BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009

Data e publikimit: 14.04.2010

 

Në mbledhjen e tij të datës 14 prill 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi "Raportin e stabilitetit financiar për vitin 2009".

Në vijim do të gjeni një përmbledhje të këtij raporti.

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr.9962, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", për të informuar Këshillin e Ministrave, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike, si pjese e Raportit te Stabilitetit Financiar.

Për shkak të stimujve të jashtëzakonshëm fiskalë e monetarë në periudhën 2008-2009 dhe pas përmirësimit të situatës në sektorin financiar, ekonomia botërore paraqitet e stabilizuar dhe në prag të një rigjallërimi të qëndrueshëm. Më konkretisht

  1. Stimujt e jashtëzakonshëm monetarë e fiskalë të ofruar nga autoritet publike në mbarë botën kanë rezultuar efektivë në uljen e tensioneve në tregjet financiare dhe në zbutjen e ndikimit negativ të krizës në sektorët realë të ekonomisë. Stabilizimi i tregjeve financiare ndodhi më shpejt nga sa pritej, por mjaft nga parametrat e tregjeve që lidhen me vëllimet, me likuiditetin, me çmimet, janë ende larg niveleve të parakrizës duke reflektuar praninë e pasigurisë nga ana e agjentëve ekonomikë. Kushtet e huamarrjes janë ende të vështira, veçanërisht për sipërmarrjet e mesme dhe të vogla, si edhe për konsumatorët. Tregjet e produkteve të strukturuara vazhdojnë të jenë të dëmtuara duke e vështirësuar rolin ndërmjetësues të institucioneve financiare, ndërsa funksionimi i tregjeve të kapitalit në segmentet e pakolateralizuara apo me cilësi të ulët, ka qenë i dobët dhe me kosto të lartë.
  2. Ecuria e sektorit financiar ka ndikuar ecurinë e sektorit real të ekonomisë, por rikuperimi i këtij të fundit ka qenë përgjithësisht më i ngadaltë. Aktiviteti ekonomik i vendeve të zhvilluara është tkurrur në total me 3.9 për qind gjatë vitit 2009, por ka shfaqur shenja të qarta stabilizimi në gjashtëmujorin e dytë të vitit nën ndikimin e politikave stimuluese. Vlerësohet që rigjallërimi i ekonomisë së këtyre vendeve do të jetë i ngadaltë dhe niveli i prodhimit do të mbetet nën prirjen historike, të paktën deri në vitin 2011. Grupi i vendeve në zhvillim ka mbajtur peshën kryesore të aktivitetit ekonomik global, me një rritje mesatare të përgjithshme prej 2.1 për qind gjatë vitit 2009. Në këtë grup vendesh, ndikimin kryesor në rritjen ekonomike e kanë dhënë vendet në zhvillim të Azisë, ndërsa vendet në zhvillim të Evropës kanë shfaqur një rigjallërim më të ngadaltë të ekonomisë.
  3. Ecuria ekonomike e Evropës ka ardhur duke u përmirësuar gjatë vitit 2009, veçanërisht në tremujorin e fundit, por përmirësimi ka ndodhur me ritme më të ngadalëta se në SHBA dhe me diferenca të theksuara midis vendeve të rajonit. Stimujt monetarë e fiskalë dhe rigjallërimi i aktivitetit tregtar ishin dy faktorët kryesorë që mbështetën stabilizimin ekonomik të rajonit. Vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, vlerësohet se kanë pësuar një tkurrje të ekonomisë me 4.3 për qind në vitin 2009. Vendet e Zonës së Euros, vlerësohet se kanë regjistruar një tkurrje të ekonomisë me 4 për qind gjatë vitit 2009. Për këto vende, Komisioni Evropian parashikon një rritje ekonomike modeste me 0.7 për qind gjatë vitit 2010, ku kontributin kryesor do ta japin vendet më të fuqishme si Gjermania dhe Franca. Disa vende të tjera, si Greqia ose Spanja, do të vazhdojnë të përjetojnë tkurrje të ekonomisë. Në përgjithësi, ritmi i rigjallërimit të ekonomisë do të kushtëzohet prej aftësisë ndërmjetësuese të sektorit financiar, ecurisë së tregjeve të mjeteve jofinanciare, situatës fiskale dhe zhvillimeve në tregun e punës.
  4. Zhvillimet në tregjet e këmbimit të valutave, kanë reflektuar perceptimin e tregjeve për shkallën e ndikimit të ekonomive më të avancuara nga kriza financiare ndërkombëtare. Gjatë vitit 2009, dollari amerikan është nënçmuar ndaj euros dhe valutave të tjera kryesore. Megjithatë, në dy muajt e fundit të vitit, duket se pritjet për shpejtësinë e rigjallërimit të ekonomive kryesore, për lëvizjet në normat e interesit të politikës monetare si edhe për qëndrueshmërinë e pozicioneve fiskale, kanë mbështetur një mbiçmim të dollarit amerikan ndaj euros. Sidoqoftë, luhatshmëria në këto tregje ka vijuar të jetë e lartë duke reflektuar praninë e pasigurisë që ende ndjejnë investitorët dhe rritjen e rrezikut të kreditit për borxhin sovran.
