BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2020

Data e publikimit: 30.09.2020

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Në raportin e stabilitetit financiar dhe në këtë deklaratë që e paraprin, vlerësohet ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve që burojnë prej ndërveprimit të tij me zhvillimet ekonomike, të jashtme dhe të brendshme, me agjentët e ekonomisë reale, me tregjet financiare në vend, si edhe ndaj rreziqeve që lidhen me mënyrën se si sektori bankar zhvillon veprimtarinë e tij. Në vijim, këto rreziqe përballen me gjendjen financiare të sektorit bankar dhe stresohen nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës, për të vlerësuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 (më tej, ‘periudha’), veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht sfidave që paraqiti situata e pandemisë në vend. Masat operacionale të marra nga bankat për sigurimin e vijueshmërisë së funksioneve kritike dhe marrëdhënieve me klientelën dhe masat e marra nga autoritetet publike për zbutjen e goditjes së pandemisë mbi veprimtarinë ekonomike dhe financiare të vendit, mundësuan që veprimtaria e ndërmjetësimit financiar të vijojë në mënyrë të përshtatshme dhe treguesit financiarë të sektorit bankar të mbeten në nivele të mira. Pasiguria për zhvillimet ekonomike në kushtet e pranisë së pandemisë mbetet e konsiderueshme, dhe të tilla mbeten edhe sfidat për veprimtarinë bankare e financiare. Megjithatë, vlerësimet e industrisë bankare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, sugjerojnë që kapacitetet e sektorit bankar për t’u pëballur me këto sfida janë aktualisht të mjaftueshme. Banka e Shqipërisë, mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Ky raport, si rregull, analizon zhvillimet në sistemin financiar deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2020. Në përgjithësi, këto zhvillime treguan:

  • Shfaqjen e ndikimit të goditjes së pandemisë në treguesit makroekonomikë. Të dhënat për tremujorin e parë të vitit provuan tkurrjen e ekonomisë me 2.5%, të ndikuar kryesisht nga rënia e investimeve dhe e konsumit. Norma e papunësisë shfaqi një rritje të lehtë pas disa periudhave me përmirësim të vazhdueshëm. Me qëllim zbutjen e goditjes së pandemisë mbi ekonominë e vendit, Qeveria synoi që pavarësisht rënies së të ardhurave buxhetore të ruajë nivelin e shpenzimeve publike, duke vepruar me shpejtësi për të financuar rritjen e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Krahasimi me vende të tjera dhe pritjet për thellim të goditjes së pandemisë në tremujorin e dytë të vitit, tregojnë që ky veprim ishte i nevojshëm dhe i pashmangshëm. Përsa kohë që pasiguria prej pandemisë mbetet e pranishme, kontributi i politikës fiskale në përballimin e efekteve të saj mbetet i rëndësishëm. Ruajtja e një shkalle të përshtatshme fleksibiliteti në afatin e shkurtër duhet gjithsesi të konsiderojë objektivin më afatgjatë për konsolidimin fiskal. Në rang botëror, por edhe në rajon, shumica e vendeve provuan tkurrje ekonomike. Parashikimet për zhvillimet e ardhshme, ruajnë parashikimet pesimiste për vitin 2020 dhe tregojnë se ekonomia botërore gradualisht do t’i rikthehet normave pozitive të rritjes në  vitin 2021.

 

  • Ecurinë normale të tregjeve financiare në vend. Në këto tregje, megjithë rritjen e vëllimit të huamarrjes nga ana e Qeverisë jo vetëm në lekë, por edhe në valutë, norma mesatare e interesit të titujve të borxhit nuk shfaqi ndryshime gjatë periudhës. Vëllimi i transaksioneve në tregun sekondar mbeti i ulët dhe i përqendruar në emetimet afatshkurtra, duke reflektuar preferencën e investitorëve për zotërimin e titujve të borxhit deri në maturim. Në tregun ndërbankar, vëllimet e tregtimit u rritën, por normat e interesit mbetën pranë nivelit të normës bazë të interesit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë. Leku u nënçmua ndaj valutave kryesore në fund të tremujorit të parë të vitit, por rikuperoi pjesën më të madhe të vlerës në pjesën e dyte të periudhës. Në tregun e pasurive të paluajtshme, treguesit e përfituar nga vrojtimet tregojnë për rritje të çmimit, por pritshmëritë e zhvillimeve në këtë treg për afatin e shkurtër u shfaqën më pesimiste. Gjatë periudhës, funksionimi i sistemeve të pagesave ka qenë optimal.

