat qendrore. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zhvillimet kanë qenë të ngjashme me ato të ekonomisë botërore. Gjatë periudhës, vendet e rajonit kanë shënuar rritje më të shpejtë ekonomike kryesisht të mbështetur nga kërkesa e brendshme në vijim edhe të uljes së normës së papunësisë. Kreditimi vijon të jetë përgjithësisht i dobët dhe i përqendruar kryesisht tek familjet, megjithë vijimin e kushteve monetare lehtësuese dhe përmirësimin gradual të cilësisë së aktiveve. Si rezultat, presionet inflacioniste gjatë periudhës kanë qenë të përmbajtura. Në vijim të politikave stimuluese financiare dhe reformave të tjera ekonomike, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që rritja ekonomike botërore të jetë rreth 3.5% - 3.6% në periudhën 2017-2018, me kontribut pozitiv nga vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Normalizimi i politikës monetare në vendet e zhvilluara dhe mundësia e shtimit të luhatshmërisë në tregje, përbën aktualisht rrezikun kryesor mbi perspektivën e ekonomisë globale.

vendin tonë , ritmi vjetor i rritjes ekonomike u ngjit në 3.94% në fund të tremujorit të parë të vitit. Në rritjen ekonomike kontribuan sektorët e shërbimeve, të prodhimit dhe të bujqësisë, dhe spikatën degët e tregtisë, ndërtimit, transportit dhe industrisë. Rritja e kërkesës agregate u mbështet nga zgjerimi i konsumit final të popullatës (me peshën kryesore), rritja e konsumit të qeverisë dhe formimi i kapitalit fiks. Gjithashtu, në zgjerimin e kërkesës ka kontribuar pozitivisht edhe ngushtimi i deficitit të llogarisë korrente në bilancin e pagesave, i shkaktuar kryesisht nga zgjerimi i tepricës pozitive në llogarinë e shërbimeve. Në tregun e punës, norma e papunësisë shënoi nivelin 14.2%, pothuaj e pandryshuar prej fundit të vitit 2016 dhe gati 2.4 pikë përqindjeje më e ulët se tremujorin e parë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës, në vijim të presioneve të përmbajtura të inflacionit, politika monetare ka mbetur lehtësuese, duke mbështetur zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Teprica pozitive e buxhetit reflektoi vijimin e procesit të konsolidimit fiskal. Por vlera e suficitit buxhetor ishte më e ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, si rezultat i ritmit më të lartë të realizimit të shpenzimeve në krahasim me atë të mbledhjes së të ardhurave.

tregun financiar vendas , gjatë periudhës u konstatua një rritje e lehtë e normave mesatare të interesit për investimet në titujt e borxhit të qeverisë. Në këtë ecuri, kontribuan kryesisht titujt e borxhit afatshkurtër, për të cilët niveli dhe rritja e emetimeve ka qenë më e lartë sesa për titujt e borxhit afatgjatë. Pjesëmarrja e investitorëve në ankandet e titujve të borxhit të qeverisë ka qenë e qëndrueshme, dhe preferenca e tyre shfaqet më e lartë për titujt me afate më të gjata maturimi. Në tregun ndërbankar, bankat kanë tregtuar përgjithësisht në vëllime më të ulëta, me norma interesi që kanë qenë vazhdimisht nën ose pranë nivelit të normës bazë të interesit, duke reflektuar një situatë të qëndrueshme të likuiditetit. Në tregun e këmbimeve të monedhave, leku u mbiçmua ndaj monedhës evropiane dhe dollarit amerikan. Kjo ecuri ka reflektuar zhvillimet më pozitive në bilancin e pagesave të vendit me botën. Në tregun e pasurive të paluajtshme, të dhënat dhe vrojtimet tregojnë për një rënie të çmimit të banesave, kryesisht në vijim të rritjes së kapaciteteve të strehimit. Në këtë treg, pritshmëritë e operatorëve për ecurinë e çmimit të pasurive të paluajtshme mbeten pozitive.

