BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2007

Data e publikimit: 19.03.2008

 

Në mbështetje të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë" dhe të qëllimit për të tërhequr vëmendjen e institucioneve të vendit, të tregut financiar dhe të operatorëve të tij, si edhe të publikut, mbi rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e sistemit financiar në vend, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike.

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2007, treguesit makroekonomikë shënuan një ecuri të qëndrueshme. Qeveria arriti që në fund të vitit, të plotësojë objektivat në lidhje me nivelin e të ardhurave dhe të shpenzimeve publike, tepricën negative (deficitin) buxhetore, si edhe në lidhje me madhësinë e financimit të një pjese të shpenzimeve me burime të brendshme të tregut financiar. Shpenzimet e kryera veçanërisht në pjesën e fundit të vitit, ndryshuan tiparet e financave publike, të cilat deri atëherë shfaqën një tepricë pozitive buxhetore. Banka e Shqipërisë, ka monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën e likuiditetit të tregut ndërbankar, ku veprimet e qeverisë dhe më konkretisht ecuria e huamarrjes dhe e shpenzimeve publike, kanë një ndikim të konsiderueshëm. Në këtë kuadër, gjatë vitit të kaluar, Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë realizuan një marrëveshje për investimin e likuiditetit të tepërt të qeverisë në instrumentet përkatëse financiare të ofruara nga Banka e Shqipërisë. Në këtë mënyrë, u zbut presioni afatshkurtër dhe i dëmshëm mbi nivelin e likuiditetit dhe mbi normat e interesit në tregun ndërbankar.

Presionet inflacioniste në ekonominë e vendit, u ashpërsuan dhe u evidentuan qartë në tremujorin e fundit të vitit. Efekteve negative mbi kostot e prodhimit dhe ofertën e mallrave, të krijuara si rezultat i motit të thatë në periudhën e verës dhe të vjeshtës si edhe të situatës së rënduar energjitike brenda vendit, iu shtuan pasojat e një situate të vështirë në tregjet globale të lëndëve të para të energjisë dhe të produkteve ushqimore. Struktura e papërshtatshme e prodhimit në vend si edhe varësia nga produktet e importuara, janë faktorë të cilët ulin mekanizmat mbrojtës të ekonomisë së vendit ndaj zhvillimeve të tilla rajonale dhe globale. Si rezultat, në muajt shtator dhe tetor të vitit 2007, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit sipas vlerësimit të Institutit të Statistikave, rezultoi përkatësisht 4.4 për qind dhe 4.2 për qind, përtej kufirit maksimal të synuar nga Banka e Shqipërisë, prej 4 për qind. Për të shmangur qëndrueshmërinë e presioneve inflacioniste, Banka e Shqipërisë rriti dy herë normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes, duke e ngjitur atë në nivelin 6.25 për qind. Në fund të vitit, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit rezultoi 3.1 për qind, brenda kufijve të synuar të Bankës së Shqipërisë dhe pranë objektivit prej 3 për qind. Gjatë të njëjtës periudhë, situata në tregun e këmbimeve valutore u paraqit e qëndrueshme. Vlerat e këmbimit të monedhës kombëtare ndaj atyre të huaja, kanë lëvizur brenda intervaleve historike për periudhën, duke reflektuar gjithashtu situatën në tregjet financiare ndërkombëtare.

