BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008

Data e publikimit: 08.10.2008

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar dhe të nenit 8 të ligjit nr.9962, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", për të informuar Këshillin e Ministrave, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut, mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, zhvillimet e brendshme makroekonomike nuk rrezikuan qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Nëpërmjet veprimtarisë fiskale, në fund të periudhës të ardhurat në buxhet u realizuan në masën 108 për qind të vlerës së parashikuar, ndërsa shpenzimet u realizuan në masën 91 për qind të vlerës së parashikuar. Ritmi i realizimit të të ardhurave dhe të shpenzimeve të buxhetit, në krahasim me vlerat e realizuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ishte përkatësisht rreth 18 për qind dhe rreth 23 për qind më i lartë. Ecuria e mësipërme në realizimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve ndikoi në krijimin e një teprice pozitive në llogarinë e buxhetit, për rreth 4.4 miliardë lekë. Objektivat e buxhetit për fundin e këtij viti, diktojnë rritjen e mëtejshme të ritmit të realizimit të shpenzimeve nga ana e qeverisë, për periudhën e mbetur. Shpërndarja sa më e njëtrajtshme në kohë e shpenzimeve të pritshme, do t'i kontribuojë më mirë ekuilibrave të vendosur në tregun financiar dhe posaçërisht në tregun ndërbankar, ku ecuria e huamarrjes dhe e shpenzimeve publike në kuadër të realizimit të treguesve të buxhetit nga ana e qeverisë, kanë një ndikim të konsiderueshëm. Banka e Shqipërisë, ka monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën e likuiditetit të tregut ndërbankar dhe nëpërmjet përdorimit të instrumenteve përkatëse financiare, ka synuar ruajtjen e qëndrueshmërisë në nivelin e likuiditetit dhe të normave të interesit.

Presionet inflacioniste ishin të ndjeshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008. Gjatë periudhës, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit, arriti nivelin më të lartë në muajin mars, me 4.6 për qind. Gjithashtu, ecuria e nivelit të çmimeve të konsumit u ndikua kryesisht nga situata e pafavorshme në tregjet globale të lëndëve të para të energjisë dhe të produkteve ushqimore, duke zvogëluar ndikimin e mundshëm të veprimeve të politikës së brendshme monetare. Për këtë arsye, gjatë gjithë periudhës Banka e Shqipërisë e ruajti të pandryshuar nivelin e normës bazë të interesit prej 6.25 për qind, duke e gjykuar këtë nivel të përshtatshëm për të ruajtur në të njëjtën kohë stimujt e publikut për të besuar dhe për të investuar në monedhën kombëtare. Në fund të periudhës, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit zbriti në nivelin 4 për qind, duke u kthyer në kufirin e sipërm të korridorit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë prej 2 deri 4 për qind. Ndonëse presionet inflacioniste mbeten relativisht të qëndrueshme, sinjalet që vijnë nga ekonomia rajonale dhe evropiane mbështesin një ngadalësim të rritjes ekonomike, duke favorizuar rënien në vijimësi të presionit inflacionit, që kontribuojnë mallrat e importit. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje këtë situatë, duke qenë e gatshme të kryejë veprimet e nevojshme, në përmbushje të objektivit të saj. Gjatë të njëjtës periudhë, situata në tregun e këmbimeve valutore u paraqit e qëndrueshme. Vlerat e këmbimit të monedhës kombëtare ndaj euros dhe dollarit amerikan kanë lëvizur brenda intervaleve historike për periudhën duke reflektuar gjithashtu, situatën në tregjet financiare ndërkombëtare.