Gjatë periudhës, pozicioni kreditor [1] i individëve dhe pozicioni debitor i bizneseve, pësuan rënie. Për individët, efekti ka ardhur nga rritja e kreditimit në lekë dhe rënia e depozitave kryesisht në valutë, ndërsa për bizneset efekti ka ardhur nga rënia e kreditimit në valutë me ritme më të shpejta se rënia e depozitave. Kredia për individët u rrit me 2.8% gjatë periudhës. Pothuajse e gjithë rritja ka ardhur nga rritja e kredisë në lekë për subjektet rezidente. Kredia për bizneset është tkurrur gjatë periudhës me 2.3%, ku kontributin në rënie e dha kredia për subjektet rezidente, ndërkohë që kredia për bizneset jorezidente shënoi rritje. Cilësia e kredisë, si për individët ashtu edhe për bizneset është përmirësuar. Gjatë periudhës, vlerat e tepricave të kredisë dhe të depozitave të subjekteve pranë sektorit bankar janë ndikuar në mënyrë të ndjeshme, në kahun rënës, nga mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut ndaj valutave kryesore.

Pesha e veprimtarisë së sistemit financiar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vlerësohet të ketë zbritur në 101.9% në fund të periudhës, por treguesit kryesorë financiarë përgjithësisht u përmirësuan. Në rënien e peshës së sistemit financiar, ndikoi kryesisht rënia e peshës së aktivitetit bankar, i cili zbriti në 91.9% të PBB-së. Sektori jobankar ka ruajtur peshën ndaj PBB-së, dhe në veprimtarinë e tij kanë kontribuar pozitivisht institucionet financiare jobanka, fondet private të pensioneve dhe fondet e investimeve. Në veprimtarinë e sektorit bankar, e cila u tkurr me 1% gjatë periudhës, ndryshimin më të madh në aktiv të bilancit e shfaqën veprimet me titujt, kryesisht me ato jorezidente (rënie), veprimet me thesarin (rënie) dhe veprimet ndërbankare, kryesisht në formën e depozitave me subjektet jorezidente (rritje). Në krahun e pasivit, ndryshimin më të madh e treguan depozitat e klientëve (rënie) dhe kapitali (rritje). Në krahasim me një vit më parë, aktiviteti i sektorit bankar është rritur me 4.8%, ku depozitat janë rritur me 3.5%, teprica e kredisë shfaqet e pandryshuar dhe pozicioni kreditor neto me jorezidentët është rritur me 11.7%. Ecuria e tepricës së kredisë reflekton procesin e largimit të kredive të humbura nga bilanci i sektorit bankar, dhe një kërkesë ende të brishtë për kredi, siç reflektohet edhe nga vrojtimet përkatëse të gjendjes financiare të individëve dhe të bizneseve. Ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit bankar në sektorin jobankar vlerësohet i ulët, ndërkohë që qëndrueshmëria e sektorit bankar mbetet një faktor me rëndësi kritike për aktivitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit jobankar.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë

Në lidhje me rreziqet e veprimtarisë me të cilat përballet sektori bankar, Banka e Shqipërisë vlerëson si më poshtë:

a) Rreziku i kreditit shënoi ulje të ndjeshme gjatë periudhës dhe në krahasim me një vit më parë. Kreditë me probleme ranë me 15.2% gjatë periudhës dhe me 22% krahasuar me një vit më parë. Si rezultat, raporti i kredive me probleme zbriti me 2.7 pikë përqindje gjatë periudhës, në nivelin 15.6%. Në uljen e kredive me probleme kanë ndikuar veprimet e bankave për mbledhjen, ristrukturimin dhe largimin e tyre (të kredive të humbura) nga bilancet. Ulja e kredive me probleme është vërejtur në të gjitha kategoritë përbërëse, ku secila prej tyre ka shënuar rënie të vlerës. Në kreditë ekzistuese me probleme, cilësia më e dobët shfaqet në kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë me afat më të gjatë maturimi. Pakësimi i kredive me probleme është shoqëruar me përmirësimin e masës së mbulimit të tyre me fonde rezervë dhe me kapital, ndërkohë që niveli i kolateralizimit të kredisë është përmirësuar lehtë.

