BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2005

Data e publikimit: 09.02.2006

 

Në mbështetje të kërkesës së ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë" dhe të detyrimit për të tërhequr vëmendjen e institucioneve të vendit, të tregut financiar dhe të operatorëve të tij, si edhe të publikut, mbi rreziqet që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe veçanërisht të atij bankar, në vend, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike.

Banka e Shqipërisë vëren që nivelet e kënaqshme aktuale të kapitalizimit dhe të përfitueshmërisë së sistemit bankar, do të ndikojnë në ruajtjen e qëndrueshmërisë së tij edhe për periudhën e ardhshme. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë konstaton se forcimi i kushteve të konkurrencës në treg, i shoqëruar me rritjen me ritme të larta të kredidhënies, shton mundësitë për të gjallëruar disa elemente të rrezikut që lidhen me rënien e cilësisë së portofolit të kredive. Këto rreziqe kërkojnë një monitorim të kujdesshëm dhe të vazhdueshëm nga ana e strukturave përkatëse të bankave, në mënyrë që të mos materializohen dhe të mos bëhen të rëndësishme në veprimtarinë e sistemit bankar.

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2005, u evidentuan zhvillime pozitive në sistemin bankar, me përfitime të cilat janë ndjerë në një mënyrë më konkrete dhe në një shkallë më të lartë nga klientët e bankave dhe nga ekonomia në përgjithësi. Konkretisht:

a) ka vijuar zgjerimi i kreditimit në forma të larmishme për t'iu përshtatur më mirë kërkesave të tregut. Cilësia e kredisë mbetet e mirë dhe kriteret aktuale të bankave në dhënien e saj përfaqësojnë një bazë të shëndoshë për ruajtjen e kësaj cilësie edhe në të ardhmen. Banka e Shqipërisë, mendon se ritmet aktuale të rritjes së kreditimit, e bëjnë të domosdoshme forcimin e sistemeve të kontrollit dhe të strukturave përkatëse në bankat tregtare. Një element i nevojshëm që do të ndikojë në forcimin e kapaciteteve analizuese të bankave tregtare në procesin e dhënies së kredisë, është edhe krijimi dhe vendosja në funksionim e Zyrës së Informacionit të Kredive. Banka e Shqipërisë është e vendosur të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm, në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, me autoritetet dhe me industrinë bankare në vend, në mënyrë që të mundësojë vendosjen në funksionim në një kohë sa më shpejtë të këtij instrumenti monitorues;

b) lëvizjet e normave të interesit në treg janë absorbuar me lehtësi nga mjedisi i përgjithshëm ekonomik dhe veprimtaria e operatorëve të tregut financiar, duke ruajtur në këtë mënyrë kushte të favorshme që sistemi bankar dhe ai financiar në përgjithësi, të asistojnë më mirë zhvillimin ekonomik të vendit;

c) sistemi bankar ka realizuar një veprimtari fitimprurëse dhe është paraqitur i mirëkapitalizuar;

d) sistemi bankar, ka vijuar të zgjerohet në të gjithë vendin nëpërmjet hapjes së degëve dhe të agjencive të reja. Në fund të muajit dhjetor 2005, numri i degëve funksionale të sistemit bankar arriti në 131, ndërsa numri i agjencive funksionale të tij arriti në 117;

e) në fund të vitit, u licencua dhe filloi veprimtarinë edhe një bankë e re me kapital shqiptar, Banka Union. Numri i përgjithshëm i bankave arriti në 17;

f) është rritur interesi i kapitalit të huaj, për të investuar në sistemin bankar në Shqipëri. Kështu, është përfunduar procesi i ndryshimit të pronësisë së ish-bankës Dardania (aktualisht, Banka Italiane e Zhvillimit), si edhe ka përparuar ndjeshëm procesi i shitjes së aksioneve të Shtetit Shqiptar në Bankën Italo-Shqiptare. Njëkohësisht, ka patur lëvizje të institucioneve bankare për të siguruar një strukturim më të mirë të veprimtarisë, nëpërmjet aplikimit për ndryshim të formës së organizimit të tyre (rasti i Degës në Tiranë të Bankës së Parë të Investimeve).

Ndër treguesit kryesorë financiarë të sistemit bankar për periudhën e kaluar, përmendim:

 

Treguesi

qershor '05

dhjetor '05 [1]

 

 

 

Mjaftueshmëria e kapitalit

19.80%

18.90%

Kapitali aksioner (milionë lekë)

30,653.20

34,506.50

Rezultati neto (milionë lekë)

3,316.54

6,626.70

Kredia e re (milionë lekë)

54,961.00

104,842.00

Kredia me probleme neto / kredia neto

0.75%

0.83%

Kredia me probleme, bruto / totali i bilancit

0.50%

0.55%

 

[1] Për muajin dhjetor janë te dhëna operative

Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, edhe në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2005, Banka e Shqipërisë ka forcuar bashkëpunimin me institucione të tjera brenda vendit, të cilat ushtrojnë funksione mbikëqyrëse në segmente të caktuara të tregut financiar. Veçojmë bashkëpunimin me Autoritetin Mbikëqyrës të Sigurimeve dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave. Në vazhdimësi, është përmirësuar mënyra e komunikimit me bankat duke shfrytëzuar më mirë ndihmën që ka dhënë në këtë drejtim Shoqata Shqiptare e Bankave, si një organizim i cili mundëson paraqitjen e unifikuar të opinioneve të bankave për çështje të ndryshme që lidhen me veprimtarinë e tyre dhe me ndërveprimin me institucione të tjera. Banka e Shqipërisë kërkon që ky bashkëpunim të vijojë edhe në të ardhmen, për çështje të rëndësishme të sistemit bankar dhe financiar.

