BANKA E SHQIPËRISË
Këshilli Mbikëqyrës

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009

Data e publikimit: 14.10.2009

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr.9962, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", për të informuar Këshillin e Ministrave, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike.
 
Stabiliteti i sistemit financiar dhe posaçërisht i sektorit bankar, përcaktohet nga marrëdhëniet e veprimtarisë financiare me zhvillimet ekonomike të brendshme dhe të jashtme dhe nga ndërveprimi i tyre me gjendjen e brendshme të vetë sistemit financiar. Për të gjitha këto elemente, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009, u konstatuan këto zhvillime:

Në ekonominë botërore, kriza financiare përshkallëzoi ndikimin e saj në gjysmën e parë të periudhës duke shkaktuar rënie ekonomike për vendet me ekonomi të përparuar. Gjatë tremujorit të parë të vitit, aktiviteti ekonomik botëror u përkeqësua në mënyrë të ndjeshme. Sipas të dhënave të raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar "Perspektiva Ekonomike Botërore"[1], ekonomia botërore ra me rreth 6.4 për qind, pothuaj me të njëjtën normë sa dhe në tremujorin e fundit të vitit 2008. Rënien më të madhe ekonomike e përjetuan vendet me ekonomi të përparuara. Këtu rënia e kombinuar ekonomike ishte 7.8 për qind, krahasuar me një rënie prej 7.9 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2008. Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u tkurr me rreth 6.4 për qind në tremujorin e parë të vitit, me bazë vjetore. Kjo ecuri u ndikua prej rënies së konsumit të individëve dhe të investimeve në sektorin privat. Rënia e konsumit të individëve u ndikua prej procesit të pakësimit të borxhit, rënies së vlerës së mjeteve financiare dhe jofinanciare, si edhe për shkak të rritjes së ndjeshme të normës së papunësisë. Kjo e fundit u ngjit në nivelin 8.5 për qind, në fund të tremujorit të parë të vitit 2009, krahasuar me rreth 7.2 për qind në fund të vitit 2008. Rënia e investimeve të sektorit privat, u shkaktua prej rënies së shitjeve, rënies së ndjeshme të rezultatit financiar dhe tkurrjes së financimeve. Një ecuri e ngjashme u vu re edhe në ekonominë evropiane, ku ekonomia e Zonës së Bashkimit Evropian shënoi një rënie mesatare prej rreth 2.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2009, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2008. Norma e papunësisë në Zonën e Bashkimit Evropian, u ngjit në nivelin 8.6 për qind në fund të tremujorit të parë. Në Zonën e Euros, ky tregues ishte edhe më i lartë, në nivelin 9 për qind. Nga ana tjetër, edhe situata ekonomike e vendeve në zhvillim, u përkeqësua gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 dhe rënia ekonomike e tyre u thellua në 4.2 për qind, krahasuar me 3.9 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2008. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, disa tregues që i referoheshin bilanceve të kompanive të biznesit dhe stabilizimit relativ të ecurisë së tregjeve të shtëpive, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Mbretërinë e Bashkuar, dhanë shenjat e para të ngadalësimit të përkeqësimit.