Në vendet e zhvilluara, politikat makroekonomike ndeshen në vështirësi për të gjetur një ekuilibër midis ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe forcimit të presionit inflacionit. Pasojat e krizës financiare dhe të rritjes së çmimeve të produkteve energjitike dhe ushqimore, u materializuan në formën e humbjeve të konsiderueshme në bilanc për institucione të rëndësishme financiare, rritje të kostos së prodhimit dhe të nivelit të përgjithshëm të çmimeve, ulje të konsumit, ngadalësim të rritjes ekonomike dhe rritje të papunësisë. Veprimet e harmonizuara të autoriteteve monetare, kanë shmangur një kolaps të tregjeve financiare nëpërmjet ndërhyrjeve, për t'i dhënë tregjeve likuiditetin e nevojshëm dhe për të shmangur pasigurinë mbi qëndrueshmërinë e infrastrukturës financiare, duke përfshirë mbështetjen e drejtpërdrejtë për institucionet financiare të rëndësishme. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në muajin prill 2008, Rezerva Federale ka ulur deri në nivelin 2 për qind normën bazë të interesit. Rritja ekonomike mbeti pozitive në tremujorin e parë dhe në tremujorin e dytë të vitit, përkatësisht në nivelet 2.5 për qind dhe 3.1 për qind. Kontributin kryesor në këtë rritje e ka dhënë përmirësimi i bilancit tregtar, si rezultat i dobësimit të dollarit amerikan në tregjet financiare. Megjithatë, rritja vjetore e nivelit të çmimeve ka qenë më e lartë për të gjithë periudhën rreth nivelit 4 për qind. Për këtë arsye, presioni mbi Rezervën Federale për një rritje të normës bazë të interesit, është forcuar. Në Zonën e Euros, presioni inflacionist mbeti gjithashtu i fuqishëm gjatë gjithë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008. Norma vjetore e rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit, arriti 4 për qind në fund të muajit qershor, duke qenë mjaft larg objektivit të Bankës Qendrore Evropiane prej 2 për qind. Si rezultat, Banka Qendrore Evropiane ka rritur normën bazë të interesit në 4.25 për qind, duke vërejtur gjithashtu me shqetësim shenjat e shfaqura për një ngadalësim të rritjes ekonomike. Në fakt, në tremujorin e parë të vitit rritja ekonomike në Zonën e Euros ishte 1.9 për qind, ndërkohë që në tremujorin e dytë të vitit ajo ishte 1.4 për qind. Në shkallë botërore, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar presioni inflacionist mbetet i qëndrueshëm. Në ekonomitë e zhvilluara, rritja vjetore e nivelit të çmimeve arriti në 3.5 për qind, në muajin maj 2008. Rritja e inflacionit është më e ndjeshme në vendet në zhvillim, ku norma vjetore e rritjes së çmimeve për mallrat e konsumit u ngjit në 8.6 për qind, vlera më e lartë që prej fillimit të kësaj dekade. Në këto ekonomi, ushqimi dhe energjia përfaqësojnë një pjesë më të madhe të shportës së mallrave të konsumit.

Për pjesën e mbetur të vitit dhe në vazhdim, në vendet e zhvilluara, presioni inflacionist pritet të ekuilibrohet si rezultat i ngadalësimit të ndjeshëm të kërkesës së brendshme. Pritjet e firmave dhe të konsumatorëve në lidhje me zhvillimet ekonomike në këto vende, kanë ardhur në rënie. Në vendet në zhvillim, presioni inflacionit është më i fuqishëm, i nxitur nga çmimet e larta të produkteve që rrjedhin nga pasuritë natyrore, rritja e fortë (por në rënie) ekonomike dhe politikat liberale makroekonomike. Rritja e ekonomisë botërore për vitin 2008 pritet të jetë ndjeshëm më e ulët se në vitin 2007. Kontributin kryesor në rritjen ekonomike, pritet ta japin vendet në zhvillim.