Banka e Shqipërisë mbështet përpjekjet e autoriteteve shtetërore dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare në zhvillimin e tregut financiar në vend dhe është e vendosur të luajë një rol aktiv në këtë proces. Masat për zgjerimin e sektorit formal të ekonomisë dhe shmangien e evazionit fiskal, si edhe krijimi i një autoriteti mbikëqyrës të integruar për institucionet financiare që nuk licencohen nga Banka e Shqipërisë, janë elemente të rëndësishme që mbështesin zhvillimin e një veprimtarie ekonomike në kushtet e konkurrencës së ndershme dhe që synojnë përcaktimin dhe zbatimin e një kuadri të plotë rregullativ, dhe rritjen e përgjegjshmërisë e të eficiencës në kryerjen e funksionit mbikëqyrës, në segmente të caktuara të tregut financiar. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë bashkëpunimin me Ministrinë e Financave dhe me industrinë bankare, për të përmirësuar procesin e planifikimit, të kryerjes së ankandeve dhe të krijimit të një tregu efektiv në tregtimin e instrumenteve të borxhit të brendshëm të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Qëllimi është që tregu dhe institucionet e tij, të marrin një rol më të madh në tregtimin e këtij borxhi tek publiku.

Për përmirësimin e funksionimit të tregjeve financiare, Banka e Shqipërisë konstaton nevojën për përmirësime ligjore dhe rregullative në drejtimet e mëposhtme:

a) me miratimin e ligjit nr.9396, datë 12.05.2005 "Për qiranë financiare", ka lindur nevoja e përcaktimit të kuadrit rregullativ përkatës dhe të autoritetit mbikëqyrës për çdo institucion që do të ushtrojë këtë veprimtari në zbatim të këtij ligji. Në mbështetje të kërkesave të ligjit, Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, ngarkohen me këtë detyrë. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë mendon se është e nevojshme që në këto akte nënligjore që do të nxirren, të përcaktohet saktë edhe koncepti "institucione/subjekte financiare", pasi një përcaktim i tillë mungon. Banka e Shqipërisë, gjykon se është e nevojshme që këto institucione të veprojnë në mënyrë sa më të shpejtë, për të mbyllur një boshllëk rregullativ dhe institucional mbikëqyrës, për subjektet që kryejnë veprimtarinë financiare në zbatim të ligjit të mësipërm. Në këtë mënyrë, do të shmangej çdo rrezik që mund të vijë nga kryerja e një veprimtarie të pambikëqyrur, si edhe do të veprohej në përputhje me rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare, që asistojnë zhvillimin e tregut financiar në Shqipëri, për institucione të mirërregulluara dhe të mbikëqyrura;

b) në kuadër të elementeve të cilat zbusin rrezikun potencial në veprimtarinë kredituese, një rol të rëndësishëm luan edhe ekzistenca e procedurave të shpejta në ekzekutimin e pasurive të paluajtshme të vendosura nga kredimarrësi si kolateral për garantimin e vlerës së kredisë. Praktika bankare ka treguar se në këto procedura është e nevojshme të kryhen disa përmirësime, si më poshtë:

  • në nenin 564 të Kodit të Procedurës Civile, ku të përcaktohet që vlerësimi i sendit të sekuestruar të kryhet nga ekspertë vlerësues të pavarur, të zgjedhur nga Zyra e Përmbarimit. Në këtë mënyrë, shkurtohen procedurat e panevojshme të ankimit ndaj vlerësimit fillestar të sendit;
  • në nenin 577 të Kodit të Procedurës Civile, ku: të parashikohet shkurtimi i afatit kohor midis dy ankandeve nga tre në një muaj; kreditorit (bankes) t'i njihet e drejta e posedimit të sendit pa patur detyrimin për kthimin e diferencës së vlerës së sendit; kreditorit (bankës) t'i njihet e drejta për të tjetërsuar (shitur) sendin me një vlerë më të ulët se në ankandin e parë dhe; të parashikohet ruajtja e sekuestros mbi sendin dhe të njihet e drejta e kreditorit (bankës) për hapjen e procedurës së ekzekutimit kur kushtet e tregut të jenë në favor të tij.
  • Këto ndryshime, duhet të shoqërohen me ndryshime të tjera në ligjin "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" dhe në kuadrin rregullativ përkatës. Gjithashtu, është i nevojshëm hartimi i ligjit "Për procedurat e ankandit", i cili parashikohet në nenin 573, paragrafi 4 të Kodit të Procedurës Civile;

c) ky vit përfaqëson periudhën kur duhet të përfundojë rishikimi i ligjit ekzistues nr.8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë". Shfrytëzimi i përvojës së vendeve që janë pranë integrimit në Bashkimin Evropian, ndihma e institucioneve financiare ndërkombëtare, si edhe diskutimi i gjerë që do të zhvillohet rreth këtij projekti me industrinë bankare, do të bëjnë të mundur adoptimin e një projektligji i cili do të përmirësojë në mënyrë të ndjeshme mënyrën e veprimit dhe të mbikëqyrjes së institucioneve që kryejnë veprimtari bankare.

Banka e Shqipërisë beson se periudha deri në fund të vitit 2006, do të vijojë të dëshmojë normalitet në veprimtarinë e sistemit bankar dhe financiar, në ecurinë e vazhdueshme drejt konsolidimit dhe qëndrueshmërisë së tij.