BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018

Data e publikimit: 28.09.2018

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Ajo është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Në raportin e stabilitetit financiar dhe në këtë deklaratë që e paraprin, vlerësohet ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve që burojnë prej ndërveprimit të tij me zhvillimet ekonomike, të jashtme dhe të brendshme, me agjentët e ekonomisë reale, me tregjet financiare në vend, si edhe ndaj rreziqeve që lidhen me mënyrën se si sektori bankar zhvillon veprimtarinë e tij. Në vijim, këto rreziqe theksohen nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës dhe përballen me gjendjen financiare të sektorit bankar për të vlerësuar qëndrueshmërinë e tij.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 (më tej, ‘periudha’), veprimtaria e sektorit bankar u paraqit e qëndrueshme, me tregues të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare. Rënia e vlerës së aktiveve në valutë të sektorit bankar për shkak të mbiçmimit të ndjeshëm të kursit të këmbimit të lekut, ndikoi në tkurrjen e lehtë të vlerës së totalit të aktiveve të sektorit për periudhën. Zhvillimet ekonomike dhe ecuria e tregjeve financiare mbështetën në tërësi veprimtarinë e sistemit financiar. Gjatë periudhës, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë nuk pati ndryshime të ndjeshme. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar këto rreziqe, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizimit dhe përfitueshmërisë, vlerësohet e fortë.

 

Zhvillimet në mjedisin ekonomik dhe financiar

Gjatë periudhës, aktiviteti ekonomik botëror ka vijuar të zgjerohet, i mbështetur nga kushtet përgjithësisht të favorshme të financimit, pavarësisht sinjaleve për shtrëngim të mëtejshëm të politikës monetare nga bankat qendrore të ekonomive më të mëdha. Presionet inflacioniste në nivel global kanë mbetur përgjithësisht të qëndrueshme, por kanë shfaqur herë pas here prirje rritëse, ndikuar nga rikuperimi i çmimeve të naftës. Në tregjet e titujve dhe të kapitalit, zhvillimet kanë qenë përgjithësisht në drejtime të kundërta. Edhe në rajonin e Ballkanit, zhvillimet ekonomike kanë qenë pozitive. Rritja ekonomike botërore pritet të vijojë, por ritmi i rritjes do të jetë subjekt i disa rreziqeve që lidhen me shtrëngimin e mëtejshëm të kushteve të financimit, pasigurinë për ecurinë e tregtisë botërore për shkak të rritjes së rasteve të zbatimit të tarifave tregtare, dhe vijimin e tensioneve gjeopolitike në rajone të caktuara. Vendet në zhvillim vlerësohet se mund të jenë më të ndjeshme ndaj këtyre rreziqeve.

Në Shqipëri, ekonomia përshpejtoi normën vjetore të rritjes në 4.45%, në fund të tremujorit të parë të vitit. Në rritjen ekonomike kontribuuan sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve, ku dalluan degët e industrisë nxjerrëse, tregtisë, transportit dhe ndërtimit. Rritja e kërkesës agregate u mbështet nga zgjerimi i konsumit final të popullatës dhe i investimeve. Në kah të kundërt ndikoi zgjerimi i deficitit të llogarisë korrente në bilancin e pagesave, ku ngushtimi i tepricës pozitive në tregtinë e shërbimeve përkoi me zgjerimin e deficitit në tregtinë e mallrave. Vijimi i zhvillimeve pozitive në tregun e punës u konfirmua me rënien e normës së papunësisë në nivelin 12.4%, duke shënuar nivelin më të ulët të dy dekadave të fundit. Për pjesën e mbetur të vitit, pritshmëritë mbi nivelet e punësimit mbeten pozitive dhe mbi vlerat mesatare. Gjatë periudhës, Banka e Shqipërisë uli më tej normën bazë të interesit dhe ndërhyri në tregun e këmbimit për të frenuar ndikimin e mbiçmimit të lekut në arritjen e objektivit për normën e inflacionit. Në fund të periudhës, norma e inflacionit u ngjit në nivelin 2.4%. Politika fiskale ka ruajtur prirjen për konsolidim fiskal, ndonëse teprica buxhetore pozitive, në fund të periudhës, rezultoi në vlera më të ulëta.