 

  • Shfaqjen e ndikimit të pandemisë mbi veprimtarinë e individëve dhe bizneseve. Gjatë periudhës, sipas të dhënave nga bankat, pozicioni tradicional financiar i individëve si kreditorë neto dhe i bizneseve si debitorë neto ndaj sistemit financiar është zgjeruar. Rritja e depozitave dhe kredive ka qenë pozitive për të dy sektorët, por rritja e depozitave ka qenë shumë më e lartë për individët, ndërsa rritja e kredisë ka qenë e përqendruar tek bizneset. Rezultatet e vrojtimeve për gjendjen financiare dhe ngarkesën në borxh të familjeve, tregojnë se përdorimi i borxhit prej tyre mbetet i kufizuar. Për familjet huamarrëse, gjatë periudhës është vënë re një rënie e aftësisë paguese. Për të ardhmen e afërt, duket sikur kërkesa për borxh do të jetë më e lartë, nga familje që nuk kanë pasur borxh më parë. Tek ndërmarrjet, përgjigjet e vrojtimit përkatës raportojnë një ndikim të konsiderueshëm nga pandemia, e cila ka paraqitur sfidën kryesore të tyre gjatë periudhës. Ndonëse shumica e ndërmarrjeve kanë arritur të gjenerojnë një rezultat financiar pozitiv, niveli i shitjeve dhe ai i rezultatit financiar kanë treguar një rënie të jashtëzakonshme për të gjitha grupet e ndërmarrjeve, por më shumë për ato të vogla e të mesme. Rënia e nivelit të shitjeve ëshë shoqëruar me rritjen e mbështetjes nga burime të jashtme financimi (kredi), i cili është përdorur kryesisht për përballimin e shpenzimeve korrente dhe më pak për investime. Financimi i jashtëm ka qenë në rritje për ndërmarrjet e vogla e të mëdha. Sipas monedhës, mbizotëron financimi në lekë, veçanërisht tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Rreth ¾ e ndërmarrjeve, sipas grupeve, e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e financimit. Për rreth 80% të ndërmarrjeve, vlera e borxhit është deri sa gjysma e vlerës së kapitalit. Pritshmëritë për 6-mujorin e dytë të vitit shfaqen më optimiste në drejtim të rritjes së financimit, rritjes së investimeve dhe përmirësimit të performancës financiare.

 

  • Performancën e qëndrueshme të sistemit financiar. Aktiviteti i sistemit financiar u zgjerua me gati 4.4 pikë përqindje (pp) gjatë periudhës, duke u ngjitur në 111.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në këtë rritje, sektori bankar kontribuoi me 3.9 pikë përqindje. Treguesit e performancës së sistemit financiar duke përfshirë ata të kapitalizimit, të përfitueshmërisë, të likuiditetit dhe të cilësisë së aktiveve mbeten në nivele të mira. Shkalla e ndërlidhjes mes institucioneve financiare mbetet e qëndrueshme dhe reflekton rëndësinë e qëndrueshmërisë së sektorit bankar për të gjithë sistemin financiar. Gjatë periudhës, veprimtaria e sektorit bankar u zgjerua me 4% dhe me 7% kundrejt një viti më parë.  Kontributin kryesor në rritjen e aktiveve e ka dhënë zgjerimi i investimeve në tituj dhe i aktivitetit kreditues. Në krahun e detyrimeve, depozitat shënuan rritje dhe së bashku me fondet e veta, mbeten burimet kryesore të financimit të veprimtarisë së sektorit bankar. Efekti statistikor i kursit të këmbimit pati një efekt neto rritës në veprimtarinë e sektorit bankar në valutë. Sektori bankar e mbylli gjashtëmujorin e parë të vitit me fitim, por ai ishte rreth 32% më i ulët në krahasim me një vit më parë. Të ardhurat neto nga interesat dhe të ardhurat nga veprimtaritë e tjera ishin të krahasueshme me ato të vitit 2019, por rritja e shpenzimeve për provigjione për kredi dhe për mjete të tjera financiare, e përqendruar në tremujorin e parë të vitit, ka dhënë ndikim negativ në rezultatin financiar të bankave. Sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe asnjë bankë e sektorit nuk rezulton me një normë mjaftueshmërie nën minimumin rregullator prej 12%. Në fund të gjysmës së parë të vitit 2020, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit zbriti me 0.4 pikë përqindje, në nivelin 18.1%, e ndikuar kryesisht nga rritja e aktiveve të ponderuara me rrezik. Bankat me kapital të huaj dhe bankat sistemike, shfaqin nivelin më të lartë të normës së mjaftueshmërisë së kapitalit.