Shqetësimi për ngadalësimin e rritjes ekonomike botërore, si rezultat i zgjerimit të vështirësive financiare të krijuara prej cilësisë së dobët të huadhënieve për shtëpi kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u provua i vërtetë në pjesën e dytë të vitit të vitit 2007. Humbjet e konsiderueshme financiare të shkaktuara në disa prej bankave dhe institucioneve financiare më të rëndësishme të botës, ngërçi në kreditim, si edhe shtrëngimi i kushteve të likuiditetit në tregjet ndërbankare, rritën mundësitë për ndikim negativ mbi sektorin real të ekonomisë nëpërmjet rënies së konsumit dhe të investimeve nga ekonomitë familjare dhe shoqëritë e biznesit. Për këtë arsye, Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Banka Qendrore Evropiane si edhe disa banka të tjera qendrore, realizuan në bashkëveprim disa masa për të lehtësuar përmbushjen e nevojave për financim afatshkurtër të bankave dhe të institucioneve të tjera financiare, me një rëndësi globale. Në të njëjtën kohë, administrata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëri publik planin për miratimin e një pakete fiskale. Kjo paketë do të siguronte një stimul financiar prej rreth 150 miliardë dollarësh për ruajtjen e kërkesës së sektorit real të ekonomisë. Qëndrimet ndaj ecurisë së normave bazë të interesit prej bankave kryesore qendrore, u diktuan nga ndryshimet që ato kanë në objektivat e realizimit të politikës monetare. Kështu, Rezerva Federale ktheu drejtimin e lëvizjes së normës bazë të interesit, duke realizuar tre ulje të saj në periudhën shtator-nëntor deri në nivelin 4.25 për qind. Ajo gjithashtu, shprehu gatishmërinë për të vijuar me ulje të tjera për të shmangur rënien e ekonomisë në recesion dhe rritjen e papunësisë. Ndërkohë, zhvillimet e pafavorshme inflacioniste në vendet e zonës së euros, mbështetën qëndrimin e Bankës Qendrore Evropiane për të mos ulur normën bazë të interesit prej nivelit 4 për qind, i cili u ruajt deri në fund të vitit. Pritshmëritë për ngadalësim më të shpejtë të rritjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe ngushtimi i diferencave të normave të interesit, ndikuan në dobësimin e përgjithshëm të dollarit amerikan kundrejt valutave të tjera, veçanërisht ndaj monedhës së përbashkët evropiane, euro dhe paundit britanik.

Sistemi financiar në Shqipëri, ka vijuar rritjen e tij të qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2007. Rezultati mjaft i mirë financiar, si në sektorin bankar ashtu edhe në atë financiar jobankar, ka ardhur si rrjedhojë e përdorimit më të mirë të burimeve financiare dhe vazhdimit të zgjerimit relativisht të shpejtë të veprimtarive me kthim të lartë nga investimi. Prirja afatgjatë për rënien graduale të treguesit të kapitalizimit të sektorit financiar dhe veçanërisht të atij bankar ka vazhduar, por ritmi i rënies është ngadalësuar. Kjo ecuri është përcaktuar nga sjellja e bankave dhe e institucioneve financiare më aktive, në të cilat treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë gjenden pranë niveleve minimale të kërkuara nga kuadri ligjor dhe rregullativ. Gjatë periudhës, ka vijuar hyrja e kapitalit të huaj në institucionet financiare dhe janë konstatuar veprime të bashkimit institucional, të cilat mbështesin konsolidimin e tregut financiar. Në bazë të analizës së autoriteteve rregullative nuk evidentohet ndonjë rrezik, i përcjellë nga zhvillimet rajonale e globale ose i brendshëm, i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar. Megjithatë, në këtë kuadër vlerësohet që spektri i rreziqeve në sistemin financiar po zgjerohet. Për këtë arsye, autoritetet mbikëqyrëse të tregut financiar po monitorojnë me kujdes zhvillimet, duke përgatitur përmirësimet e nevojshme ligjore dhe rregullative.