Ndërkohë, kushtet e tregut financiar ndërkombëtar mbeten të vështira. Pasiguria për humbjet në bilanc të institucioneve financiare dhe të bankave, si rezultat i krizës financiare, forcohet nga pritjet për ngadalësimin e rritjes ekonomike. Aftësia e institucioneve financiare për të kredituar në mënyrë cilësore, kushtëzohet nga nevoja për të riekuilibruar gjendjen e tyre financiare. Për këtë arsye, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar kushtet e kreditimit në tregjet e zhvilluara do të vijojnë të jenë të shtrënguara, ndërkohë që përpjekjet për shëndoshjen e gjendjes së institucioneve financiare duhet të vazhdojnë.

Sistemi financiar në Shqipëri ka vijuar rritjen e tij të qëndrueshme, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008. Rezultati i mirë financiar, si në sektorin bankar ashtu edhe në atë financiar jobankar, vijon të mbështetet prej zgjerimit të shpejtë të veprimtarive me kthim të lartë nga investimi. Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë së sektorit bankar, përfaqësohet nga depozitat e publikut. Financimi i veprimtarisë nëpërmjet linjave të kreditimit të marra nga grupet bankare zotëruese, është rritur në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, por është ende në nivele të pranueshme. I ndikuar kryesisht nga sektori bankar, ritmi i rritjes së të ardhurave neto në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, ka qenë më i ulët se ai i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar dhe më i ulët se rritja e aktiveve, duke rezultuar në një vlerë më të ulët të kthimit mbi aktivet dhe mbi kapitalin. Treguesi i kapitalizimit të sektorit financiar dhe veçanërisht të atij bankar është rritur, duke përfituar kryesisht prej kapitalizimit të fitimit të vitit 2007. Në krahasim me fundin e vitit 2007, cilësia e portofolit të kredisë është dobësuar lehtë, por kjo është shoqëruar me rritjen e nevojshme të fondeve rezervë nga ana e sektorit bankar. Treguesi i likuiditetit ka shfaqur rënie, duke mbetur sidoqoftë në nivel të kënaqshëm, më të lartë se vendet e tjera të rajonit. Në nivelet aktuale, rënia e këtyre treguesve konsiderohet objektive dhe e pranueshme në kushtet e zgjerimit të veprimtarisë financiare dhe të asaj bankare.

Aktualisht, nuk evidentohet ndonjë rrezik i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar. Sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe likuid, duke respektuar kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës. Megjithatë, në kushtet e zhvillimeve të pafavorshme në tregjet financiare ndërkombëtare, nevojitet rritja e vigjilencës nga ana e institucioneve financiare për të ruajtur ekspozime sa më të ulëta në këto tregje. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka kërkuar nga strukturat drejtuese të bankave të përcaktojnë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme konkrete, për të ruajtur dhe për të përmirësuar aftësinë për të gjeneruar në vazhdimësi rezultat financiar pozitiv, duke ruajtur cilësinë e aktiveve dhe treguesit e likuiditetit. Banka e Shqipërisë do t'i orientojë dhe do t'i mbështesë këto veprime, nëpërmjet përmirësimit të nevojshëm të kuadrit rregullativ.

Aktivet e sektorit financiar kanë njohur rritje të qëndrueshme, por pjesa e sektorit financiar jobankar vijon të ketë një peshë të ulët në tregun financiar. Totali i aktiveve të sistemit financiar në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, vlerësohet të jetë pranë nivelit 85.8 për qind e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2007. Në fund të periudhës, totali i aktiveve të sektorit bankar vlerësohej në 807.2 miliardë lekë, duke zënë 83 për qind të PBB. Totali i aktiveve të institucioneve financiare jobankare që licencohen nga Banka e Shqipërisë dhe që nuk pranojnë depozita nga publiku, në fund të muajit mars 2008 ishte 14.2 miliardë lekë, duke zënë 1.4 për qind të PBB. Sipas vlerësimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, deri në muajin mars 2008 vlerësohet që totali i aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit, segment i cili mbizotëron në sektorin financiar jobankar, ishte rritur me 8.7 për qind krahasuar me fundin e vitit 2007, në nivelin 14.5 miliardë lekë. Me këtë rritje vlerësohet që totali i aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit, të licencuara në vendin tonë, ka përfaqësuar rreth 1.4 për qind të PBB. Kundrejt totalit të aktiveve të sektorit bankar, pesha e totalit të aktiveve të shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit ishte vetëm 1.9 për qind në të njëjtën periudhë, duke mos patur ndryshim në krahasim me fundin e vitit 2007. Sipas vlerësimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në fund të vitit 2007, treguesit e veprimtarisë së këtij segmenti të rëndësishëm të sektorit financiar jobankar, duke përfshirë përfitueshmërinë, aftësinë siguruese dhe kapitalizimin, kanë qenë pozitivë dhe në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ. Në të njëjtën kohë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vijuar të përsosë kuadrin rregullativ të këtij tregu dhe infrastrukturën teknologjike të monitorimit të tij.

