BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e parë të vitit 2006

Data e publikimit: 01.09.2006

 

Në mbështetje të kërkesës së ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë" dhe të detyrimit për të tërhequr vëmendjen e institucioneve të vendit, të tregut financiar dhe të operatorëve të tij, si edhe të publikut, mbi rreziqet që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe veçanërisht të atij bankar, në vend, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike.

Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2006, sistemi bankar paraqet tregues të mirë të likuiditetit dhe të kapitalizimit. Ai vijon të realizojë një veprimtari fitimprurëse, duke krijuar hapësira për zgjerimin e saj edhe në të ardhmen. Kreditimi i ekonomisë ka vijuar me ritme të shpejta, ndonëse ritmi vjetor i rritjes është më i ulët se ai i shënuar gjatë vitit 2005. Sistemi bankar ka zgjeruar më tej rrjetin e tij, duke u shtrirë gjithnjë e më tepër në territorin e vendit.

Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, treguesit kryesorë të sistemit bankar, paraqiten si më poshtë:

Treguesi

Dhjetor '05

Qershor '06 (1)

 

 

Mjaftueshmëria e kapitalit

18.90%

17.38%

Kapitali aksioner (milionë lekë)

34,506.50

36,162.87

Rezultati neto (milionë lekë)

6,626.70

3,239.42

Kredia me probleme neto / kredia neto

0.83%

1.98%

Kredia me probleme, bruto / totali i bilancit

0.55%

1.1%

Zgjerimi i veprimtarisë së sistemit bankar dhe rritja e kreditimit, janë rezultat i natyrshëm i përmirësimit të eficiencës së përdorimit të burimeve financiare. Ritmi i shpejtë i këtij zgjerimi, në një mjedis konkurrencial, ka rritur presionin ndaj bankave për të vepruar brenda standardeve të adoptuara në drejtim të sistemeve të kontrollit dhe të monitorimit të drejtimeve kryesore të veprimtarisë. Zhvillimet e gjashtëmujorit të parë të këtij viti tregojnë se ritmi i shpejtë i investimeve të burimeve financiare në instrumente që sigurojnë një normë fitimi më të lartë, ka çuar në një ulje të mëtejshme të normës së mjaftueshmërisë së kapitalit dhe në rritjen e treguesve të kredive me probleme. Ndonëse këta tregues janë në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë kërkon nga strukturat drejtuese të bankave tregtare, të hartojnë politika të ekuilibruara dhe më realiste zhvillimi dhe të forcojnë kapacitetet analizuese të rreziqeve të veprimtarisë. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të marrë disa masa të cilat adresojnë çështjet e ngritura më sipër në afat të shkurtër. Këto masa lidhen me ndryshime në kuadrin rregullativ si edhe me forcimin e inspektimeve në banka, duke synuar ruajtjen e kapitalizimit të mirë të veprimtarisë bankare në tërësi dhe ruajtjen e cilësisë së aktiveve, veçanërisht të portofolit të kredisë. Në afat më të gjatë, Banka e Shqipërisë gjykon se standardet e kryerjes së veprimtarisë bankare do të përmirësohen, me miratimin e projektligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë".

Në vijim, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen e autoriteteve mbi efektin që ushtron politika fiskale në sjelljen e likuiditetit të tregut ndërbankar në tërësi. Gjykojmë se është e nevojshme që nëpërmjet shfrytëzimit maksimal të strukturave ndërinstitucionale zyrtare, të forcohet komunikimi për diskutimin më të gjerë dhe në kohë, të çështjeve që dalin në këtë kuadër.

Si konkluzion, sistemi bankar vijon të jetë i kapitalizuar mirë dhe të kreditojë në mënyrë të qëndrueshme ekonominë e vendit. Këto zhvillime pozitive pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Por, ritmet e shpejta të zgjerimit të veprimtarisë së sistemit bankar, në kushtet e një mjedisi konkurrues, duhet të shoqërohen me një vëmendje më të madhe në drejtim të ruajtjes së cilësisë së aktiveve. Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me bankat tregtare, është në prag të marrjes së disa masave që synojnë zbutjen e elementeve të rrezikut që shoqërojnë zgjerimin e shpejtë të veprimtarisë bankare.

(1) - Për muajin qershor janë të dhëna operative