Në tremujorin e dytë të vitit, treguesit e zbutjes së krizës ekonomike botërore u shtuan dhe ecuria e tyre u bë më e qëndrueshme. Përmirësimet u shfaqën më shpejt në tregjet financiare, ku oferta e bollshme e likuiditetit dhe politika monetare e lirshme, e ndjekur prej disa muajsh nga ana e bankave qendrore të vendeve me ekonomi të përparuar, nxiti rënien e normave të interesit në tregjet e parasë, mbështeti investimet në letrat me vlerë të borxhit të sipërmarrjeve të biznesit, dhe shkaktoi një rigjallërim të tregjeve të kapitalit, siç tregoi rritja e fortë e indekseve të platformave kryesore të tregtimit të aksioneve. Megjithatë, gjatë periudhës, huadhënia bankare vijoi të tkurret, ndonëse me një ritëm më të ulët rënieje, ndërkohë që shëndeti i bankave mbeti ende një shqetësim. Në kuadër të ecurisë së sektorit real, u vu re rënia më e ulët e prodhimit industrial, një ulje e qëndrueshme e inventarëve të mallrave për sipërmarrjet e biznesit, si edhe rritja e indekseve të besimit të biznesit dhe të konsumatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, kushtet e tregjeve financiare u përmirësuan dhe u shfaq një gatishmëri më e madhe e investitorëve për të investuar në letra me vlerë të borxhit të qeverive të vendeve në zhvillim. Për shkak të këtyre zhvillimeve, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon së fundi se ekonomia botërore do të tkurret me 1.4 për qind për vitin 2009, por do të rritet me 2.5 për qind gjatë vitit 2010, duke rritur me 0.6 pikë përqindje parashikimin e rritjes ekonomike botërore për vitin 2009, të publikuar në muajin prill. Në vendet me ekonomi të përparuar, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) parashikohet të bjerë me 3.8 për qind në vitin 2009, para se të fillojë të rigjallërohet gradualisht me një rritje prej 0.6 për qind në vitin 2010. Megjithatë, norma e papunësisë në vendet me ekonomi të përparuar vijon të rritet. Për shkak të ndikimit negativ që ka papunësia mbi shpenzimet e konsumatorëve, rritja e saj përfaqëson një element rreziku që mund të vonojë në kohë dhe ta bëjë të paekuilibruar rimëkëmbjen ekonomike. Vendet me ekonomi në zhvillim pritet të përjetojnë rritje ekonomike gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009, por me ndryshime të theksuara midis vendeve. Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritjen ekonomike të këtyre vendeve në rajonin e Azisë janë rritur në 5.5 për qind, për vitin 2009 dhe në 7.0 për qind, për vitin 2010. Kontributi më i madh në këtë ecuri pritet të vijë nga rritja ekonomike e Kinës dhe e Indisë. Për vendet e rajonit të Amerikës Latine, parashikimi i rritjes ekonomike për vitin 2009 është përkeqësuar me 1.1 pikë përqindje, kryesisht për shkak se prodhimi në këto vende është dëmtuar nga rënia e tregtisë ndërkombëtare më shumë nga sa pritej në fillim të vitit. Nga ana tjetër, këto vende pritet të përfitojnë nga rritja e çmimit të lëndëve të para, ndaj parashikimi për vitin 2010 është rritur me 0.7 pikë përqindje. Përsa i përket vendeve të rajonit të Evropës Lindore, parashikimi i FMN- së është ulur me 1.3 pikë përqindje për vitin 2009 dhe është rritur me 0.2 pikë përqindje për vitin 2010. Arsyet lidhen kryesisht me rënien e investimeve publike dhe private në këto vende, si edhe me ecurinë në rritje të papunësisë.

Presionet inflacioniste kanë qenë të ulëta në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, dhe pritet të vazhdojnë të tilla edhe për pjesën e mbetur të vitit. Në muajin maj, inflacioni vjetor global ra në nivelin 1.7 për qind, nga rreth 6 për qind që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vendet me ekonomi të përparuara, inflacioni zbriti pranë nivelit 0 për qind, pas rënies së çmimit të naftës në një nivel shumë më të ulët se ai i një viti më parë. Megjithatë, rënia në një situatë deflacioniste ka pak të ngjarë të ndodhë, për shkak të qëndrueshmërisë relative të çmimit të lëndëve të para. Përsa i përket pritjeve të ecurisë së inflacionit në rang botëror për vitet 2009 dhe 2010, ato sugjerojnë presione të ulëta inflacioniste për shkak të ekzistencës së kapaciteteve të pashfrytëzuara ekonomike, të mjaftueshme për të përballuar rritjen relative të kërkesës së përgjithshme.

Ekzistojnë disa faktorë të cilët rrezikojnë qëndrueshmërinë dhe shpejtësinë e rigjallërimit ekonomik. Më konkretisht, mbetja në nivele të larta e normës së papunësisë, paqëndrueshmëria e nivelit të të ardhurave për familjet dhe sipërmarrjet e biznesit, si edhe ecuria e paqëndrueshme e tregut të shtëpive, identifikohen si zhvillime që mund të vonojnë në kohë dhe ta bëjnë të paekuilibruar rigjallërimin e ekonomisë botërore në përputhje me skenarët e mësipërm. Në të njëjtën kohë, mbetet e vazhdueshme nevoja që për një periudhë afatmesme familjet, sipërmarrjet e biznesit, institucionet financiare dhe qeveritë, të vijojnë me politikat korrektuese të bilanceve të tyre financiare, duke synuar vendosjen e raporteve të drejta dhe plotësuese mes kursimeve dhe shpenzimeve.