Pakësimi i vlerës së kredive me probleme gjatë periudhës është një zhvillim i dukshëm pozitiv, i cili do të çlirojë burimet e bankave që angazhohen në administrimin e kredive me probleme, do të përmirësojë gradualisht perceptimin e sektorit bankar për rrezikun e veprimtarisë së kreditimit dhe do të sjellë nxitje më të fortë për rritjen e kreditimit në vazhdim. Në procesin e trajtimit të kredive me probleme, bankat po shfaqen më aktive në drejtim të ristrukturimit të tyre që në fazat më të hershme. Si rezultat, kjo do të ndikojë më mirë jo vetëm mbi uljen e stokut të kredive me probleme, por edhe mbi kontrollin e flukseve të reja të tyre. Gjithashtu, procesi do të jetë i dobishëm për të dalluar më shpejt projektet e vlefshme për t’u financuar, duke lejuar që bankat të veprojnë me shpejtësi më të madhe për të arkëtuar kredinë nga huamarrësit me performancë të ulët. Nga ana tjetër, procesi duhet të jetë i kujdesshëm dhe profesional, në mënyrë që ristrukturimet të jenë sa më efektive, shanset për përmirësim të aftësisë paguese të huamarrësve të jenë reale dhe elementet nxitëse për shlyerje të rregullt të kredisë nga ana e tyre të ruhen të forta. Megjithë përmirësimin e ndjeshëm, niveli i kredive me probleme në sektorin bankar vlerësohet ende i lartë. Kjo situatë kërkon që angazhimi i bankave në këtë proces të jetë i plotë dhe i vazhdueshëm.

b) Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë bankare vlerësohet i ulët. Raportet e likuiditetit, në lekë dhe valutë, janë ndjeshëm mbi nivelet minimale të kërkuara nga kuadri rregullator dhe burimi kryesor i financimit mbeten depozitat, të cilat mbulojnë gati dy herë vëllimin e kredive të sektorit. Varësia nga linjat e huaja të financimit është mjaft e ulët.

Megjithatë, hendeku negativ mes aktiveve dhe detyrimeve sipas segmenteve të maturitetit të mbetur, në raport me totalin e aktiveve për afatin e shkurtër, konsiderohet në nivele të larta dhe në rritje kundrejt periudhave të kaluara. Në ruajtjen e këtij hendeku, kontribuon edhe ndryshimi i strukturës së detyrimeve, brenda të cilave pesha e depozitave me afat vijon të bjerë kundrejt burimeve të tjera pa afat. Kjo strukturë e burimeve i imponon sektorit bankar nevojën për të ruajtur nivele të larta të aktiveve likuide, si edhe për të kërkuar kthime më të larta nëpërmjet investimeve më afatgjata. Kjo veçori, lidhet me fazën aktuale të ciklit financiar dhe duhet të ndryshojë gradualisht në periudhën kur zhvillimet makroekonomike të kërkojnë rritje të normave të interesit, gjë që sjell rritje të kostos oportune të publikut për mbajtjen e kursimeve në forma shumë likuide.

c) Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut mbetet i rëndësishëm. Pozicioni i hapur neto valutor i sektorit bankar në raport me kapitalin rregullator është luhatur brenda niveleve afatgjata, duke dëshmuar për një ekspozim të kufizuar dhe në rënie të sektorit bankar ndaj ndikimit të drejtpërdrejtë në bilanc nga luhatjet në kursin e këmbimit. Gjatë periudhës është vërejtur që kredia në valutë për rastet kur huamarrësit i kanë të ardhurat në monedhë tjetër, ka mbetur e qëndrueshme si në raport me kredinë totale, ashtu edhe ndaj kredisë në valutë. Në të njëjtën kohë, cilësia e saj është përmirësuar. Përgjithësisht, këto zhvillime tregojnë që gjatë periudhës sektori bankar ka kontrolluar ecurinë e ekspozimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ndaj lëvizjeve në kursin e këmbimit, por ky ekspozim vlerësohet ende i lartë dhe është e nevojshme të veprohet në mënyrë më aktive për uljen e mëtejshme të tij. Banka e Shqipërisë beson se masat e propozuara në kuadër të strategjisë për uljen e masës së përdorimit të valutave në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, do të kontribuojnë drejt këtij objektivi. Këto masa janë diskutuar me industrinë bankare dhe aktualisht ka nisur puna për përgatitjen e akteve të nevojshme rregullative.

Në lidhje me ndikimin e lëvizjeve në normën e interesit, sektori bankar mbetet i ekspozuar ndaj luhatjeve të normës së interesit në kushtet kur diferenca midis mjeteve dhe detyrimeve të ndjeshme ndaj normës së interesit, sipas periudhave të riçmimit, është në vlera relativisht të larta. Mjedisi aktual me norma interesi relativisht të ulëta sugjeron nevojën që sektori bankar dhe institucionet e tjera financiare jobankare, si shoqëritë e sigurimit të jetës apo fondet private suplementare të pensionit dhe fondet e investimit, të vlerësojnë rregullisht ndikimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta, që do të jepnin lëvizjet e pafavorshme në normën e interesit mbi veprimtaritë e tyre.

d) Disa nga grupet bankare evropiane që veprojnë në vendin tonë janë ende në procesin e ristrukturimit për përmirësimin e gjendjes financiare. Në këtë proces përfshihen veprime të tilla si ristrukturimi i rrjetit, ndryshimi i aksionerëve apo bashkimi me institucione të tjera. Zhvillimet në legjislacionin evropian në fushën e rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme të bankave, i kanë bërë këto procese më efektive dhe më të pandjeshme për klientët e bankave. Në të njëjtën kohë, këto përcaktime ligjore dhe veprimet operacionale evidentojnë rëndësinë e koordinimit të veprimeve midis autoriteteve përgjegjëse në vendet ku e shtrin veprimtarinë grupi bankar që ristrukturohet. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të monitorojë zhvillimet dhe të koordinojë veprimet potencialisht të nevojshme, me autoritetet përkatëse vendase dhe të huaja, në mënyrë që të përmbushet objektivi final i ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar.

Rreziqet për stabilitetin financiar

Për vlerësimin e rreziqeve sistemike është analizuar ecuria e treguesve që lidhen me materializimin dhe me akumulimin e rrezikut sistemik, me nivelin e stresit në sistemin financiar dhe me perceptimin e industrisë bankare mbi ekspozimin e veprimtarisë bankare ndaj rrezikut sistemik. Gjithashtu, harta e stabilitetit financiar ofron një qasje të konsoliduar të vlerësimit për rreziqet ndaj stabilitetit financiar.

Indekset për materializimin dhe akumulimin e rreziqeve sistemike, tregojnë një ulje të rreziqeve për stabilitetin financiar gjatë periudhës. Në kuadrin makroekonomik, në këtë ecuri kanë ndikuar pozitivisht përmirësimi i rritjes ekonomike, zhvillimet pozitive në tregun e punës, ulja e deficitit të llogarisë korrente në bilancin e pagesave, vijimi i konsolidimit fiskal dhe ulja e niveleve të borxhit për bizneset; në sektorin bankar, ndikim pozitiv kanë dhënë rënia e kredive me probleme, përmirësimi i performancës financiare, si edhe nivelet e mira të kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë. Vrojtimet tregojnë gjithashtu që perceptimi i rreziqeve sistemike nga ana e industrisë bankare është në nivele më të ulëta, ndikuar kryesisht nga përshpejtimi i rritjes ekonomike dhe përmirësimi i cilësisë së kredisë. Megjithatë, ndjeshmëria e bankave mbetet e konsiderueshme për pasiguritë që ende shoqërojnë procesin e ekzekutimit të kolateraleve.