  5. Në tregjet e energjisë dhe të lëndëve të para, pas rënies së theksuar të çmimeve në gjysmën e dytë të vitit 2008, u konstatua stabilizimi i çmimeve në fillim të vitit 2009 dhe një rritje relative e tyre pas tremujorit të dytë të vitit. Kjo ecuri u ndikua kryesisht prej rigjallërimit të aktivitetit ekonomik në rajonet në zhvillim dhe falë përmirësimit të kushteve në tregjet financiare botërore.
    Megjithë pritjet për një përmirësim të qëndrueshëm të gjendjes së ekonomisë botërore, ekzistojnë gjithashtu disa rreziqe, që mund të bëhen shkak për episode paqëndrueshmërie në rajone ose vende të ndryshme. Këto rreziqe me ndikim më afatgjatë, janë krijuar për shkak të masave që u morën për të përballuar efektin afatshkurtër të krizës. Më konkretisht:
  6. Për shkak se stabilizimi i ekonomisë botërore është realizuar në kushtet e stimulit të jashtëzakonshëm fiskal e monetar, kjo është shoqëruar me përkeqësim të pozicionit fiskal dhe krijimin e rritjeve të paqëndrueshme të çmimeve të mjeteve financiare dhe jofinanciare. Këto pasoja kërkojnë tërheqjen e këtyre stimujve në mënyrë graduale dhe të kujdesshme. Një numër faktorësh që lidhen me vështirësinë në harmonizimin e këtyre politikave në nivel ndërkombëtar, me mundësinë e ndalimit të procesit të rigjallërimit ekonomik në vendet e zhvilluara dhe me shfaqjen e luhatjeve të ndjeshme në treguesit financiarë, ruajnë pasigurinë tek tregjet financiare për ecurinë e ekonomisë botërore në të ardhmen dhe pengojnë një zhvillim ekonomik më të shpejtë.
  7. Rritja e shpejtë e deficiteve buxhetore dhe borxheve publike në mbarë botën ka rritur dyshimet për aftësinë paguese të qeverive të ndryshme. Për shkak të mënyrës së ndërtimit dhe çështjeve të tjera strukturore, Bashkimi Evropian po e ndjen këtë hezitim të investitorëve më tepër se SHBA-të. Situata e vështirë fiskale në disa vende të Eurozonës, kërkon që masat e forta korrigjuese për uljen e deficitit buxhetor në nivel kombëtar, të shoqërohen me mbështetje të mjaftueshme financiare në nivelin e Bashkimit Evropian, me qëllim që qëndrueshmëria e këtij projekti të përbashkët politik dhe monetar të mos vihet seriozisht në dyshim. Nga ana tjetër, në terma më praktikë kjo ndihmë financiare është e nevojshme për të zbutur rritjen e kostos së borxhit edhe për sektorin privat dhe për të zbutur tkurrjen e ekonomisë si rezultat i rënies së ndjeshme të stimulit fiskal.
  8. Në rajonin e Evropës Qendrore dhe Juglindore, mjedisi ekonomik vijon të përballet me sfida të rëndësishme. Sipas raportit të BQE-së, papunësia, rënia e të ardhurave dhe falimentimet në sektorin privat do të mbeten të larta dhe gjatë vitit në vazhdim, duke ruajtur një ndikim negativ në cilësinë e portofolit të kredive bankare dhe në rritjen ekonomike. Gjithashtu, ndjeshmëria e sektorit privat ndaj rrezikut të kursit të këmbimit mbetet e lartë për shkak të huamarrjes ekzistuese në monedhë të huaj. 
  9. Sipërmarrjet private mund të kenë përsëri një vit të vështirë, për sa kohë që tërheqja e stimulit fiskal nuk shoqërohet me rritjen e ndërmjetësimit të sistemit financiar. Aftësia e sektorit privat për të financuar nevojat e tyre për investime në tregjet e kapitalit, do të ndikohet negativisht prej tepricës së kapaciteteve dhe të inventarëve në kushtet e rënies së kërkesës dhe prej rritjes së kostos së emetimit të borxhit privat. Rigjallërimi i ekonomisë në mënyrë të ngadaltë do të diktonte një korrigjim të mëtejshëm të kostove dhe të marzheve të fitimit, duke përcaktuar kështu aftësinë e sipërmarrjeve të biznesit për të përballuar mundësinë e rënies së mëtejshme të kërkesës për mallra.
    Ekonomia e vendit arriti të shënojë një rritje ekonomike pozitive gjatë vitit 2009, megjithë ndikimin e krizës financiare dhe ekonomike ndërkombëtare. Sistemi financiar, i dominuar prej sektorit bankar, u paraqit i qëndrueshëm dhe stimuli fiskal e monetar zbuti vështirësitë e sektorit real të ekonomisë. Më konkretisht:
  10. Gjatë vitit 2009, ekonomia e vendit u përball me ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike, por ruajti një rritje ekonomike pozitive duke shfaqur një rezistencë të mirë ndaj ndikimit të krizës financiare dhe ekonomike ndërkombëtare. Ndër faktorët që ndikuan në rënien e ritmit të rritjes ekonomike përmendim: qëndrueshmërinë e deficitit të bilancit tregtar; rritjen e vështirësive të sipërmarrjeve të biznesit për shkak të rënies së kërkesës së jashtme dhe rënies së financimit nga ana e sektorit bankar; dhe renia e dinamizmit te konsumit të familjeve për shkak të rënies së financimit nga bankat, rënies së dërgesave të emigrantëve dhe pasiguria per nënçmimin e kursit të këmbimit të monedhës kombëtare. Ndër faktorët që mbështetën rritjen ekonomike gjatë vitit të kaluar, përmendim veprimet e autoriteteve publike për të rivendosur me shpejtësi besimin e publikut në sistemin financiar dhe sektorin bankar, si edhe stimulin fiskal që u realizua nëpërmjet rritjes së shpenzimeve publike, veçanërisht të investimeve publike.