Autoritetet publike duhet të gjejnë një ekuilibër midis nevojës për të ruajtur stimulin financiar në afat të shkurtër, dhe përgatitjeve për të dalë gradualisht nga politikat e jashtëzakonshme të mbështetjes ekonomike. Në afat të shkurtër, autoritetet publike pritet të shfaqin gatishmërinë e tyre për të vijuar me stimulin financiar gjatë gjithë vitit 2009, e ndoshta edhe më tej. Në çdo rast, veçanërisht në rast të ndryshimit të këtij qëndrimi, kërkohet një komunikim në kohë dhe i drejtë i qëllimeve të tyre, për të mundësuar përshtatshmërinë e tregjeve financiare dhe për të siguruar ruajtjen e qëndrueshmërisë së madhësisë dhe të kostos së fondeve, veçanërisht në afat të gjatë.

Efektet e krizës financiare ndërkombëtare, u ndjenë në ekonominë e vendit dhe në sistemin tonë financiar. Duke qenë një krizë ndërkombëtare, efektet e para u ndjenë mbi bilancin e pagesave, që reflekton marrëdhëniet e ekonomisë tonë me botën. Rritja e papunësisë dhe rënia e financimeve në vendet fqinje anëtare të Zonës së Euros, u shoqërua me rënie të kërkesës për mallrat e vendit dhe me rënie të dërgesave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në ato vende. Në kushtet kur hendeku midis kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme u thellua, kjo u shoqërua me rritje të deficitit të llogarisë korente dhe rritje të presionit mbi kursin e këmbimit. Në të njëjtën kohë, sektori bankar në vend tkurri vëllimin e financimit për ekonominë e vendit në përgjigje të kërkesës së rritur për likuiditet, si rezultat i rënies së depozitave në banka dhe rritjes së kërkesës për borxh nga ana e qeverisë. Efekti i kombinuar i këtyre zhvillimeve, pati ndikim negativ mbi sektorin real të ekonomisë, kryesisht mbi sektorin e biznesit por edhe mbi familjet. Në tremujorin parë të vitit, treguesi i besimit të biznesit ra nën mesataren e tij historike, duke reflektuar një situatë më problematike. Kjo u dëshmua edhe prej realizimit më të ulët të të ardhurave fiskale në krahasim me planin, si edhe prej rënies së cilësisë së portofolit të kredisë, me të cilën sektori bankar është përballur për të gjithë periudhën.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, zhvillimi i sistemit financiar në vend u ndikua prej ndalesës së rritjes së sektorit bankar. Pjesa tjetër e tregut financiar, e përfaqësuar kryesisht nga shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, fondet e pensionit dhe shoqëritë e kursim-kreditit, ka shënuar një rritje të mirë të veprimtarisë. Për sektorin bankar, në fund të muajit qershor, totali i mjeteve mbeti pranë nivelit të tij në fund të vitit 2008, në vlerën rreth 832 miliardë lekë. Në krahasim me muajin qershor 2008, kredia ka shënuar një rritje prej rreth 21.5 për qind, në nivelin 419 miliardë lekë. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, kredia është rritur vetëm me 6.3 për qind. Për sa i takon depozitave, deri në fund të muajit qershor 2009, sektori bankar rimblodhi rreth 1/3 e vlerës së depozitave të humbura në tremujorin e fundit të vitit 2008 dhe në tremujorin e parë të vitit 2009. Ky ritëm i rikthimit të depozitave ka qenë i qëndrueshëm dhe ka vijuar edhe në periudhën e verës. Kthimi i depozitave të publikut në sektorin bankar, pritet të ndikojë pozitivisht edhe në aftësinë e tij për të kredituar ekonominë. Situata më e vështirë e sektorit real të ekonomisë si edhe tkurrja e burimeve të financimit gjatë periudhës, u shoqëruan me rënien e cilësisë së portofolit të kredisë. Në fund të muajit qershor të vitit 2009, kredia me probleme përfaqësonte 8.7 për qind të vlerës së përgjithshme të portofolit të kredisë. Në vijim, bankat kanë rritur fondet rezervë për humbjet e mundshme nga kreditë, dhe kjo është shoqëruar me një ndikim negativ në rezultatin financiar të periudhës. Sidoqoftë, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, sektori bankar shënoi një rezultat financiar pozitiv në vlerën 0.66 miliardë lekë. Përsa i takon kapitalizimit të veprimtarisë, ky tregues mbetet i qëndrueshëm dhe në nivele të kënaqshme. Në fund të muajit qershor 2009, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rezultoi 16.9 për qind. Në ruajtjen e qëndrueshmërisë së treguesit të kapitalizimit të veprimtarisë, ka ndikuar ngadalësimi i investimeve me koeficient rreziku të lartë, ruajtja e një rezultati financiar pozitiv, mosshpërndarja e fitimit dhe rritja e kapitalit nga aksionerët. Për sa i takon treguesve të likuiditetit, në fund të muajit qershor mjetet likuide të sektorit bankar përfaqësonin 40 për qind të totalit të mjeteve, duke mbuluar plotësisht të gjitha detyrimet e sektorit bankar me afat maturimi deri në një vit. Ecuria e këtyre treguesve financiarë të sektorit bankar reflektoi përgjithësisht të njëjtën sjellje edhe në periudhën korrik-gusht 2009.