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet, vlerësohet duke analizuar gjendjen e tij të kapitalizimit dhe të përfitueshmërisë, si edhe duke provuar përshtatshmërinë e këtyre treguesve në skenarë stresi nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës.

Në fund të periudhës, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shënoi nivelin 16.3%, duke qenë 0.3 pikë përqindje më i lartë se niveli i fundit të vitit 2016, dhe dukshëm mbi nivelin minimal të kërkuar për këtë tregues prej 12%. Rezultati financiar i sektorit u përmirësua gjatë periudhës. Treguesit e rentabilitetit të sektorit, kthimi mbi aktivet (RoA) dhe kthimi mbi kapitalin (RoE) rezultuan përkatësisht 1.6% dhe 16.7%, duke qenë respektivisht 0.9 pikë përqindje dhe 8.7 pikë përqindje më të larta sesa në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, në performancën financiare të sektorit evidentohet që ndikimin pozitiv e ka dhënë rënia e shpenzimeve për provigjione lidhur me rrezikun e kreditit, duke ritheksuar ndjeshmërinë e sektorit bankar ndaj vijueshmërisë së këtij procesi. Ndërkohë, rezultati financiar nga veprimtaria kryesore e ndërmjetësimit financiar, i pasqyruar në të ardhurat neto nga interesat, ka vijuar të bjerë. Rënia e të ardhurave neto nga interesat ka ardhur si pasojë e rënies së normave të kthimit nga investimet me ritme më të shpejta se rënia e shpenzimeve përkatëse, në kushtet e operimit për një kohë relativisht të gjatë në një mjedis me norma të ulëta interesi. Nga ana tjetër, përmirësimi në treguesin e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit reflekton tkurrjen e aktiveve të peshuara me rrezik, si rezultat i dobësisë së kreditimit dhe ndryshimeve rregullative për investimet në institucionet financiare jorezidente. Në këto kushte, nivelet mjaft të mira të treguesve të mësipërm mund të shfaqin një luhatshmëri më të lartë në të ardhmen dhe qëndrueshmëria e tyre në kohë duhet vlerësuar me kujdes.

Përshtatshmëria e niveleve të treguesve të mësipërm, është verifikuar gjatë ushtrimit të provës së rezistencës, me skenarë që supozojnë ndryshime të pafavorshme në treguesit makroekonomikë dhe financiarë për periudhën 2017-2018. Si edhe më parë, midis supozimeve ekstreme, por me një probabilitet të ulët ndodhjeje, në skenarin e rënduar janë përfshirë tkurrja e ekonomisë, tkurrja e kredisë, rritja e shpejtë e normave mesatare të interesit dhe nënçmimi i fortë i kursit të këmbimit. Rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës tregojnë që në skenarin bazë dhe në atë të moderuar sektori bankar mbetet i kapitalizuar, por do të kishte nevojë të rriste kapitalin në skenarin e rënduar.

Mbështetur në këtë analizë, Banka e Shqipërisë vlerëson se gjendja e kapitalizimit dhe e përfitueshmërisë së bankave paraqitet aktualisht e përshtatshme për të përballuar rreziqet e veprimtarisë. Por ecuria e tyre është e nevojshme të monitorohet në vazhdimësi nga bankat dhe të veprohet për të siguruar qëndrueshmërinë e treguesve në nivele sa më të përshtatshme për mbështetjen e veprimtarisë.

[1] Diferenca midis depozitave dhe kredisë së individëve në sektorin bankar.