BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Mbi kërcënimin e stabilitetit të sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e parë të vitit 2004

Data e publikimit: 29.07.2004

 

Banka e Shqipërisë, në zbatim të kërkesave të ligjit, ka ushtruar me përgjegjësi detyrimin e saj ligjor për mbikëqyrjen e sistemit bankar, për identifikimin në kohë dhe për eliminimin e zhvillimeve, të cilat mund të përfaqësojnë një kërcënim të mundshëm për mirëfunksionimin e tij. Në bazë të ligjit, në fund të çdo gjashtëmujori Banka e Shqipërisë është e detyruar të tërheqë vëmendjen e autoriteteve të vendit, vëmendjen e tregut financiar dhe të operatorëve të tij si edhe vëmendjen e publikut të gjerë, mbi rreziqet potenciale që kërcënojnë qëndrueshmërinë e sistemit bankar në vend. Në të gjitha rastet, Banka e Shqipërisë e ka shfrytëzuar këtë mundësi që krahas identifikimit të rreziqeve potenciale për sistemin bankar, të ngrejë edhe çështje të tjera, që i shërbejnë mbarëvajtjes së tij në veprimet e përditshme si edhe që ndihmojnë në funksionimin më të mirë të sistemit financiar në përgjithësi.

Banka e Shqipërisë konstaton se në pjesën e parë të vitit 2004, u evidentuan zhvillime pozitive në sistemin bankar. Krahas zgjerimit të tij nëpërmjet hapjes së degëve të reja të bankave, përmendim që filloi të operojë një banke e re me kapital vendas si edhe përfundoi privatizimi i bankës më të madhe në vend, Bankës së Kursimeve. Numri i bankave që tani funksionojnë në vend është ngjitur në 16 dhe kushtet e konkurrencës në sistemin bankar po vijnë drejt forcimit të vazhdueshëm.

Ndër treguesit kryesorë të sistemit bankar për periudhën e kaluar, përmendim:

Treguesi Dhjetor 2003 Maj 2004

Mjaftueshmëria e kapitalit 28.50% 30.10%
Kapitali aksioner (milionë lekë) 21,985.00 23,193.40
Rezultati neto (milionë lekë) 4,455.00 2,038.90
Kredia e re (milionë lekë) 92,600.00 48,733.00
Kredia me probleme neto / kredia neto 1.80% 1.10%
Kredia me probleme, bruto / totali i bilancit 0.60% 0.60%

Banka e Shqipërisë nuk konstaton ndonjë element, i cili përfaqëson kërcënim për ecurinë e qëndrueshme të sistemit bankar edhe në të ardhmen. Megjithatë, si edhe më parë, Banka e Shqipërisë dëshiron ta shfrytëzojë këtë mundësi ligjore për të tërhequr vëmendjen rreth disa zhvillimeve, të cilat nëse nuk adresohen për zgjidhje në kohën dhe me vëmendjen e duhur, mund të shndërrohen në shqetësime të sistemit bankar dhe të pengojnë progresin e tij në drejtime të caktuara. Më konkretisht:

  1. Bankat duhet të forcojnë sistemet e tyre të identifikimit dhe të administrimit të rrezikut, në një kohë kur konkurrenca në treg është në rritje. Theksi duhet vendosur në përshtatjen e praktikave të nevojshme për monitorimin e veprimtarive kryesore dhe delikate të bankave që lidhen kryesisht me sistemet e teknologjise së informacionit dhe të komunikimit, veprimtarinë e këmbimit valutor dhe të investimit të fondeve etj.. Një vëmendje e vecantë i duhet kushtuar veprimtarisë së kreditimit, ku ka nevojë për përmirësimin dhe plotësimin e procedurave, për identifikimin dhe zhvillimin e mënyrave që lejojnë shkëmbimin e informacionit midis bankave mbi huamarrësit dhe cilësinë e tyre etj.. Strukturat drejtuese të bankës, duke përfshirë Këshillin Drejtues, Komitetin e Kontrollit dhe drejtuesit ekzekutivë, kanë përgjegjësinë kryesore për të mundësuar këto zhvillime.
  2. Me privatizimin e plotë të sistemit bankar, është e kuptueshme që janë elementet e ekonomisë së tregut ato që do të përcaktojnë ecurinë e sistemit bankar dhe të operatorëve të tij. Por vetë bankat si edhe strukturat e tjera administrative që mbikëqyrin tregun bankar dhe atë financiar, duhet të përqendrojnë vëmendjen e tyre drejt vendosjes dhe drejt zbatimit të një kuadri ligjor dhe rregullativ, i cili të sigurojë kushte të barabarta konkurrence midis operatorëve të tregut në drejtimet respektive. Një instrument i cili ndikon drejtpërsëdrejti në zbatimin e plotë të kuadrit rregullativ në këtë drejtim, është vendosja e një komunikimi të qëndrueshëm midis vetë institucioneve mbikëqyrëse të tregut financiar si edhe midis këtyre institucioneve mbikëqyrese dhe operatorëve të këtij tregu.
  3. Bankat duhet t'i kushtojnë vëmendje në rritje, veprimtarisë së tyre në valutë të huaj. Këtu kemi parasysh kryesisht aktivitetin kreditues dhe atë të këmbimeve e të investimeve, por shtojmë edhe nevojën për ruajtjen e vlerës së kapitalit të bankave. I gjithë ky aktivitet është i ndjeshëm ndaj ecurisë së kursit të këmbimit, i cili në vitet e fundit ka evidentuar një mbiçmim të qëndrueshëm të njësisë monetare kombëtare. Për shkak të kohës së konsiderueshme gjatë së cilës është zhvilluar ky fenomen, bankat kanë mundur të përshtasin pozicionet e tyre duke siguruar një zhvillim normal të aktivitetit në këtë drejtim. Megjithatë, kjo ecuri e qetë për një kohë të konsiderueshme në të kaluarën, mund të krijojë idenë e vazhdimësisë së saj për një periudhë të pacaktuar në të ardhmen. E gjithë kjo, do të varej nga ekzistenca e faktorëve që kanë ndikuar në ecurinë e kursit të këmbimit në vitet e fundit si edhe nga masa e ndikimit të tyre. Pa dashur të analizojmë faktorët që kanë ndikuar në këtë ecuri, ne besojmë që masa e ndikimit të disave prej faktorëve ka filluar të zbehet. Për këtë arsye, por duke u nisur mbi të gjitha nga nevoja për të qenë vazhdimisht vigjilent ndaj zhvillimeve të pafavorshme, tërheqim vëmendjen e bankave që të fillojnë të testojnë aktivitetin e tyre për zhvillime të tilla të mundshme. Ky proces duhet të fillojë me ndërtimin e skenareve të pafavorshem dhe me vlerësimin e ndikimit të tyre në rezultatin financiar të bankës. Banka e Shqipërisë, do t'i kushtojë një vëmendje të veçantë këtij elementi në procesin e saj mbikëqyrës.
  4. Ne besojmë se sistemi bankar mund të luajë një rol edhe më aktiv në qëllimin e përbashkët për reduktimin e transaksioneve në cash dhe reduktimin e ekonomisë informale. Zgjerimi i aktivitetit bankar dhe afrimi i tij i mëtejshëm pranë publikut si edhe prezantimi i produkteve të reja që nxisin format e reja të pagesës dhe ofrojnë komoditetin e dëshiruar, janë zhvillime të cilat Banka e Shqipërisë i inkurajon që të vazhdojnë. Ne besojmë se ky proces do të ishte më i suksesshëm nëse do të kishte një angazhim edhe më të madh, të të gjitha institucioneve përkatëse të shtetit.
  5. Banka e Shqipërisë vlerëson se duhen bërë përpjekje më të mëdha dhe të vazhdueshme lidhur me forcimin e funksionit mbikëqyrës edhe në segmente të tjera të tregut financiar, duke theksuar veprimtarinë e sigurimit. Ky është një zhvillim i nevojshëm, në kushtet kur prirja në të ardhmen mund të jetë drejt integrimit të veprimtarive në tregun financiar me njëra-tjetrën. Rritja e bashkëpunimit mes institucioneve mbikëqyrëse dhe formalizimi i këtij bashkëpunimi, është një hap tjetër i cili duhet nxitur dhe duhet realizuar aktualisht.
  6. Banka e Shqipërisë mendon se ka ardhur koha që të rritet presioni për eliminimin e çdo forme të dukshme dhe të rëndësishme të informalitetit në ekonomi. Në këtë kuadër, duhet të adresohet edhe ekzistenca e tregut paralel të këmbimeve valutore, duke forcuar masat administrative për mbylljen e tij si edhe duke krijuar kushte për tërheqjen e tij në aktivitetin formal të tregut të këmbimeve. Ne besojmë se analiza kosto-përfitim e këtij veprimi, flet në favor të mbylljes së këtij tregu në kushtet e rritjes dhe të përmirësimit të kapaciteteve të veprimtarisë së këmbimeve valutore nga ana e pjesëmarrësve të tregut formal (banka dhe zyra këmbimi), si edhe të uljes së kostos me të cilën ofrohet ky shërbim.

Së fundi, Banka e Shqipërisë shpreh besimin se sistemi bankar do të shënojë zhvillime, të cilat do të ndikojnë në konsolidimin e mëtejshëm dhe në rritjen e rolit të tij në ecurinë e ekonomisë në vend.