Për shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, totali i mjeteve për tremujorin e parë të vitit 2009 arriti në 16.5 miliardë lekë, me një rritje 6 për qind krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2008, ose me një rritje prej 13.4 për qind referuar të njëjtës periudhë të një viti më parë. Në këto nivele, mjetet e shoqërive të sigurimit përbëjnë rreth 1.5 për qind të PBB-së së vendit dhe rreth 1.9 për qind të totalit të mjeteve të sistemit financiar. Niveli i kapitalizimit të shoqërive të sigurimit, i matur si raporti i llogarive të kapitalit ndaj totalit të aktiveve, paraqitet në nivele të kënaqshme, rreth 56.5 për qind. Fitimi i vitit financiar për shoqëritë e sigurimit rezultoi 0.5 miliardë lekë, krahasuar me 0.3 miliardë lekë që llogaritej në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009, veprimtaria operacionale e shoqërive të sigurimit shënoi rritje të kontratave, të pagesave të dëmeve, të kapitalizimit dhe të normave të fitimit. Në këtë periudhë, kontratat e sigurimit u rritën me 29 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e numrit të kontratave u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 4 miliardë lekë ose 27 për qind më lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Tregu i sigurimeve vazhdon të jetë i orientuar kryesisht drejt sigurimeve të Jo-Jetës, të cilat kontribuan me rreth 92 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kontribuan me rreth 8 për qind. Primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 48 për qind të tregut, ndërsa primet e sigurimit të detyrueshëm zënë rreth 52 për qind të tregut. Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimit arriti në rreth 0.8 miliardë lekë ose 23 për qind më shumë se e njëjta periudhë një vit më parë. Rreth 89 për qind e dëmeve të paguara bruto i përkasin sigurimeve motorike.

Tregu i pensioneve private[2] ka njohur zhvillime pozitive në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, i treguar prej rritjes së nivelit të kontributeve të cilat arritën në 0.06 miliardë lekë. Megjithatë, ky treg vazhdon të zërë një pjesë thuajse të papërfillshme në sistemin financiar dhe njëkohësisht edhe në PBB-në e vendit.

Shoqëritë e kursim-kreditit[3] regjistruan rritje të lehtë të mjeteve të tyre prej rreth 2 për qind në tremujorin e parë të vitit 2009 krahasuar me fundin e vitit 2008. Totali i aktiveve të shoqërive të kursim-kreditit arriti në 4.4 miliardë lekë duke zënë afërsisht 12.4 për qind të mjeteve të institucioneve financiare jobanka (përfshirë këtu dhe shoqëritë e sigurimit dhe fondet e pensionit). Pesha e tyre ndaj PBB-së vlerësohet në rreth 0.4 për qind. Aktiviteti kreditues përfaqëson drejtimin kryesor të veprimtarisë, duke zënë 81 për qind të totalit të aktiveve.

Përsa i takon spektrit të rreziqeve të sektorit bankar, vlerësohet se ashpërsia e rreziqeve në afat të shkurtër është ulur, por sidoqoftë kërkohet një vëmendje e veçantë e ecurisë së treguesve të veprimtarisë bankare në një periudhë afatmesme. Në afat të shkurtër, gjendja e sektorit bankar ka filluar të ndjejë lehtësim për shkak të përmirësimit të situatës financiare të grupeve bankare evropiane dhe prej rikthimit të ritmit rritës të depozitave të publikut. Si rezultat, burimet e financimit të veprimtarisë, si nëpërmjet kapitalit ashtu edhe nëpërmjet huamarrjes nga rezidentët dhe jorezidentët, do të zgjerohen duke mundësuar një ngadalësim të ritmit të rënies së kreditimit dhe të investimeve dhe, më tej, një rritje graduale të tyre. Megjithatë, në afat të mesëm ritmet e zgjerimit të veprimtarisë, në drejtim të rritjes së investimeve fitimprurëse, do të jenë më të ulëta se ato që ishin deri në vitin 2008. Rritja e investimeve në lekë të sektorit bankar pritet të vazhdojë, për shkak të burimeve më të bollshme të financimit në monedhën vendase. Nga ana tjetër, rritja e fondeve rezervë për të përballuar humbjet e mundshme nga kreditë, do të vazhdojë të ndikojë në paqëndrueshmërinë e rezultatit financiar. Rezultati më i ulët financiar i veprimtarisë, do të ofrojë një mbështetje më të ulët të zgjerimit të veprimtarisë me burime të brendshme, duke kërkuar një angazhim të qëndrueshëm të aksionerëve të bankave.

Autoritetet publike në vend, ndikuan në zbutjen e efekteve të krizës financiare ndërkombëtare mbi ekonominë e vendit, në afat të shkurtër. Qeveria, nëpërmjet rritjes së ndjeshme të pjesës së shpenzimeve fiskale që shkojnë për investime, kryesisht në infrastrukturë, ka ofruar një stimul të rëndësishëm financiar për mbështetjen e sektorit real të ekonomisë në përballimin e efekteve të krizës ndërkombëtare. Disa sektorë të ekonomisë, veçanërisht ai i transportit, i ndërtimit, i turizmit dhe i shërbimeve, të cilët kanë peshën kryesore në prodhimin e përgjithshëm të vendit, vlerësohet se kanë përfituar më tepër nga një politikë e tillë. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje kushtet e likuiditetit në tregun ndërbankar dhe situatën financiare të sektorit bankar, duke synuar të ruajë qëndrueshmërinë e tij dhe të zbusë tkurrjen e pritshme të rolit ndërmjetësues të sektorit bankar. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ka mbështetur kërkesat për likuiditet të sektorit bankar nëpërmjet operacioneve të tregut të hapur. Në këtë kuadër, u vijua me injektimin e likuiditetit në formën e marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes me maturim javor pa kufi mbi shumën e injektuar, si edhe nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes me maturim mujor e tremujor. Pas një uljeje të normës së interesit me 0.5 pikë përqindje, në muajin janar dhe presioneve të zbutura inflacioniste në vend, politika monetare i kushtoi një rëndësi të veçantë stabilitetit financiar, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit për të gjithë periudhën. Në këtë mënyrë, në afat të shkurtër u synua të mbështetej kërkesa për mjete financiare të shprehura në monedhën kombëtare. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë vazhdoi me një regjim mbikëqyrjeje më të kujdesshëm të zhvillimeve në sektorin bankar. Një qëndrim i tillë, mbështeti administrimin efektiv të situatës së likuiditetit të sektorit bankar, ofroi një orientim të kreditimit drejt monedhës kombëtare dhe ndikoi në ruajtjen e parametrave të qëndrueshmërisë financiare e të kapitalizimit të veprimtarisë. Situata hyri në fazën e një përmirësimi cilësor pas rifillimit të procesit të rritjes së depozitave të publikut pranë sektorit bankar. Ky proces, i cili u zhvillua në mënyrë të graduale dhe të qëndrueshme në tremujorin dytë të vitit 2009, vijon me ritme të kënaqshme.