Aktivet e sektorit financiar kanë njohur rritje të qëndrueshme, por pesha e sektorit financiar jobankar mbetet e ulet duke kufizuar kontributin e këtij sektori ne zhvillimin e qëndrueshëm te të gjithë sistemit financiar. Totali i aktiveve të sistemit financiar në fund të vitit 2007, vlerësohet të jetë pranë nivelit 78.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Pesha e sektorit bankar në të, llogaritet në 76 për qind, nga 69.4 për qind që ishte një vit më parë. Sipas vlerësimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, deri në muajin shtator 2007 vlerësohet që totali i aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit, segment i cili mbizotëron në sektorin financiar jobankar, ishte rritur me 12 për qind, në nivelin 12.98 miliardë lekë. Me këtë rritje, vlerësohet që totali i aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit, të licencuara në vendin tonë, ka përfaqësuar rreth 1.3 për qind të PBB-së. Kundrejt totalit të aktiveve të sektorit bankar, pesha e totalit të aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit ishte vetëm 1.9 për qind në të njëjtën periudhë, duke mos patur ndryshim në krahasim me fundin e vitit 2006. Sipas vlerësimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në fund të vitit 2007, treguesit e veprimtarisë së këtij segmenti të rëndësishëm të sektorit financiar jobankar, duke përfshirë përfitueshmërinë, aftësinë siguruese dhe kapitalizimin, kanë qenë pozitive dhe në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ. Shkalla e penetrimit të produkteve të institucioneve financiare jobankare në tregun shqiptar, mbetet e ulët. Në këtë mënyrë, efekti pozitiv që ai jep, si një mekanizëm që përmirëson karakteristikat e rrezikut të produkteve financiare dhe bankare, është i kufizuar. Megjithatë, vlerësohet që ky segment i tregut mbart një potencial të lartë zhvillimi në të ardhmen. Situata optimiste në tregun financiar jobankar, dëshmohet edhe nga interesi i shtuar i investitorëve të huaj institucionalë, veçanërisht në segmentin e këtij tregu të përfaqësuar nga veprimtaria e sigurimit dhe e risigurimit. Në sektorin bankar, gjatë gjashtëmujorit të kaluar janë finalizuar procedurat e bashkimit të dy bankave, si shprehje e procesit të mirëpritur të konsolidimit të veprimtarisë. Ndryshimet në strukturën e aksionerëve të institucioneve financiare, krahas miratimit të autoriteteve mbikëqyrëse dhe rregullative të secilit sektor, janë analizuar në lidhje me efektet në konkurrencën e tregut dhe janë miratuar nga Autoriteti i Konkurrencës.

Sektori bankar ka zgjeruar më tej investimet në kredi dhe letra me vlerë. Kështu, ai ka ruajtur nivele të kënaqshme të kthyeshmërisë nga veprimtaria, por ka shfaqur rënie të lehtë të treguesve të kapitalizimit dhe të likuiditetit. Në fund të vitit 2007, portofoli i kredive të sektorit bankar arriti në pothuaj 40 për qind të totalit të aktiveve të sektorit, duke shënuar një rritje me 4.4 pikë përqindje në krahasim me fundin e muajit qershor. Investimet në letra me vlerë arritën në 18 për qind të totalit të aktiveve, duke u rritur me 1.6 pikë përqindje në krahasim me të njëjtin periudhë. Në fund të vitit 2007, kthimi nga investimi i aktiveve mesatare rezultoi 1.6 për qind, ndërsa kthimi nga investimi mbi kapitalin aksioner rezultoi 20.7 për qind, pranë niveleve te shënuara ne fund te vitit 2006. Cilësia e kreditimit, ndonëse është ndikuar negativisht nga ritmi i lartë i kreditimit që dikton konkurrenca në treg, ka ndryshuar pak në krahasim me fundin e muajit qershor 2007 dhe konsiderohet e mirë. Kredia në valutë vijon të mbizotërojë në portofolin e përgjithshëm të kredisë. Afati mesatar i maturimit të kredisë është zgjatur. Si rezultat i investimit në aktive me rrezik më të lartë, sektori bankar ruan prirjen vjetore të rënies së treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit, ndonëse këta tregues konsiderohen në nivele të kënaqshme dhe janë mesatarisht më të lartë se ata të vendeve të tjera në rajon. Kapitalizimi i sektorit bankar në fund të periudhës, i përcaktuar sipas treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit, vlerësohet 17.1 për qind, duke rezultuar më i lartë se fundi i muajit qershor, por 0.9 pikë përqindje më i ulët se një vit më parë. Aktivet likuide të sektorit bankar përfaqësojnë 49.8 për qind të totalit të aktiveve, duke shënuar një rënie prej rreth 4 pikë përqindjeje në krahasim me fundin e muajit qershor.