 

  • Ekspozimin e kontrolluar të sektorit bankar ndaj rreziqeve. Bankat kanë perceptuar rritje të rreziqeve ekonomike dhe financiare gjatë periudhës, por besimi i bankave në qëndrueshmërinë e sistemit financiar është ruajtur i pandryshuar në vijim të treguesve të mirë financiarë dhe masave të marra për ruajtjen e tyre. Në fund të periudhës, stoku i kredive me probleme ishte rreth 48 miliardë lekë, pothuaj i pandryshuar gjatë saj. Ndikimin kryesor në këtë qëndrueshmëri të vlerës së kredive me probleme e ofruan përcaktimet në moratoriumin e shlyerjes së kredive, të cilat iu kanë dhënë mundësi bankave të pezullojnë përkohësisht evidentimin e kredive me probleme dhe ndryshimet brenda tyre. Si rezultat, kredia me probleme është rreth 24% më e ulët se niveli i një viti më parë. Kjo rënie e kredive me probleme gjatë 12 muajve të fundit, e përqendruar në gjysmën e dytë të vitit 2019, është ndikuar nga fshirjet e kredive, shlyerjet dhe ristrukturimi i tyre. Në kushtet e vijimit të rritjes së kredisë, raporti i kredive me probleme zbriti në 8.1%. Gjendja e likuiditetit të sektorit bankar paraqitet mjaft e mirë, megjithë një rënie të lehtë të raporteve të likuiditetit gjatë periudhës. Tek rreziqet e tregut, sektori bankar mbetet i ndjeshëm ndaj rrezikut të kursit të këmbimit përmes segmentit të kredisë së pambrojtur në valutë. Ekspozimi ndaj rrezikut të normës së interesit mbetet i pranishëm dhe është rritur gjatë periudhës, por vlerësohet i kufizuar.

Rreziqet e veprimtarisë bankare reflektojnë dhe ndërthuren me zhvillime të natyrës strukturore. E tillë është ekzistenca për një kohë të gjatë e mjedisit me norma të ulëta të interesit, i cili ruan presionin mbi rezultatin financiar të bankave, nxit ndryshimin e strukturës së financimit të tij drejt burimeve më afatshkurtra dhe nevojës për aktive likuide të larta, si dhe ruan potencialin për rritje të stresit të veprimtarisë në rastin e një korrigjimi të fortë e të papritur. Përdorimi i lartë i valutës në sektorin bankar shoqërohet me rreziqe për administrimin e rrezikut të likuiditetit në valutë. Në tërësi, indekset e vlerësimit të rrezikut sistemik shfaqin rritje gjatë periudhës.

Nëpërmjet veprimeve rregullative të natyrës mikroprudenciale dhe instrumenteve të politikës makroprudenciale, Banka e Shqipërisë është përpjekur t’i adresojë këto rreziqe. Disa akte të reja rregullative që janë futur në zbatim, ku përfshihen ai për raportin e mbulimit të likuiditetit, paketa e masave për de-euroizimin, si edhe rregullorja për zbatimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit, synojnë zbutjen e rreziqeve dhe forcimin e rezistencës së sektorit bankar ndaj tyre.