Sektori bankar ka zgjeruar më tej investimet në kredi dhe letra me vlerë, duke ruajtur nivele të mira të kthyeshmërisë nga veprimtaria, por duke evidentuar përsëri rënie të cilësisë së portofolit të kredisë dhe të treguesve të likuiditetit. Në fund të qershorit 2008, portofoli i kredive të sektorit bankar arriti në pothuaj 43 për qind të totalit të aktiveve të sektorit, duke shënuar një rritje me 3.6 pikë përqindje, në krahasim me fundin e vitit 2007. Investimet në letra me vlerë arritën në rreth 19 për qind të totalit të aktiveve, duke u rritur me 1 pikë përqindje në krahasim me fundin e vitit 2007. Në fund të qershorit 2008, kthimi nga investimi i aktiveve mesatare rezultoi 1.3 për qind, ndërsa kthimi nga investimi mbi kapitalin aksioner rezultoi 16.6 për qind. Cilësia e kreditimit, është ndikuar negativisht nga ritmi i lartë i kreditimit që dikton konkurrenca në treg. Raporti i kredisë me probleme ndaj totalit të portofolit të kredisë u ngjit në 4.3 për qind. Në këtë nivel, ky raport është ende më i ulët se mesatarja e vendeve të rajonit dhe konsiderohet i pranueshëm. Kredia në valutë vijon të mbizotërojë në portofolin e përgjithshëm të kredisë. Afati mesatar i maturimit të kredisë është zgjatur. Veprimtaria është financuar nga depozitat e publikut, të cilat përfaqësojnë 80 për qind të totalit të aktiveve. Një burim paralel i financimit të veprimtarisë janë gjithashtu edhe linjat e kredisë nga grupet bankare zotëruese, të cilat zinin 8.6 për qind të totalit të aktiveve. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit ka shfaqur një rritje të lehtë në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, duke u ngjitur në nivelin 17.3 për qind. Si rezultat i investimit në aktive me rrezik më të lartë, sektori bankar ruan prirjen rënëse të treguesit të likuiditetit. Aktivet likuide të sektorit bankar përfaqësojnë 47 për qind të totalit të aktiveve, duke shënuar një rënie prej rreth 5.7 pikë përqindje në krahasim me fundin e vitit 2007. Megjithatë, këta tregues konsiderohen në nivele të mira dhe janë mesatarisht më të lartë se ata të vendeve të tjera në rajon.