Analiza e karakteristikave të rreziqeve të veprimtarisë financiare tregon për rritjen e nivelit të përgjithshëm të rrezikut dhe paraqet nevojën për një monitorim të vazhdueshëm nga vetë institucionet financiare, nga autoritetet rregullative dhe nga publiku. Rritja e nivelit të rrezikut në veprimtarinë financiare dhe bankare është një proces i pashmangshëm. Ai diktohet nga hapja e ekonomisë dhe integrimi gradual në tregjet financiare rajonale dhe globale. Në të njëjtën kohë, nevoja për të përballuar konkurrencën nëpërmjet rritjes së eficiencës së veprimtarisë, nxit zgjerimin e investimeve në aktive me kthim (dhe rrezik) më të lartë. Integrimi i sistemit financiar shqiptar në tregjet rajonale dhe globale, shoqërohet me rritjen e ndjeshmërisë së tij ndaj zhvillimeve të pafavorshme në tregjet e huaja për shkak të ekspozimeve të drejtpërdrejta ose të tërthorta ndaj subjekteve që dëmtohen nga ato zhvillime. Ky efekt është më i madh nëse ai kombinohet me mungesën e një mbrojtjeje të mjaftueshme financiare nga ana e vetë institucioneve financiare të tregut të brendshëm.

Banka e Shqipërisë vlerëson që situata e vështirë që po kalojnë tregjet ndërkombëtare financiare, shton rrezikun për sistemin financiar shqiptar. Për shkak të disa faktorëve që lidhen me karakteristikat e zhvillimit të veprimtarisë financiare brenda vendit, situata e vështirë në tregjet ndërkombëtare nuk pritet që të ketë një efekt real dhe të ndjeshëm në tregun e brendshëm financiar. Megjithatë, situata në tregjet financiare ndërkombëtare mbetet e paqëndrueshme, ndaj ndikimi i saj mbi tregun e brendshëm financiar mund të ndryshojë. Për këtë arsye, është e nevojshme që këto zhvillimit të ndiqen dhe të analizohen me kujdes nga institucionet financiare dhe autoritetet rregullative të vendit.

Si faktorë që aktualisht mbrojnë sistemin financiar shqiptar nga zhvillimet e pafavorshme në tregjet financiare ndërkombëtare, përmendim:
a) gjendjen mjaft të mirë financiare të sistemit dhe posaçërisht të sektorit bankar;
b) mungesën e produkteve financiare të ngjashme e të sofistikuara, vlera e të cilave u trondit së fundi në tregjet ndërkombëtare financiare;
c) nivelet mjaft të ulëta të nevojës për financim në tregjet financiare ndërkombëtare nga ana e institucioneve financiare shqiptare, dhe posaçërisht nga sektori bankar, në kushtet kur ka mjaft hapësirë për të siguruar financimin e zhvillimit të veprimtarisë nga burimet e brendshme;
d) ekspozimin mjaft të kufizuar të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të institucioneve financiare shqiptare, dhe posaçërisht të bankave, në institucione të tjera dhe në produkte financiare, vlera e të cilave është ndikuar negativisht nga vështirësitë e likuiditetit në tregjet financiare ndërkombëtare;
e) ekspozimin e kufizuar dhe financiarisht të përballueshëm të grupeve bankare evropiane që veprojnë në Shqipëri, ndaj skemës së financimit të huave "sub-prime" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës;
f) performancën e mirë financiare të viteve të fundit të institucioneve financiare dhe të grupeve bankare evropiane, e cila ka krijuar një mbrojtje të mirë financiare nëpërmjet krijimit të rezervave të nevojshme dhe kapitalizimit të bollshëm të veprimtarisë, për të absorbuar goditje të tilla;

Nga ana tjetër, zgjatja në kohë dhe përkeqësimi i mundshëm situatës në tregjet financiare ndërkombëtare, mund të kenë një ndikim të reduktuar në tregun financiar shqiptar nëpërmjet disa drejtimeve, ku veçojmë:

g) ashpërsimin e karakteristikave të rrezikut që mbart huadhënia e shpejtë dhe posaçërisht ajo në valutë, si rezultat i rritjes së luhatshmërisë së kursit të këmbimit dhe ndryshimit të shpeshtë të normave të interesit. Këta janë dy faktorë veçanërisht të rëndësishëm që mund të përcaktojnë aftësinë paguese të huamarrësit në rastin e huasë në valutë. Bankat ashtu si edhe klientët e tyre huamarrës, duhet të ndjekin me kujdes dinamikën e zhvillimeve të këtyre faktorëve, dhe të kryejnë veprimet e nevojshme për t'u mbrojtur nga zhvillimi i tyre i pafavorshëm. Banka e Shqipërisë do të miratojë së shpejti disa masa rregullative, të cilat synojnë të zbusin këtë rrezik për bankat dhe klientët e tyre dhe të tregojnë se është e rëndësishme dhe e shëndetshme për agjentët ekonomikë që të financojnë nevojat për zhvillim në të njëjtën monedhë në të cilën sigurojnë të ardhurat e tyre;
h) ekspozimin e sistemit financiar ndaj sektorëve të ekonomisë që ndikohen negativisht nga rënia e ekonomisë rajonale dhe globale. Për këtë arsye, institucionet financiare jobankare dhe bankat, në përputhje me natyrën e veprimtarisë së tyre, duhet të monitorojnë përqendrimin e produkteve të tyre sipas sektorëve të ekonomisë (duke vlerësuar edhe ndikimin ndërsektorial), duke synuar shpërndarjen sa më të ekuilibruar të veprimtarisë dhe shmangien e përqendrimeve. Ky informacion duhet të bëhet pjesë e politikave dhe e sistemeve të brendshme të vlerësimit të rrezikut, dhe duhet të mbështesë vendimmarrjen e këtyre institucioneve. Në të njëjtën kohë, ky moment shtron nevojën për një analizë të kujdesshme kosto/përfitim nga ana e autoriteteve
shtetërore, lidhur me vendimet që marrin dhe që kanë potencialin të shoqërohen me vështirësi financiare afatshkurtra për sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, ndaj të cilëve sistemi financiar është i ekspozuar;
i) kombinimin e vështirësive në tregjet financiare ndërkombëtare, me dinamikën e pafavorshme të çmimeve të burimeve energjitike dhe të lëndëve të para të produkteve ushqimore në shkallë botërore. Ky kombinim i padëshiruar, kufizon arsenalin e instrumenteve të bankave qendrore për t'iu përgjigjur fuqishëm kërkesës për likuiditet nga tregjet financiare ndërkombëtare, shton rrezikun që kjo situatë të ndikojë negativisht kërkesën globale për konsum dhe investime, si edhe mund të rezultojë në një ngadalësim të rritjes ekonomike në qendrat botërore të zhvillimit ekonomik. Kjo situatë do të ndikojë në ruajtjen e presioneve inflacioniste në ekonomitë e vogla, siç është ekonomia shqiptare, si edhe në shtrëngimin e termave të financimit të brendshëm dhe të jashtëm për agjentët e ndryshëm ekonomikë, duke përfshirë edhe qeveritë;

Në kuadër të zhvillimeve të mësipërme si edhe duke iu referuar sektorit bankar, Banka e Shqipërisë rithekson kërkesën për strukturat drejtuese të bankave tregtare që në përgjithësi, t'i ndjekin me kujdes zhvillimet e tregut, të forcojnë sistemet e kontrollit në institucionet e tyre, të marrin masa për të diversifikuar sa më mirë burimet financiare dhe drejtimet e investimit të tyre, të zhvillojnë në vazhdimësi një veprimtari të mirëkapitalizuar dhe të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme rreziqet e saj. Banka e Shqipërisë do të përforcojë masat për të pasuruar dhe për të zbatuar kuadrin rregullativ në drejtim të përmirësimit të përgjithshëm të sistemeve të vlerësimit të rrezikut në bankat tregtare, si edhe do të bashkëpunojë me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për të nxitur zbatimin e plotë të këtyre parimeve në pjesën tjetër të tregut financiar.