 

Individët dhe bizneset

Gjatë periudhës, pozicioni kreditor i individëve dhe ai debitor i bizneseve, pësuan rënie të lehtë. Tek individët, kjo ecuri u ndikua nga rritja më e shpejtë e kredisë, kryesisht në lek, në krahasim me depozitat. Për bizneset, rritja më e shpejtë e depozitave në të gjitha monedhat përkoi me tkurrjen e kredisë. Megjithëse individët treguan një preferencë të shtuar për investimet në titujt afatgjatë të borxhit gjatë periudhës, pasuria e tyre financiare në formën e depozitave, titujve dhe kuotave të fondeve, shënoi rënie. Cilësia e kredisë për individët është përmirësuar, duke sjellë rënien e raportit të kredive me probleme në nivelin 7.5%, ndonëse për kredinë e pambrojtur nga rreziku i tërthortë i kursit të këmbimit, ndryshimi ka qenë i papërfillshëm. Rezultatet e vrojtimit mbi gjendjen financiare dhe ngarkesën në borxh të familjeve, tregojnë që ajo mbetet përgjithësisht në nivele të përshtatshme dhe më e përqendruar tek familjet me të ardhura më të larta. Për shumicën e familjeve huamarrëse, vlerat e shërbimit të borxhit zënë jo më shumë se 30% të nivelit të të ardhurave. Për bizneset, tkurrja e kredisë ka qenë kryesisht në euro dhe e përqendruar tek bizneset rezidente. Gjatë periudhës, cilësia e kredisë për bizneset nuk ka treguar ndryshime të dukshme me raportin e kredive me probleme në nivelin 17.1%, por paraqitet më e mirë në terma vjetorë. Rezultatet e vrojtimit mbi gjendjen financiare dhe ngarkesën në borxh të bizneseve, tregojnë që kjo ngarkesë nuk ka pasur ndryshime gjatë periudhës dhe vlerësohet e përballueshme. Për shumicën e bizneseve, vlera e borxhit vlerësohet të jetë sa gjysma e vlerës së kapitalit, ndonëse ky tregues për bizneset e mëdha dhe ato që veprojnë në sektorin e industrisë priret të jetë më i lartë. Shumica e bizneseve që kanë borxh, deklarojnë se shërbimi i borxhit (i huasë) është sa rreth 20% e të ardhurave të ndërmarrjes, por ky tregues ngjitet në rreth 30% për bizneset e vogla. Sipas rezultateve të vrojtimit, kërkesa për kredi e familjeve dhe e bizneseve për të ardhmen afatshkurtër, ka të ngjarë të mbetet e moderuar.

 

Veprimtaria e sistemit financiar

Raporti i aktiveve të sistemit financiar ndaj Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) vlerësohet në 107.8% - rreth 2.7 pikë përqindje më i ulët se në fund të vitit 2017. Kontributin kryesor në këtë ecuri e ka dhënë rënia e peshës së sektorit bankar me 2.3 pikë përqindje, në nivelin 97.1% të PBB-së. Gjatë periudhës, aktivet e sektorit bankar rezultuan 1,427 miliardë lekë, duke u tkurrur me 1.3%. Kontributin kryesor në këtë rënie të tepricës së bilancit e dhanë veprimet me thesarin dhe ato ndërbankare, kredia dhe depozitat, mbi të cilat ndikimi pakësues i mbiçmimit të kursit të këmbimit ka qenë më i rëndësishmi. Në marrëdhënien me subjektet jorezidente, sektori bankar ka ruajtur nivelet e larta të pozicionit kreditor neto. Në terma të treguesve të shëndetit financiar, sektori bankar u karakterizua nga rritja e niveleve të kapitalizimit, kryesisht për shkak të rënies së vlerës së ekspozimeve të peshuara me rrezik, për efekt të ndryshimeve rregullative. Nivelet e përfitueshmërisë dhe të likuiditetit vlerësohen në nivele të larta. Ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit bankar ndaj sektorit jobankar vlerësohet i ulët, ndërkohë që performanca e sektorit bankar mbetet me rëndësi kritike për aktivitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar jobankar.

 

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë

Në lidhje me rreziqet e veprimtarisë me të cilat përballet sektori bankar, Banka e Shqipërisë vlerëson si më poshtë:

  1. Përmirësimi në cilësinë e kredisë vijoi, ndonëse me ritme më të ulëta. Raporti i kredive me probleme ka mbetur pothuaj i pandryshuar gjatë periudhës, në nivelin 13.3%, por paraqitet 2.2 pikë përqindje më i ulët se një vit më parë. Mosndryshimi i treguesit gjatë periudhës, ka reflektuar rënien pothuaj me të njëjtën masë në përqindje (rreth 3%) të kredive me probleme dhe të tepricës totale të kredisë. Sipas kontributit në rënien e vlerës absolute të kredive me probleme renditen shlyerjet, ristrukturimet e kredisë (kalimet në klasat performuese) dhe fshirjet e kredive të humbura. Gjatë periudhës janë fshirë rreth 3.1 miliardë lekë kredi të humbura, duke e çuar në 51 miliardë lekë vlerën e largimit të kredive të humbura nga bilanci i sektorit bankar, që prej fillimit të vitit 2015. Pakësimi i kredive me probleme është shoqëruar me uljen më të shpejtë të rezervave për rrezikun e kredisë (provigjioneve), duke sjellë uljen e raportit të mbulimit të tyre me provigjione. Mbulimi me kolateral është përmirësuar për shkak të zgjerimit të kredive të kolateralizuara me kolateral të ndryshëm nga pasuria e paluajtshme.

                Procesi i uljes së kredive me probleme lehtësohet nga rritja më e qëndrueshme ekonomike dhe përvoja e fituar e bankave lidhur me mbledhjen dhe ristrukturimin e tyre, por rënia e vlerave të fshirjeve mund të sugjerojë një rënie të ndikimit të këtij faktori në ecurinë e procesit të përmirësimit të kredisë dhe të theksojë nevojën për të rritur përpjekjet në drejtim të formave të tjera të zgjidhjes së kredive me probleme. Gjithashtu, bankat duhet të vlerësojnë me kujdes dhe të provigjionojnë në mënyrë proaktive ekspozimet e kreditit që mund të kenë në juridiksione të huaja, të cilat përballen, apo mund të përballen, me luhatshmëri të treguesve ekonomikë e financiarë. Këta faktorë mund ta bëjnë më sfidues procesin e uljes së kredive me probleme në afat të shkurtër.

  1. Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë bankare mbetet i ulët. Raportet e aktiveve likuide, në lekë dhe valutë, ndaj detyrimeve afatshkurtra, janë ndjeshëm mbi nivelet minimale të kërkuara nga kuadri rregullator. Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë së bankave mbeten depozitat, të cilat zënë gati 80% të detyrimeve dhe që mbulojnë me rreth dy herë vëllimin e kredive të sektorit.

 Në strukturën e burimeve të financimit të sektorit bankar, vijon rritja e depozitave pa afat dhe e llogarive rrjedhëse, kundrejt rënies së depozitave me afat, ndërsa kontributi i bizneseve në rritjen e depozitave është rritur në krahasim me atë të individëve. Ritheksojmë se struktura aktuale e burimeve të financimit, kufizon aftësinë e sektorit bankar për të financuar projektet më afatgjata, të cilat lidhen kryesisht me investimet e familjeve dhe ndërmarrjeve, duke ulur eficiencën e veprimtarisë së tij. Kjo dukuri është e lidhur edhe me faktorë strukturorë të tregut financiar, të cilët vështirësojnë gjetjen e burimeve më afatgjata të financimit. Sidoqoftë, përpjekjet për të ofruar instrumente financiare që tërheqin burime të tilla duhet të jenë të vazhdueshme.

  1. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut, ndonëse ka ardhur në rënie gjatë periudhës, mbetet i rëndësishëm. Ekspozimet ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të kursit të këmbimit, nuk treguan ndryshime të rëndësishme gjatë periudhës. Portofoli i kredisë në valutë të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit zbriti në 24.2% të totalit të tepricës së kredisë, ku bizneset vijojnë të mbajnë rreth 2/3 e vlerës. Mundësia e luhatshmërisë së kursit të këmbimit, në të dy kahet, është tipari kryesor i regjimit të lirë të këmbimit. Kjo duhet mbajtur në vëmendjen e të gjithë aktorëve ekonomikë që zgjedhin të ekspozohen ndaj valutave, me qëllim zbutjen e rreziqeve eventuale dhe pozicionimin e tyre në mënyrë të përshtatshme. Në lidhje me ndikimin e lëvizjeve në normën e interesit, sektori bankar mbetet i ekspozuar ndaj luhatjeve të normës së interesit. Të dhënat tregojnë që ndikimi i drejtpërdrejtë është i moderuar, në kushtet kur pozicionet e hapura në bilanc midis aktiveve dhe pasiveve të ndjeshme ndaj normës së interesit, në raport me kapitalin rregullator të sektorit, janë të kufizuara. Ndikimi i tërthortë i rrezikut të normës së interesit mbetet i rëndësishëm, pasi në kushtet kur në portofolin e kredisë mbizotërojnë ato me normë interesi të ndryshueshme dhe kur vlerat e spread-ve të normave të interesit janë në nivele të ulëta historike, rritet madhësia e ndikimit të një korrektimi të mundshëm të normave të interesit në aftësinë paguese të huamarrësve, në periudhën afatmesme. Në mjedisin aktual me norma të ulëta interesi, të dhënat për ecurinë e ekspozimeve me rrezik dhe për afatet mesatare të maturimit të tyre, tregojnë se, përgjithësisht, sektori bankar nuk ka shfaqur rritje të preferencës për investime me tipare më të larta rreziku në dy vitet e fundit.

 

Rreziqet për stabilitetin financiar

Për vlerësimin e rreziqeve sistemike është analizuar ecuria e treguesve që lidhen me materializimin dhe me akumulimin e rrezikut sistemik, me nivelin e stresit në sistemin financiar dhe me perceptimin e industrisë bankare, lidhur me ekspozimin e veprimtarisë bankare ndaj rrezikut sistemik. Gjithashtu, harta e stabilitetit financiar synon të ofrojë një qasje të konsoliduar të vlerësimit për rreziqet ndaj stabilitetit financiar.

Harta e stabilitetit financiar, indekset e materializimit dhe të akumulimit të rrezikut sistemik, si dhe indeksi i stresit financiar, përgjithësisht, tregojnë rreziqe të kontrolluara për stabilitetin financiar. Kontribut pozitiv në këtë drejtim kanë dhënë rritja ekonomike, ulja e normës së papunësisë, ecuria e kursit të këmbimit, kontrolli i niveleve të borxhit publik dhe përmirësimi i disa treguesve të sektorit bankar që lidhen kryesisht me kapitalizimin dhe likuiditetin e tij. Nga ana tjetër, kontribut negativ kanë dhënë ngadalësimi i rritjes së depozitave, tkurrja e kredisë dhe ulja e marzhit neto të interesave në sektorin bankar. Përgjigjet e bankave në vrojtimin përkatës, tregojnë se ato nuk patën ndryshime të rëndësishme në perceptimin e rreziqeve sistemike gjatë periudhës dhe pritshmëritë mbeten përgjithësisht pozitive.

 

Politika makroprudenciale

Në përputhje me dokumentin e Strategjisë së Politikës Makroprudenciale, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar metodologjitë dhe ka përmirësuar bazën e nevojshme të të dhënave, të cilat mundësojnë vlerësimin e treguesve sinjalizues për ecurinë e rreziqeve sistemike dhe mbështesin procesin e vendimmarrjes për zbatimin e instrumenteve të caktuara makroprudenciale. Për këto të fundit, ka nisur procesi i konsultimit me industrinë bankare dhe palët e tjera të interesit, për kuadrin rregullativ që lejon përdorimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit. Përgatitja e këtij kuadri i përshtatet fazës aktuale të ciklit financiar, ndihmon në vendosjen e një mekanizmi që zbut luhatshmërinë e ciklit financiar përgjatë zhvillimeve të ardhshme ekonomike dhe përfaqëson një përafrim të rëndësishëm me standardet ndërkombëtare të fushës.

 

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet, vlerësohet duke analizuar gjendjen e tij të kapitalizimit dhe të përfitueshmërisë, si edhe duke provuar përshtatshmërinë e këtyre treguesve në skenarë stresi, nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës.

Në fund të periudhës, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shënoi nivelin 17.9%, duke qenë 1.0 pikë përqindje më i lartë se niveli i fundit të vitit 2017 dhe dukshëm mbi nivelin minimal të kërkuar për këtë tregues prej 12%. Përmirësimi në treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit është diktuar kryesisht nga rënia e vlerës së ekspozimeve të peshuara me rrezik. Kjo rënie ka ardhur nga faktorë të njëhershëm, që lidhen me ndryshime në kuadrin rregullativ. Rezultati financiar i sektorit për periudhën ishte në nivele të mira. Treguesit e rentabilitetit të sektorit, kthimi mbi aktivet (RoA) dhe kthimi mbi kapitalin (RoE) rezultuan përkatësisht 1.54% dhe 15.0%, duke qenë përkatësisht 0.1 pikë përqindje dhe 1.7 pikë përqindje më të ulëta se një vit më parë. Në performancën financiare të sektorit, ndikimin pozitiv kryesor e ka dhënë rënia e shpenzimeve për provigjione lidhur me rrezikun e kredisë, ndërsa rezultati neto nga interesat ka qenë përgjithësisht i qëndrueshëm. Gjatë periudhës, marzhi neto nga interesat zbriti në 3.8%, kundrejt 3.9% një vit më parë, duke reflektuar ndikimin e ekzistencës për një kohë të gjatë të mjedisit me norma të ulëta interesi.

Përshtatshmëria e treguesve të mësipërm, është verifikuar gjatë ushtrimit të provës së rezistencës, me skenarë që supozonin ndryshime të pafavorshme në treguesit makroekonomikë dhe financiarë, për periudhën 2018-2019. Si edhe më parë, pjesë e supozimeve ekstreme në skenarin e rënduar (me një probabilitet të ulët ndodhjeje) ishin tkurrja e fortë e ekonomisë dhe e kredisë, rritja e shpejtë e normave mesatare të interesit dhe nënçmimi i fortë i kursit të këmbimit.

Në përgjithësi, rezultatet e testeve të mësipërme tregojnë se sektori bankar mbetet i kapitalizuar dhe me performancë të mirë në skenarët që përmbajnë supozime me probabilitet ndodhjeje më të lartë. Në skenarët më ekstremë, banka të veçanta dhe sektori bankar në tërësi do të kishin nevojë për rritje të kapitalit.

Mbështetur në këtë analizë, Banka e Shqipërisë vlerëson se gjendja e kapitalizimit dhe e përfitueshmërisë së bankave paraqitet aktualisht e përshtatshme për të përballuar rreziqet e veprimtarisë. Si edhe më parë, nevojitet që bankat të analizojnë dhe testojnë aftësinë e tyre për të përballuar rreziqet e ndryshme, në mënyrë të rregullt, në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës.

Në vijim, gjeni të detajuar përmbajtjen e raportit të stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.