Krahas veprimeve për një përgjigje afatshkurtër ndaj efekteve të krizës financiare ndërkombëtare mbi ekonominë e vendit, autoritetet publike duhet të mendojnë për veprime që rrisin qëndrueshmërinë e saj në afat të mesëm dhe të gjatë. Pas kapërcimit të efekteve afatshkurtra të krizës financiare ndërkombëtare dhe përmirësimit të situatës ndërkombëtare, autoritetet publike në vend duhet të rivlerësojnë kuadrin e veprimeve të nevojshme, ligjore dhe financiare, të cilat do të mundësojnë rivendosjen e ekuilibrave në veprimtarinë fiskale, monetare e bankare, në mbështetje të një rritjeje të qëndrueshme ekonomike në afat të mesëm dhe të gjatë, dhe në kushtet e një stabiliteti të vazhdueshëm financiar.

Për këtë arsye, është e pritshme që politika fiskale të ndërmarrë masat e përkatëse korrektuese, në mënyrë që të mbajë të pandryshuar besimin dhe interesimin e agjentëve të tregut dhe të investitorëve, vendas dhe të huaj.. Në të njëjtën kohë, politika monetare duhet të vlerësojë efektet e mundshme në inflacion të stimulit financiar që i është dhënë sektorit bankar dhe ekonomisë gjatë kësaj periudhe, si edhe të shqyrtojë më pas hapësirat që ekzistojnë për të mbështetur ndërmjetësimin financiar të sektorit bankar në ekonomi me një kosto më të ulët.

Për t’i dhënë një përgjigje më afatgjatë zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, autoritetet publike duhet të këmbëngulin për të hartuar dhe për të zbatuar politika zhvillimi, të cilat në afat të mesëm do të mundësonin:

  • vendosjen e një ekuilibri më të mirë në kontributin që japin sektorë të ndryshëm për rritjen ekonomike; 
  • rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë tonë dhe formalizimin e mëtejshëm të saj; 
  • shtimin e burimeve të financimit të agjentëve ekonomikë; 
  • përmirësimin e kuadrit ligjor, të klimës së biznesit si dhe të mbrojtjes së konsumatorit; 
  • plotësimin e kuadri të masave për përballimin me kosto të ulët të krizave financiare.

Në këtë kuadër, prioritet mbetet rritja e prodhimit vendas kryesisht nëpërmjet mbështetjes më të madhe për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe rigjallërimit të prodhimit bujqësor dhe atij blegtoral. Për këtë të fundit është e nevojshme të ndërmerret një reformë tërësore që synon: përcaktimin e përparësive të zhvillimit në këtë sektor, sigurimin e standardeve të cilësisë dhe rritjen e shkallës së përpunimit të prodhimeve, si edhe zgjerimin e tregjeve të shitjes. Politika fiskale, nëpërmjet miradministrimit të të ardhurave dhe të shpenzimeve, do t’i mbështesë më mirë këta objektiva duke ruajtur qëndrueshmërinë e treguesve fiskalë, në formën e niveleve të ulëta të deficiteve buxhetore dhe të borxhit publik. Në këtë mënyrë, do të maksimizohej edhe kontributi i investimeve të huaja për realizimin e këtyre objektivave.

Për gjetjen e ekuilibrave më të mirë të zhvillimit edhe në sistemin financiar, do të ishte e nevojshme të hartoheshin politika që do të nxisnin zhvillimin më të shpejtë të sektorit financiar jobankar dhe që do të mbështesnin krijimin e tregjeve të kapitalit dhe të borxhit për subjektet private. Realizimi i këtyre objektivave do të kërkonte paraprakisht forcimin e standardeve të raportimit financiar; plotësimin, saktësimin dhe përmirësimin e zbatimit të kërkesave ligjore për zhvillimin e marrëdhënieve të një biznesi; dhe mbrojtjen më të mirë të të drejtave të kreditorëve e të konsumatorëve të institucioneve e të produkteve financiare. Në terma më praktikë, këto masa do të zgjeronin burimet e financimit për zhvillimin ekonomik, duke ulur relativisht në këtë mënyrë varësinë e tij prej sektorit bankar.

Gjithashtu është e nevojshme që, duke përfituar prej përvojës së tyre dhe të vendeve që u prekën drejtpërdrejt nga kjo krizë financiare, autoritetet publike që janë përgjegjëse për rregullimin e tregut financiar në vend, duke përfshirë edhe Qeverinë, të rishikojnë dhe të përmirësojnë kuadrin e masave për përballimin me eficiencë të situatave të ngjashme në të ardhmen. Veprimet e autoriteteve publike në këtë kuadër, duhet të përfshijnë veprimet për parandalimin, për përballimin dhe për eliminimin e pasojave të krizës financiare. Secili autoritet publik, duhet të realizojë një vlerësim në lidhje me kapacitetet dhe aftësitë e tij ligjore, financiare, njerëzore dhe teknologjike, për të hartuar dhe për të zbatuar në kohë dhe cilësisht, kuadrin e mësipërm të veprimeve. Në të gjithë këtë proces, nevojitet të vendoset dhe të ruhet një koordinim sa më i mirë midis vetë autoriteteve publike, si edhe në marrëdhëniet e tyre me industrinë financiare dhe me publikun.

Rivlerësimi i objektivave dhe formave të zhvillimit në të ardhmen, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë së veprimtarisë, është i nevojshëm të kryhet edhe nga vetë industria bankare, dhe mund të mbështetet në kohën e duhur nga ndryshimet në kuadrin rregullativ mbikëqyrës. Për shkak të mundësisë që sektori bankar të përballet me një periudhë e cila do të karakterizohet me ritme më të ulëta të zgjerimit të veprimtarisë dhe të ndërmjetësimit financiar, është e nevojshme që organet drejtuese të bankave të ndërmarrin një proces përshtatjeje dhe rishikimi të veprimtarisë, me qëllim që: a) të rivlerësojnë përparësitë e zhvillimit; b) të vendosin një ekuilibër më të mirë drejt burimeve të të ardhurave dhe të kontrollojnë kostot; c) të orientojnë veprimtarinë e tyre drejt një specializimi më të madh dhe krijimit të përparësive konkurruese; d) të zgjedhin një ekuilibër më të mirë përsa i takon përbërjes së produkteve të ndryshme sipas monedhës, sipas afatit të maturimit etj.; të ndjekin politika (financiare, shërbimi, transparence) shumë më aktive në drejtim të afrimit dhe mbajtjes së publikut (klientëve) pranë institucionit; e) të forcojnë strukturat e kontrollit të brendshëm dhe të administrimit të rreziqeve.

Banka e Shqipërisë po vlerëson mundësinë që, në hapësirën e nevojshme kohore, t’i mbështesë këto veprime me anë të kuadrit rregullativ mbikëqyrës në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar. Në këtë rast, do të synohet që në veprimtarinë bankare, të forcohen mekanizmat e brendshëm që pengojnë zhvillimin e pakontrolluar të veprimtarisë dhe që ofrojnë stimuj për një zhvillim të ekuilibruar, me karakteristika të përshtatshme të likuiditetit dhe të kapitalizimit. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë, do të vlerësojë nevojën për një përqasje të re mbikëqyrëse ndaj institucioneve financiare dhe bankave me rëndësi sistemike. Transparenca e veprimtarisë bankare në marrëdhëniet e saj me klientët dhe publikun në përgjithësi, do të mbetet në qendër të veprimtarisë mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë. Në përgjithësi, në këtë proces, Banka e Shqipërisë do të mbajë në konsideratë ndryshimet që do të ndodhin në standardet evropiane, duke mbështetur bashkëpunimin e fuqishëm me bankat e tjera qendrore dhe me autoritetet e tjera mbikëqyrëse.

Në përfundim, vlerësojmë se gjendja financiare e sektorit bankar dhe e sistemit financiar në tërësi, paraqitet e qëndrueshme dhe në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës. Në afat të mesëm dhe më tej, qëndrueshmëria e sistemit financiar do të përfitonte prej aftësisë së autoriteteve publike për të ndërmarrë në kohë veprimet e nevojshme ligjore dhe financiare, që mbështesin një zhvillim më të ekuilibruar të ekonomisë dhe të sistemit financiar. 


[1] Publikimi i rishikuar i muajit korrik 2009.

[2] Aktualisht operojnë 3 institute të pensioneve private.

[3] Të dhënat i referohen tremujorit të parë të vitit 2009.