Shkalla relativisht e ulët e zhvillimit të tregut financiar në Shqipëri, kufizon aftësinë e pjesëmarrësve të tregut, dhe në përgjithësi të agjentëve ekonomikë, për të administruar efektivisht pasojat e një situate të pafavorshme financiare. Pamjaftueshmëria e zhvillimit të tregut financiar, mund të shërbejë si një mekanizëm natyral mbrojtjeje ndaj përcjelljes së problemeve financiare midis segmenteve të ndryshme të tregut dhe në marrëdhëniet me tregjet financiare ndërkombëtare, por ky efekt do të jetë i përkohshëm. Për këtë arsye, pjesëmarrësit e tregut duhet të kontribuojnë në ndërtimin e një tregu financiar të zhvilluar dhe eficient, pasi në këtë mënyrë rrisin mundësitë që të përcaktojnë realisht çmimin e produkteve të tyre, që të identifikojnë lëvizjet e ekzagjeruara në çmimin e mjeteve të ndryshme dhe që të realizojnë transaksionet e nevojshme në madhësinë dhe në kohën e duhur. Duke vepruar në këtë mënyrë, tregu ofron një mekanizëm efektiv dhe automatik, i cili zbut pasojat e një situate të vështirë financiare. Nga ana tjetër, nëpërmjet veprimeve të caktuara në një treg që vepron në mënyrë eficiente, bankat qendrore realizojnë më mirë objektivat e politikës së tyre monetare, duke i kontribuar stabilitetit të përgjithshëm financiar. Nisur nga këto koncepte, Banka e Shqipërisë ka krijuar në vite kuadrin e plotë të instrumenteve për të nxitur zhvillimin e tregut ndërbankar. Megjithatë, konstatohen vështirësi. Ato lidhen me nivelin e pamjaftueshëm të konkurrencës dhe me nivelin e bollshëm të likuiditetit, që nuk iu ofron bankave stimujt e nevojshëm për të vepruar aktivisht në treg. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka nxitur një proces diskutimi me bankat tregtare për të gjetur së bashku mënyrat për zhvillimin më të shpejtë të tregut ndërbankar. Nëse do të jetë e nevojshme, këto mënyra do të përfshijnë ndryshime të kuadrit rregullativ të instrumenteve financiare, të kuadrit rregullativ mbikëqyrës si edhe masa të tjera administrative. Në këtë proces, Banka e Shqipërisë do të kërkojë bashkëpunimin me Autoritetin e Konkurrencës, për të identifikuar dhe për të shmangur rastet kur sjellje të caktuara të bankave pengojnë zhvillimin e nje tregu konkurrencial dhe eficient.

Treguesit makroekonomikë për vitin 2008, pritet të realizohen brenda objektivave për një rritje ekonomike të paktën sa ajo e vitit të kaluar, por ndjeshmëria e ekuilibrit makroekonomik ndaj performancës së politikës fiskale dhe monetare është rritur. Krahas disa elementeve që janë përmendur më lart në këtë deklaratë, ky vit karakterizohet nga parashikimi i një buxheti qeveritar me përmasa të konsiderueshme. Në të njëjtën kohë, për shkak të nevojës për të financuar disa investime të rëndësishme për ekonominë e vendit, deficiti buxhetor parashikohet të rritet. Këto dy zhvillime, do të rrisin presionet inflacioniste në ekonomi. Por efekti i tyre pritet të jetë i administrueshëm nëse realizohen objektivat për orientimin e një pjese të rëndësishme të shpenzimeve për projektet e mëdha të infrastrukturës, si edhe nëse realizohet një shpërndarje më e mirë në kohë e të ardhurave dhe e shpenzimeve të përgjithshme. Përmasat e buxhetit dhe rritja e huamarrjes së brendshme, mundësojnë që qeveria të shndërrohet në një lojtar të rëndësishëm të tregut financiar. Në këto kushte, realizimi i objektivave të saj për modernizimin e funksionit të administrimit të borxhit publik, fiton rëndësi të veçantë. Në këtë proces, Banka e Shqipërisë do të ofrojë bashkëpunimin e nevojshëm. Si gjithmonë, Banka e Shqipërisë, do të ndjekë me vëmendje efektin e zhvillimeve të ndryshme ekonomike mbi nivelin e çmimeve, dhe do të veprojë në kohën e duhur dhe me instrumentet e nevojshme, për të mos lejuar qëndrueshmërinë e presioneve të mundshme inflacioniste.

Pavarësisht nga sfidat që gjenden përballë autoriteteve publike dhe agjentëve të ndryshëm ekonomikë, Banka e Shqipërisë beson se realizimi i politikave të miratuara si edhe fleksibiliteti i ekonomisë, do të ndikojnë në realizimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme gjatë vitit 2008. Sistemi financiar dhe posaçërisht sektori bankar, do të luajnë një rol aktiv në ndërmjetësimin financiar dhe në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit, duke ruajtur qëndrueshmërinë dhe performancën e mirë financiare.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu