BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, takohet me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 21.10.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani u takua ditën e hënë, dt.21 tetor, me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar EU1 që po viziton Shqipërinë në kuadër të misionit të vjeshtës të vitit 2003. Misioni kryesohej nga z.Hossein Samiei, dhe shoqërohej nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Zyrës së FMN-së në Shqipëri, z. Jan-Peter Olters.

Temat kryesore të diskutimit kishin të bënin me treguesit kryesorë të zhvillimit ekonomik si: rritja e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), zhvillimet inflacioniste dhe politika monetare, privatizimi i Bankës së Kursimeve dhe zhvillimet e tjera në tregun financiar.

Në fjalën e tij, Guvernatori Cani u shpreh se të dhënat nga sektori real i ekonomisë flasin për arritjen e parashikimit për një rritje ekonomike 6 për qind për vitin 2003 dhe nuk ka tregues që kërcënojnë këtë parashikim.

Sa i përket treguesit të inflacionit, u shpreh Guvernatori, Banka e Shqipërisë gjykon se objektivi për mbajtjen e tij brenda intervalit 2-4 për qind duket i arritshëm. Ndërsa, sa i përket vendimeve të ardhshme lidhur me uljen e mundshme të normës së interesit, Banka e Shqipërisë po pret të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave(INSTAT) lidhur me nivelin e Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK), ndërkohë që ka parashikuar të gjitha skenarët e mundshëm për nivelin e normës bazë të interesit (REPO).

Zhvillimet në tregun financiar, vijoi z.Cani, lidhen kryesisht me ecurinë e procesit të privatizimit të Bankës së Kursimeve dhe gjetjen e aksionerëve për Bankën Kombëtare Tregtare. Banka e Shqipërisë ka mbështetur vendimet e Ministrisë së Financave në procesin e privatizimit të Bankës së Kursimeve dhe sinjalet duken pozitive pasi disa banka të huaja kanë shfaqur interes për ta privatizuar atë.

Ndërsa sa i përket BKT-së, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar negociatat me bashkëaksionerët e saj, BERZH dhe IFC, dhe përpjekjet për gjetjen sa më shpejt të investitorit të ri për aksionet e Bankës Kombëtare Tregtare që i takonin Kent Bank, por që tashmë zotërohen nga Fondi Turk i Sigurimit të Depozitave (SDRF), i cili është nën vartësinë e Agjencisë Turke të Rregullimeve dhe Mbikëqyrjes Bankare.

Një tjetër temë me interes për Misionin e Fondit ishte edhe fushata e Bankës së Shqipërisë për reduktimin e pagesave në dorë (cash) në ekonomi dhe zhvillimin e një sistemi modern pagesash. Guvernatori Cani u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë në kontakte intensive me të gjithë institucionet që në veprimtarinë e tyre kanë lidhje me pagesat dhe së shpejti pritet të zhvillohet një takim i përbashkët me bankat, Ministrinë e Financave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, kompanitë e telefonisë, të energjisë, të ujit, etj., për të evidentuar të gjitha hapat e nevojshëm për reduktimin e "cash"-it në ekonomi. Nga ana tjetër, konkludoi z.Cani, fillimi, brenda muajve të ardhshëm, i zbatimit të projektit të pagesave të mëdha në kohë reale (RTGS) pritet të ketë efekte të konsiderueshme në reduktimin e "cash"-it në ekonomi.

Misioni i FMN-së do të vazhdojë takimet në nivel teknik me drejtues dhe specialistë të Bankës së Shqipërisë deri në zhvillimin e takimit konkludues me Guvernatorin Cani më datë 28 tetor 2003.