  11. Në lidhje me politikën fiskale, në fund të vitit 2009 teprica buxhetore rezultoi negative dhe u vlerësua në masën 79 miliardë lekë ose rreth 7.1 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Sipas analizës së Ministrisë së Financave, të ardhurat e përgjithshme të buxhetit u realizuan në masën 298 miliardë lekë, rreth 93.2 për qind e planit të rishikuar nga ana e Ministrisë së Financave dhe me një rritje prej rreth 2.4 për qind krahasuar me vitin 2008. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit u realizuan në masën 377 miliardë lekë, rreth 94 për qind e planit të rishikuar nga ana e Ministrisë së Financave dhe me një rritje prej rreth 7.8 për qind në krahasim me vitin 2008. Rritja e deficitit të buxhetit është shoqëruar me një rritje të nevojës për huamarrje, me qëllim financimin e tij. Kështu, financimi i deficitit me burime të brendshme ishte në masën 64 për qind, ku pak më tepër se gjysma e tyre përfaqësohej nga të ardhurat nga privatizimet. Pjesa tjetër u financua me burime të jashtme, ku rreth 63 për qind e tyre përfaqësonte financimin me kredi të përfituar nga institucionet financiare jorezidente. Gjatë vitit 2009 pjesa e financimit që është siguruar me huamarrje nga subjektet rezidente, nëpërmjet letrave me vlerë të borxhit ose kredive, vlerësohet në masën 23.8 miliardë lekë, ose 30.8 për qind e nevojave të përgjithshme për financimin e deficitit. Në vitin 2008, të njëjtët tregues ishin përkatësisht në masën 19 miliardë lekë ose 31.5 për qind. Për sa i takon instrumenteve të përdoruara për financim, gjatë vitit 2009 ka patur një ritëm më të ulët të emetimit të letrave të vlerë të borxhit afatgjatë, në krahasim me vitin 2008. Arsyeja lidhet me preferencën më të madhe të investitorëve, kryesisht të bankave dhe të individëve, për investimet në instrumente afatshkurtra, në kushtet e rritjes së pasigurisë për nevojat e tyre për fonde likuide. Në afatin e shkurtër, një politikë fiskale me karakter ekspansionist i sherbeu nevojes për të ofruar një përgjigje kundërciklike ndaj ndikimit të krizës ndërkombëtare mbi zhvillimin e ekonomisë së brendshme. Duhet patur në konsideratë që efekti i këtij stimuli mbi zhvillimin ekonomik, u shfaq më i dobët në tremujorin e fundit të vitit, duke e bërë të nevojshme njohjen më të mirë të faktorëve strukturorë që kushtëzojnë përcjelljen e stimujve fiskalë e monetarë në zhvillimin e ekonomisë. Me fjalë të tjera, eficienca reale e një politike fiskale ekspansioniste mund të gjykohet me saktësi më të madhe vetëm nëpërmjet vlerësimit të eficiencës së përdorimit të stimulit fiskal në projektet e ndryshme të zhvillimit.
  12. Për sa i takon gjendjes së sektorit real të ekonomisë gjatë vitit 2009, tregues të ndryshëm mbështesin vlerësimet për një situatë përgjithësisht më të dobët në krahasim me vitin 2008, një prirje e përforcuar kryesisht në tremujorin e fundit të vitit. Ndër to përmendim rënien e të ardhurave të buxhetit që mblidhen në formën e taksave dhe të tatimeve, rënien e investimeve dhe të konsumit si rezultat i rënies së financimeve prej sektorit bankar dhe dërgesave nga jashtë, dhe në përgjithësi ngadalësimin e rritjes ekonomike. Informacioni që merret nëpërmjet vrojtimeve konfirmon këtë situatë. Kështu, ndonëse vlera nominale e shitjeve u rrit mesatarisht me rreth 6 për qind në vitin 2009, në tremujorin e katërt të vitit rritja e tyre ishte vetëm 2 për qind. Sektorët e industrisë dhe të ndërtimit kanë patur një ndikim negativ në ecurinë e shitjeve, ndërsa sektori i shërbimeve ka dhënë ndikimin kryesor pozitiv në ecurinë e tyre. Në gjendjen ekonomike të bizneseve, përgjithësisht konstatohet rritja e kapaciteteve të papërdorura dhe rënia e investimeve, si edhe përkeqësim i pritjeve për ecurinë e përgjithshme të ekonomisë. Kështu, në fund të vitit 2009, përdorimi i kapaciteteve nga ana e bizneseve zbriti në rreth 66 për qind, kundrejt mesatares afatgjatë prej rreth 74 për qind. Gjithashtu, në tremujorin e fundit të vitit 2009, treguesi i pritjeve ekonomike zbrit me rreth 16.8 pikë përqindjeje prej mesatares së tij afatgjatë, pas një ecurie pozitive në dy tremujorët paraardhës. Indeksi i besimit të biznesit ka shënuar gjithashtu rënie në tremujorin e katërt të vitit 2009, në përbërësit e tij kryesorë të industrisë, të ndërtimit e më pak të shërbimeve. Nga ana tjetër, besimi i konsumatorëve për zhvillimin e ekonomisë ka qenë më i qëndrueshëm. Për sa i takon zhvillimeve në bilancin e pagesave, gjatë vitit 2009 u konstatua një ulje e lehtë e deficitit të llogarisë korrente dhe e deficitit tregtar në vlerë absolute. Megjithatë, në raport me PBB-në, deficiti tregtar ruajti vlerën 27 për qind, sa edhe në vitet 2007 e 2008. Dërgesat financiare vjetore nga emigrantët, vlerësohen rreth vlerës 780 milionë euro, me një rënie prej rreth 53 milionë eurosh në krahasim me vitin 2008.
  13. Sistemi financiar shënoi zgjerim të veprimtarisë së tij gjatë vitit 2009, ndonëse me ritme më të ulëta se në vitin 2008. Niveli i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri, i matur si raport i mjeteve të sistemit financiar[1] ndaj PBB-së, vlerësohet se është ngritur në nivelin 83 për qind në fund të vitit 2009, kundrejt 82 për qind në fund të vitit 2008. Në fund të vitit 2009, vëllimi i mjeteve të institucioneve financiare u rrit me rreth 7 për qind krahasuar me fundin e vitit 2008. Sektori bankar mbizotëron në vlerën e përgjithshme të mjeteve të sistemit financiar. Në fund të vitit 2009, në vendin tonë operonin 16 banka dhe mjetet e tyre përfaqësonin rreth 94.7 për qind të totalit të mjeteve të sistemit financiar dhe rreth 78.5 për qind të PBB-së. Vlera e mjeteve të sektorit bankar u rrit në 886.3 miliardë lekë, me një rritje nominale vjetore prej 6.3 për qind, ose rritje reale[2] prej 1.2 për qind, kundrejt fundit të vitit të vitit 2008. Ecuria e burimeve financiare, e të ardhurave dhe e kapitalit të sistemit financiar, u ndikua prej krizës financiare ndërkombëtare dhe ndikimit të saj në ekonominë reale të vendit. Në sektorin bankar, rënia e depozitave të publikut u ndërpre në fund të tremujorit të parë, dhe rikthimi i tyre në banka ka vijuar me ritme të qëndrueshme gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit 2009. Sidoqoftë, ndryshimet në situatën e likuiditetit, nënçmimi i kursit të këmbimit si edhe vështirësitë e sektorit real të ekonomisë, ndikuan në ngadalësimin e kreditimit dhe në rënien e cilësisë së tij. Në fund të vitit 2009, veprimtaria e kreditimit, duke përfshirë edhe interesat e përllogaritura, zinte rreth 50.8 për qind të totalit të mjeteve të sektorit bankar, ose rreth 40 për qind të PBB-së. Ndërkohë, raporti i kredive me probleme ndaj vlerës së përgjithshme të portofolit të kredisë u ngjit në nivelin 10.5 për qind. Nevoja për rritjen e fondeve rezervë për përballimin e rrezikut të kreditit nga ana e bankave, ndikoi në rënien e rezultatit financiar të sektorit. Për këto arsye, gjatë vitit 2009, rezultati financiar i sektorit bankar ishte pozitiv për rreth 3.5 miliardë lekë, gati gjysma e vlerës së realizuar një vit më parë. Kapitalizimi i veprimtarisë mbeti i mjaftueshëm gjatë vitit 2009, si rezultat i rënies së ritmit të zgjerimit të investimeve me rrezik të lartë në banka, injektimit të kapitalit të ri nga aksionerët dhe ruajtjes së një rezultati neto pozitiv. Në fund të vitit 2009, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 16.2 për qind. Autoritetet publike ndërmorën disa veprime për të mbështetur sistemin financiar dhe veçanërisht sektorin bankar, gjatë vitit 2009. Ndër këto veprime, veçojmë miratimin e ligjit për rritjen e vlerës së sigurimit të depozitave të publikut, si edhe vendimet e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të kufizuar ekspozimin e bankave ndaj grupeve të huaja bankare zotëruese dhe për të pezulluar shpërndarjen e fitimit të bankave të realizuar në vitin 2008 dhe gjatë vitit 2009. Së bashku me këto vendime, gjatë vitit 2009 vijuan të zbatohen edhe një sërë vendimesh të tjera të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë që në tremujorin e fundit të vitit 2008, në lidhje me krijimin e kushteve më lehtësuese për sigurimin e likuiditetit në tregun ndërbankar. Vendimet e Bankës se Shqipërisë në muajt janar dhe tetor për të ulur normën bazë të interesit me 1 pikë përqindje, në nivelin 5.25 për qind, kontribuan më tej në rritjen e mundësive të sektorit bankar për të siguruar likuiditet me një kosto më të ulët.
    Nga këndvështrimi i nevojës për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit, është e nevojshme të ndërmerren disa veprime për të korrigjuar disa disekuilibra të krijuara gjatë vitit të kaluar. Më konkretisht:
  14. Zhvillimi ekonomik i vendit gjatë vitit 2010, do të mbështetet prej një situate më të favorshme të ekonomisë ndërkombëtare, e cila do të ofrojë një mjedis më të mirë për investimet e huaja dhe do të mbështesë më mirë kërkesën për eksportet e vendit. Megjithatë, ky ndikim pozitiv pritet të jetë i kufizuar, për shkak të problemeve të shfaqura në ekonominë greke. Në ekonominë e brendshme, zhvillimet e konstatuara gjatë vitit 2009 në lidhje me rritjen e deficitit buxhetor dhe të borxhit të brendshëm, uljen e ritmit të kreditimit nga ana e sektorit bankar, dhe një situatë më e ngurtë në ecurinë e prodhimit dhe të konsumit, duhet të adresohen nëpërmjet veprimeve të shpejta dhe të vendosura, me një shtrirje kohore të përshtatshme. Në këtë kuadër, është e domosdoshme të kontrollohet deficiti buxhetor për vitin 2010, në nivele që garantojnë respektimin e objektivave të përcaktuar në Kuadrin Makroekonomik Afatmesëm, në lidhje me nivelin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Shkurtimi i shpenzimeve, veçanërisht i atyre korrente, duhet të jetë instrumenti kryesor në realizimin e këtij objektivi, në kushtet kur ecuria e të ardhurave publike mbetet e paqartë dhe potenciali i rritjes së tyre duket i kufizuar. Ulja e shpenzimeve publike do të ndikojë në përmirësimin e deficitit të llogarisë korrente në bilancin e pagesave, duke ndikuar pozitivisht në faktorët që përcaktojnë qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, konsolidimi i financave publike, i pasqyruar nëpërmjet rivendosjes së prirjes rënëse të deficitit buxhetor, merr rëndësi në lidhje me mundësinë dhe me uljen e kostos së financimit të tij, duke përmirësuar në vazhdimësi situatën e likuiditetit në tregun financiar dhe duke çliruar më shumë burime financiare në sistem, përdorimi i të cilave do të mbështesë rritjen e kreditimit në sektorin privat. Sipërmarrjet e biznesit dhe familjet do të vazhdojnë të ndjejnë vështirësi edhe gjatë vitit 2010, për sa kohë që ecuria e paqëndrueshme e të ardhurave të disponueshme dhe e konsumit, do të ndikojë në ruajtjen e kapaciteteve të lira dhe në ritmin e ulët të investimeve private. Megjithatë, kjo periudhë duhet të shfrytëzohet nga sipërmarrjet e biznesit për të kontrolluar kostot dhe për të kryer veprimet e nevojshme për ristrukturimin e veprimtarisë me qëllim përmirësimin e eficiencës. Në përgjithësi, këto veprime të autoritetit fiskal dhe të agjentëve ekonomikë privatë në afat të shkurtër, janë të nevojshme për të krijuar një mjedis më të përshtatshëm që do të mundësojë ndërmarrjen e masave të tjera për rritjen e kontributit të prodhimit në rritjen ekonomike dhe rritjen e kursimeve të brendshme, në një afat më të gjatë.
  15. Sistemi financiar do të vijojë të zgjerojë veprimtarinë e tij edhe gjatë vitit 2010. Për shkak të peshës së ulët në sistemin financiar, pjesa e institucioneve financiare jobankare do të vazhdojë të provojë një rritje natyrale të veprimtarisë. Sektori bankar do të zgjerojë veprimtarinë në nivele më të larta se në vitin 2009, por përsëri më pak se mesatarja afatgjatë e rritjes vjetore. Zgjerimi i veprimtarisë ka të ngjarë të jetë më i shpejtë në gjysmën e dytë të vitit. Në drejtim të burimeve të financimit të veprimtarisë, sektori bankar do të përfitojë prej rritjes së qëndrueshme të depozitave të publikut. Rritja e depozitave në lekë, do te vazhdoje te mbeshtetet prej flukseve më të qëndrueshme për depozituesit, kthimit real pozitiv dhe pritjes për një qëndrueshmëri më të madhe në kursin e këmbimit. Rritja e depozitave në valutë do të reflektojë ecurinë sezonale duke qenë më e lartë në stinën e verës. Struktura e maturimit të depozitave në përgjithësi, nuk pritet të ketë ndryshime të rëndësishme prej gjendjes aktuale, megjithatë afati mesatar i maturimit të depozitave pritet të jetë më i lartë gjatë vitit 2010, në krahasim me vitin 2009. Madhësia e këtij ndryshimi do të përcaktohet prej ecurisë së të ardhurave të depozituesve dhe prej stimujve që do të vendosin bankat për të orientuar strukturën e kursimeve. Banka e Shqipërisë do të vijojë të ofrojë likuiditetin e nevojshëm në tregun ndërbankar. Përsa i takon linjave të financimit dhe kapitalit të aksionerëve, Banka e Shqipërisë do të vijojë të kërkojë që bankat të disponojnë sasitë e nevojshme jo vetëm për të zhvilluar një veprimtari normale e për të qenë në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ, por edhe për të mbështetur një rigjallërim të veprimtarisë me rreziqe të mirëkontrolluara. Përsa i takon investimeve të bankave, Banka e Shqipërisë pret ritme pak më të larta të kreditimit nga ana e sektorit bankar gjatë vitit 2010 në krahasim me vitin 2009, ku pjesa më e madhe e rritjes vlerësohet të ndodhë në gjysmën e dytë të tij.

VLERËSIM MBI NDJESHMËRINË E SEKTORIT BANKAR NDAJ RREZIQEVE

Stabiliteti i sistemit financiar dhe veçanërisht i sektorit bankar, përcaktohet nga marrëdhëniet e veprimtarisë financiare me zhvillimet ekonomike të brendshme dhe të jashtme, dhe ndërveprimin e tyre me gjendjen e brendshme të vetë sistemit financiar. Mbështetur mbi analizën e zhvillimeve të vitit 2009, vlerësohet që niveli i përgjithshëm i rrezikut për sistemin financiar dhe sektorin bankar, është ulur. Megjithë përmirësimin e disa elementeve të veprimtarisë financiare në afat të shkurtër, gjatë vitit 2009 janë shfaqur disa sfida që do të ndikojnë mbi veprimtarinë e sistemit financiar dhe veçanërisht të sektorit bankar, për një periudhë afatmesme, duke kërkuar në këtë mënyrë një monitorim dhe trajtim të kujdesshëm.

Në afat të shkurtër, situata financiare e sektorit bankar ka përfituar pozitivisht nga këto zhvillime:

a) përmirësimi i ndjeshëm i situatës së likuiditetit, në kushtet e rikthimit të besimit të publikut dhe rritjes së qëndrueshme të depozitave. Vlerësohet që gjatë vitit 2009, rritja vjetore e vlerës së depozitave të publikut ishte në nivelin 7.6 për qind, duke u ngjitur në vlerën 694.3 miliardë lekë. Kjo vlerë është pothuaj e njëjtë me vlerën e depozitave në fundin e muajit shtator 2008, përpara fillimit të tërheqjes së depozitave. Megjithatë, në këtë krahasim duhet patur parasysh edhe nënçmimi i kursit të këmbimit të lekut gjatë vitit 2009, i cili ndikon në rritjen e vlerës në lekë të depozitave në valutë. Sidoqoftë, është e rëndësishme që rritja e depozitave të publikut në banka gjatë vitit 2009, ka vijuar me ritme të qëndrueshme edhe gjatë muajve të parë të vitit 2010. Ritmi i rritjes së depozitave të publikut do të ishte më i lartë nëse do të përmirësohej situata në sektorin real të ekonomisë dhe do të gjallërohej veprimtaria e kreditimit nga sektori bankar.

b) rritja me ritme më të ulëta e mjeteve me rrezik të sektorit bankar. Gjatë vitit 2009 është pakësuar ndjeshëm zgjerimi i mjeteve (aktiveve) me rrezik të sektorit bankar, i ndikuar kryesisht prej ritmit shumë më të ulët të rritjes së kreditimit dhe në përgjithësi, rënies së ritmit të zgjerimit të veprimtarisë bankare. Në fakt, gjatë vitit 2009 sektori bankar e rriti kreditimin me rreth 13.2 për qind, kundrejt një rritjeje prej rreth 35.7 për qind në vitin 2008. Vlerësohet që kredia në lekë është rritur me rreth 23 për qind, ndërsa kredia në valutë është rritur me rreth 9 për qind. Sidoqoftë, në terma realë, rritja reale e kreditimit në valutë ka qenë negative.

c) nënçmimi i kursit të këmbimit të monedhës kombëtare gjatë vitit 2009, vlerësohet se ka ndodhur me një ritëm dhe madhësi të përballueshme, duke i lejuar sektorit bankar dhe agjentëve të tjerë ekonomikë kohën e nevojshme për ndërmarrjen e veprimeve të përshtatshme dhe mbrojtëse. Pritshmëritë për një qëndrueshmëri të kursit të këmbimit gjatë vitit 2010 janë më të mëdha. Megjithatë, lëvizjet në kursin e këmbimit në kushtet e një regjimi fleksibël janë normale dhe duhet të jenë një fenomen i pritshëm nga ana e agjentëve ekonomikë, për të cilin ata duhet të jenë të përgatitur.

d) qëndrueshmëria e infrastrukturës teknike thelbësore të sistemit financiar dhe veçanërisht të sektorit bankar, siç janë sistemet e pagesave. Në këtë kuadër, vlerësohet që sistemet e pagesave që administrohen nga Banka e Shqipërisë, kanë funksionuar mirë dhe kanë patur një mbikëqyrje të përshtatshme nga Banka e Shqipërisë. Për funksionimin normal dhe mbikëqyrjen e sistemeve të pagesave, si në vlera të mëdha ashtu edhe në vlera të vogla, Banka e Shqipërisë ka caktuar burimet e nevojshme njerëzore, financiare dhe teknologjike, si edhe ka punuar për përmirësimin e kuadrit rregullativ që përmirëson eficiencën dhe sigurinë e sistemeve të pagesave. Gjithashtu, do të vlerësohen rregullisht nevojat për përmirësim të procedurave dhe të infrastrukturës teknologjike, për të mbështetur funksionimin normal të këtyre sistemeve në të ardhmen, në kushtet e rritjes së vëllimit të transaksioneve.

Burimet kryesore të rrezikut lidhen kryesisht me situatën makroekonomike në vend dhe me gjendjen e brendshme të disa treguesve të veprimtarisë bankare. Më konkretisht:

  1. Në përgjithësi, zhvillimet ekonomike do të ushtrojnë presion mbi situatën financiare të sipërmarrjeve të biznesit dhe të familjeve, të paktën në gjashtë muajt e parë të vitit 2010. Përmirësimet në ekonominë ndërkombëtare pritet të zbusin efektin ngadalësues mbi rritjen ekonomike në vend, të pakësimit të pritshëm dhe të nevojshëm të stimulit fiskal. Megjithatë, ky ndikim pozitiv pritet të bëhet më i ndjeshëm në gjysmën e dytë të vitit 2010, pas vendosjes në një gjendje më të stabilizuar të ekonomisë greke, si edhe pas ndikimit sezonal të turizmit. Përmirësimi i ekonomisë ndërkombëtare do të përmirësojë pozicionin e ekonomisë së vendit në raport me atë ndërkombëtare dhe do të ndikojë pozitivisht në madhësinë e deficitit të llogarisë korrente. Sidoqoftë, ky efekt pritet të jetë më i ndjeshëm në një periudhë afatmesme. Gjendja financiare e sektorit real të ekonomisë së vendit, e sipërmarrjeve të biznesit dhe e familjeve, pritet të jetë përgjithësisht e pandryshuar, dhe një përmirësim i saj vlerësohet se mund të ndodhë në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Kjo do të thotë që veprimtaria e kreditimit të sektorit bankar do të vazhdojë të ndeshet me një mjedis sfidues dhe përmirësimet e synuara në cilësinë e kredisë do të kërkojnë më tepër kohë për t’u realizuar.
  2. Sektori bankar duhet të synojë një rigjallërim gradual të kreditimit, duke kontrolluar cilësinë e kredisë. Rigjallërimi i kreditimit është një zhvillim i dëshiruar, por kjo duhet të realizohet mbi bazën e një analize të kujdesshme, duke ndjekur me vëmendje ecurinë e cilësisë së kreditimit. Vlerësohet që përkeqësimi i cilësisë së kredisë do të shënojë vlerën më të lartë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 dhe do të stabilizohet në gjysmën e dytë të tij. Një përmirësim gradual por i qëndrueshëm i këtij treguesi, pritet të shfaqet në vitin 2011. Megjithatë, këto parashikime në nivel të përgjithshëm, mbështeten në domosdoshmërinë e ndjekjes me vëmendje të situatës në bankat individuale, të cilat mund të shfaqin zhvillime të ndryshme nga mesatarja e sektorit. Duke patur parasysh këtë element dhe në terma më praktikë, është e nevojshme që për kreditë ekzistuese bankat të reflektojnë plotësisht madhësinë e kredive me probleme dhe të krijojnë rezervat përkatëse për rrezikun e humbjeve nga kreditë. Në portofolin e kredive me probleme, bankat duhet të identifikojnë klientët me probleme të përkohshme dhe të kapërcyeshme, dhe të ndërtojnë politika që ofrojnë mbështetje për këta klientë në këmbim të shtimit të elementëve që mbrojnë bankën prej rrezikut të këtyre kredive në të ardhmen. Për klientët që i vlerësojnë me një mundësi të ulët të pagesës së detyrimit të kredisë, bankat duhet të ndjekin vendosmërisht procedurat ligjore për ekzekutimin e garancive dhe të formave të tjera të kolateraleve, për rikuperimin e një vlere sa më të madhe të kredisë. E gjithë vendimmarrja në këtë proces duhet të jetë e qartë dhe e dokumentuar, dhe duhet të ketë si bazë analizën e strukturave të specializuara të Bankës. Për kreditë e reja, nisur nga përvoja e bankave me problemet e shfaqura në portofolin e kredisë dhe arsyet përkatëse, është e domosdoshme të ketë një shpërndarje më të mirë sektoriale dhe një ekuilibër më të arsyeshëm midis projekteve publike dhe private, midis klientëve që përfaqësojnë sipërmarrje biznesi apo familje, midis formave të dhënies së kredisë në lekë ose në valutë etj., duke e orientuar kreditimin në mënyrë që të zvogëlohet ekspozimi ndaj formave më problematike dhe të ulet përqendrimi i kreditimit në përgjithësi. Duke vlerësuar para së gjithash mundësinë e pagesës së kredisë nga ana e kredimarrësve dhe sigurinë e kreditimit, Banka e Shqipërisë gjykon që ekzistojnë mjaft hapësira për bankat tregtare, që në varësi të madhësisë dhe mundësive që kanë, të mbështesin më shumë kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të ofrojnë mundësi më të mëdha financimi në lekë. Ecuria e cilësisë së portofolit të kredisë do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi rezultatin financiar të bankave. Në këtë kuadër, merr rëndësi edhe ndjekja me kujdes e vlerave të kapitalizimit të veprimtarisë bankare, pavarësisht niveleve të tij aktualisht të mjaftueshme.
  3. Sektori bankar vijon të mbetet i ndjeshëm ndaj lëvizjeve me luhatshmëri të lartë të kursit të këmbimit veçanërisht për ndikimin që këto pë rcjellin në cilësinë e portofolit të kredisë, i cili dominohet prej kredisë në valutë. Në këtë rast, zgjidhja më e mirë do të ofrohej nga zbatimi i politikave më të ekuilibruara të kreditimit të cilat synojnë rritjen e peshës së kredisë në lekë. Përsa i takon pozicionit valutor në bilanc, sektori bankar, si edhe më parë, vazhdon të evidentojë një pozicion të hapur neto në vlera të ulëta, duke kufizuar ndjeshëm madhësinë e humbjeve të mundshme.

Ne nje kuadër me te gjere, përvoja e vendve te tjera per ngjarjet e zhvilluara ne vitet 2008 dhe 2009, duhet të nxisë autoritetet publike në vend për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe procedural të veprimeve për administrimin e situatave që mund të cënojnë stabilitetin e sistemit financiar, sipas ndryshimeve që po përvijohen nga organizmat ndërkombëtare që vendosin standardet në këtë drejtim. Është e rëndësishme që ky proces të jetë i harmonizuar mes autoriteteve publike, duke respektuar peshën e segmenteve të caktuara të sistemit financiar.

Në përfundim, vlerësohet që gjendja e sistemit financiar dhe e sektorit bankar, paraqitet e përmirësuar në krahasim me fundin e vitit 2008, përsa i takon administrimit të veprimtarisë në afat të shkurtër. Në një afat më të gjatë, sektori bankar duhet t’i kushtojë vëmendje trajtimit të problemeve që janë shfaqur në cilësinë e portofolit të kredisë. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, analizat stress-test dhe skenarët e ndryshëm të zhvillimit të disa treguesve të rëndësishëm makroekonomike dhe financiare, tregojnë për një qëndrueshmëri të mirë të sektorit bankar.

[1] Sistemi financiar përbëhet nga bankat dhe të gjitha institucionet e tjera financiare jobanka, ku përfshihen Shoqëritë e Sigurimit.

[2] Duke e marrë kursin e këmbimit të lekut ndaj valutave kryesore, të pandryshuar gjatë vitit 2009.