Treguesit e sektorit financiar jobankar, i cili përfshin institucionet financiare që licencohen nga Banka e Shqipërisë dhe që nuk pranojnë depozita nga publiku, paraqiten në nivele të mira. Aktivet e institucioneve financiare jobankare për tremujorin e parë të vitit 2008, kanë arritur vlerën 14.2 miliardë lekë, duke u rritur me 1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke rënë me afërsisht 2.3 për qind, krahasuar me fundin vitit 2007. Raporti i llogarive të kapitalit me totalin e aktiveve, ka rezultuar afërsisht 55 për qind për tremujorin e parë të vitit 2008, duke pësuar një rritje me 6 pikë përqindje, krahasuar me fundin e vitit 2007. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2008, portofoli i kredive zinte rreth 58 për qind të totalit të aktiveve. Treguesi i kredive me probleme rezultoi 1 për qind e totalit të kredive të tyre, duke shënuar një rënie të papërfillshme me 0.09 pikë përqindje, krahasuar me fundin e vitit 2007. Të ardhurat nga interesi përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të këtyre institucioneve. Pesha e tyre për tremujorin e parë të vitit 2008 rezulton afërsisht 55 për qind e totalit të të ardhurave, raport ky 11 pikë përqindje më i lartë se tremujori i fundit i vitit 2007.

Përgjithësisht, veprimtaria e shoqërive të sigurimit dhe të risigurimit vazhdon të shfaqë një ecuri pozitive për sa i përket treguesve të kapitalizimit, të cilësisë së aktiveve dhe të likuiditetit. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 tregu i sigurimeve është rritur në masën 18.2 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje është ndikuar nga shtimi i numrit të kontratave të jetës dhe të jo-jetës, si dhe nga rritja e vëllimit të primeve të shkruara bruto. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, pesha e sigurimeve të detyrueshme kundrejt totalit të sigurimeve rezulton në masën 65 për qind. Pjesa tjetër përbëhet nga sigurime vullnetare. Raporti i kapitalit ndaj totalit të aktiveve për tremujorin e parë të vitit 2008 ka rezultuar 52.7 për qind, duke shënuar një rritje të lehtë prej 0.7 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2007. Për të njëjtën periudhë, raporti i kapitalit ndaj rezervave teknike, i cili tregon aftësinë për të përvetësuar humbjet si rezultat i ekspozimit ndaj rreziqeve të mundshme ishte 128 për qind, duke shënuar një rritje të këtij treguesi me 10.2 pikë përqindje krahasuar me një tremujor më parë. Kthimi ndaj kapitalit (ROE), i matur si raport i kthimit nga investimet ndaj kapitalit aksioner të paguar, për tremujorin e parë të vitit 2008 rezultoi 5.3 për qind. Në këto nivele, ky tregues mund të konsiderohet i ulët dhe ka nevojë të rritet. Rritja e shumëllojshmërisë së produkteve të tregut të sigurimeve dhe të risigurimeve, dhe veçanërisht zgjerimi i tregut të produkteve të jo-jetës, pritet të ndikojë në përmirësimin e përfitueshmërisë nëpërmjet gjenerimit më të ekuilibruar të të ardhurave.

Megjithëse gjendja financiare e sektorit bankar paraqitet e kënaqshme, prirja rënëse e treguesve të likuiditetit dhe dobësimi i cilësisë së aktiveve, kërkon rritjen e kujdesit nga ana e industrisë bankare. Analizat e skenarëve të rrezikut, konfirmojnë se sektori bankar është në gjendje të mirë për të përballuar rreziqet e ndryshme që mund të rrjedhin si rezultat i lëvizjeve të padëshirueshme në kursin e këmbimit dhe në normat e interesit. Megjithatë, nevojitet një ndjekje e kujdesshme e ecurisë së cilësisë së aktiveve dhe ka ardhur koha për t'i kushtuar një vëmendje më të madhe ecurisë së treguesve të likuiditetit. Kur analizohen këta të fundit, është e rëndësishme të mbahen në konsideratë disa elemente.

Së pari, mungesa e një tregu të zhvilluar të parasë dhe të tregtimit të letrave me vlerë në vend, kufizon mundësitë e institucioneve financiare për të plotësuar nevojat e papritura për likuiditet, nëpërmjet shitjes së aktiveve të konsideruara si "likuide". Për shkak të krizës financiare në tregjet e huaja, është vështirësuar gjithashtu tregtimi për disa letra me vlerë që më parë preferoheshin nga investitorët. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë vlerëson si të nevojshme ndërmarrjen e nismës përkatëse institucionale dhe ligjore për hartimin e një ligji të vetëm dhe gjithëpërfshirës për marrëveshjet e kolateralit financiar, në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë, të përfaqësuara nga rregullimet përkatëse të Direktivës Evropiane "98/26 EEC", për finalitetin e shlyerjes së pagesave në sistemet e shlyerjes së pagesave dhe të letrave me vlerë, dhe të Direktivës Evropiane "2202/47/EC" mbi kolateralin financiar. Realizimi i këtij ligji, do të mundësonte krijimin e një kuadri të vetëm me rregullime juridike bashkëkohore për krijimin, vlefshmërinë, kundërshtueshmërinë dhe ekzekutimin e marrëveshjeve të kolateralit financiar, duke zëvendësuar rregullimin e tyre të fragmentarizuar në disa ligje.

Së dyti, në diferencat në madhësinë e institucioneve në sektorin bankar, sasia dhe cilësia e kolateralit, si edhe kufizimet për ekspozimet e drejtpërdrejta mes institucioneve, vështirësojnë qarkullimin e fondeve likuide në tregun ndërbankar, në kohën dhe në madhësinë e kërkuar.

Së treti, për shkak të rritjes së konkurrencës, ekziston rreziku i krijimit të mospërputhjeve të rëndësishme midis aktiveve dhe burimeve të financimit në bilanc, për sa i takon llojit të monedhës dhe afatit të maturimit.

Së katërti, disa nga institucionet i janë drejtuar gjithashtu huamarrjes nga grupet bankare zotëruese, në një përpjekje për të ruajtur shpejtësinë dhe madhësinë e kreditimit.

Së pesti, për shkak të faktorëve objektivë që kanë kushtëzuar në kohë mungesën e eficiencës, sektori bankar në vendin tonë ka patur nivele mjaft të larta likuiditeti. Në kushtet e rritjes së konkurrencës dhe përmirësimit të eficiencës, është objektivisht e pritshme që treguesit e likuiditetit të vijnë në rënie. Këta faktorë, vështirësojnë përcaktimin e nivelit optimal të likuiditetit, në të cilin rritja e eficiencës në përdorimin e fondeve, nuk cënon aftësinë e institucionit për të përballuar rreziqet e veprimtarisë.

Të gjitha këto elemente, konfirmojnë nevojën që strukturat drejtuese të bankave të ndjekin praktika që lejojnë vetë institucionin të plotësojë nevojat e pritshme për likuiditet në mënyrë sa më të pavarur, por duke patur edhe alternativa të cilat përmirësojnë aftësinë e tyre për të gjeneruar likuiditet në rast nevoje. Për këtë arsye, bankat janë udhëzuar të rishikojnë cilësinë e portofolit të letrave me vlerë, veçanërisht atë në valutë, për të realizuar karakteristikat optimale të sigurisë dhe të tregtueshmërisë. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqiperise ka kërkuar rivlerësimin e përshtatshmërisë së niveleve të treguesve të caktuar për sa i takon diferencave në afatet e maturimit dhe në llojin e valutës së aktiveve dhe të burimeve të financimit. Në lidhje me burimet e financimit, është e nevojshme të realizohet një shumëllojshmëri sa më e mirë e tyre dhe të ruhen nivele të ulëta të përqendrimit. Huamarrja nga grupet bankare, e cila është kryesisht me afat të shkurtër dhe e ripërtëritshme, përfaqëson një mënyrë alternative të financimit të veprimtarisë krahas depozitave të publikut. Për sa kohë është në nivele të pranueshme, ajo luan një rol të dobishëm në mbështetjen e veprimtarisë së ndërmjetësimit. Sidoqoftë, në këtë rast bankat duhet të shmangin me çdo kusht krijimin e varësisë nga këto fonde, si edhe t'i kushtojnë kujdes shmangies së thellimit të diferencave në llojin e monedhës dhe në afatin e maturimit, që mund të pasojë.

Në rastin e sektorit bankar në vendin tonë cilësia e portofolit të kredisë ka ardhur në rënie, por kjo rënie ka qenë graduale dhe situata paraqitet tërësisht e kontrollueshme. Rritja e shpejtë e kredisë dhe vështirësitë që mund të ndeshin sektorë të veçantë të ekonomisë që janë kredituar në mënyrë të ndjeshme, janë faktorë që do të vijojnë të ushtrojnë presion mbi cilësinë e kredisë edhe në të ardhmen e afërt. Në këto kushte, është e rëndësishme që bankat të ndjekin një politikë të identifikimit sa më të shpejtë të kredisë me probleme dhe të krijojnë menjëherë fondet përkatëse rezervë. Banka e Shqipërisë, do të rrisë numrin e kontrolleve për të verifikuar këtë proces.

Pas zgjerimit të krizës në tregjet ndërkombëtare financiare dhe pasigurisë për përmasat e saj në të ardhmen, rreziku i ndikimit të sistemit financiar në vend, është rritur. Megjithatë, disa faktorë që janë përmendur në deklaratën e mëparshme, ku veçojmë nivelin relativisht të ulët të ekspozimit të sistemit tonë financiar ndaj institucioneve të huaja financiare dhe produkteve që evidentuan krizën financiare, nivelin e ulët të integrimit në përgjithësi dhe mirëkapitalizimin e veprimtarisë së grupeve bankare evropiane dhe të filialeve të tyre që veprojnë në vendin tonë, do të shërbejnë si elemente mbrojtëse për sistemin tonë financiar ndaj këtij rreziku. Në kuadrin e zhvillimeve ekonomike globale, pasiguria për zhvillimet e ardhshme në çmimet e mallrave të konsumit dhe në rritjen ekonomike në vendet e Bashkimit Evropian të Zonës së Euros dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të diktojë ecurinë e normave të interesit në tregjet e parasë dhe të kredisë, si edhe ecurinë e kursit të këmbimit. Nëpërmjet ekspozimit të sektorit tonë financiar në burime dhe aktive të përcaktuara në valutë, këto lëvizje mund të ndjehen edhe në tregun e brendshëm, ndonëse në mënyrë të zbutur. Ekziston gjithashtu rreziku që përcjellja e vështirësive që ndesh ekonomia e vendeve evropiane dhe më gjerë, të pasqyrohet edhe në vendin tonë nëpërmjet uljes së prurjeve financiare nga emigrantët, përkeqësimit të deficitit tregtar dhe uljes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Megjithatë, shkalla e materializimit të këtij rreziku dhe madhësia e tij, do të ndikohen nga shpejtësia me të cilën kriza financiare do të ndikojë në ekonominë reale të rajonit dhe më gjerë.

Në përgjigje të këtyre elementeve të rrezikut dhe në një kuadër më të gjerë, Banka e Shqipërisë do të ndjekë me vëmendje ecurinë e stimujve që nxisin dhënien e shpejtë të kredisë, veçanërisht të asaj në valutë. Gjithashtu, do të analizohen faktorët që përcaktojnë lidhjen më të mirë midis investimeve dhe mënyrës së financimit të tyre, për të mos lejuar krijimin e diferencave midis afateve të maturimit të aktiveve dhe të burimeve dhe për të kontrolluar varësinë prej tregjeve ndërkombëtare.

Intensifikimi i dialogut me industrinë financiare dhe bashkërendimi i veprimeve mes autoriteteve publike që mbikëqyrin tregun financiar, janë elemente të cilat do t'i shërbejnë ruajtjes së besimit të publikut në sistemin financiar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të veprimtarisë së tij në të ardhmen.