Në periudhën mars-qershor të këtij viti, në kushtet e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik për shkak të pandemisë dhe vështirësive të pritshme të kredimarrësve për të përballuar pagesat e kredive, Banka e Shqipërisë ndërmori disa masa dhe ndryshime rregullative të natyrës prudenciale, të cilat synojnë lehtësimin e barrës së kredimarrësve të ndikuar nga pandemia, rritjen e rezistencës financiare të bankave dhe vijimin e aktivitetit kreditues nga ana e sektorit bankar. Këto masa konsistonin në:

  • nxjerrjen e një moratoriumi, që mundëson pezullimin e përkohshëm të pagesave të shlyerjes së kredive për huamarësit e ndikuar nga pandemia, fillimisht deri në fund të qershorit 2020 dhe më pas, deri në fund të gushtit 2020;
  • miratimin e ndryshimeve rregullative që iu mundësojnë bankave të ruajnë klasifikimin e kredive dhe nivelet e provigjioneve të kredive me probleme gjatë kësaj situate. Qëllimi është që, deri në fund të këtij viti, bankat dhe klientët e tyre huamarrës të gjejnë forma ristrukturimi të kredive të caktuara që rivendosin shpejt aftësinë paguese të kredimarrësve të ndikuar nga pandemia;
  • pezullimin e shpërndarjes së fitimit të bankave deri në fund të këtij viti, me qëllim që në rast të materializimit të humbjeve financiare, madhësia e kapitalit të jetë e përshtatshme jo vetëm për të përthithur këtë humbje, por edhe për të mbështetur kredidhënien e re.

Duke qenë se këto masa janë të përkohshme, edhe ecuria e pandemisë (intensiteti dhe kohëzgjatja e saj) mbetet e pasigurt, nuk përjashtohet mundësia që sfidat me të cilat mund të ndeshet sektori bankar të thellohen. Ushtrimet e provës së rezistencës të kryera nga Banka e Shqiperisë, sugjerojnë që në rast të goditjeve ekstreme në kuadrin makroekonomik, do të ishte e nevojshme që banka të caktuara të forconin pozicionin e tyre të kapitalit megjithëse në tërësi sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar.

Ndaj është e nevojshme që kjo periudhë të shfrytëzohet nga bankat për të administruar në mënyrë të përshtatshme dhe transparente rreziqet e veprimtarisë, duke u përqendruar në rrezikun e kredisë. Ndonëse të dhënat e mbledhura paraprakisht nga bankat tregojnë se ato janë aktivisht të angazhuara në këto procese, vlerësohet e nevojshme që bankat të ruajnë fokusin e tyre:

  • për të garantuar mirëfunksionimin e veprimtarisë institucionale nga këndvështrimi operacional, duke ofruar kushte sa më të sigurta pune për personelin dhe duke siguruar vijueshmërinë e funksioneve kritike të veprimtarisë;
  • për të vepruar pa vonesë në drejtim: të vlerësimit të rrezikut të kredisë për klientët e tyre, të shfrytëzimit të mundësive për ristrukturim të kredisë sipas qasjeve që ofrojnë standardet lokale dhe ndërkombëtare, të vlerësimit të provigjioneve shtesë që mund të kërkohen, të analizës së këtyre kostove mbi pozicionin e kapitalit dhe të mënyrës se si do të arrijnë të përballojnë efektin e këtyre kostove në rast nevoje. Është e rëndësishme të konsiderohet që pozicioni i kapitalit duhet të jetë i mjaftueshëm jo vetëm për të përballuar humbjet e mundshme, por edhe për të mbështetur kreditimin e ri për të cilin ekonomia ka nevojë;
  • për të përdorur të gjitha mënyrat, duke përfshirë edhe ushtrimet e provës së rezistencës me skenarë ekstremë, por të mundshëm, në mënyrë që të vlerësojnë rregullisht e në mënyrë proaktive shkallën e rezistencës së tyre ndaj zhvillimeve të pafavorshme;
  • për të ruajtur një komunikim konstant dhe të ngushtë me Bankën e Shqipërisë, në mënyrë që të ndajnë në kohë reale vlerësimin e tyre mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare dhe ndikimin e tyre mbi veprimtarinë bankare.

Nga ana e saj, në kuadër të funksioneve ligjore dhe në koordinim me autoritetet e tjera shtetërore, Banka e Shqipërisë do të jetë e vëmendshme për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që sektori bankar dhe tregjet financiare, të veprojnë në këtë periudhë në kushte sa më të përshtatshme dhe në mënyrë të qëndrueshme.

Në vijim, gjeni të detajuar përmbajtjen e raportit të stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.