Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016

Authori: Banka e Shqipërisë
Data e prodhimit: 23.09.2016
Data e shtypjes: 23.09.2016
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti i Stabilitetit Financiar
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016, zhvillimet ekonomike në vend ishin pozitive. Presionet inflacioniste mbetën të dobëta dhe Banka e Shqipërisë thelloi kahun lehtësues të politikës monetare, duke ulur dy herë normën bazë të interesit me nga 0.25 p.p., në nivelin 1.25%. Politika fiskale, ruajti prirjen e saj konsoliduese nëpërmjet rritjes së të ardhurave dhe uljes së shpenzimeve buxhetore. Në tregun financiar në vend, normat e interesit të produkteve financiare në lekë kanë shënuar rënie gjatë periudhës, ndikuar nga veprimet e politikës monetare dhe fiskale. Tregu i këmbimeve valutore ka reflektuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, dhe leku ka shënuar një mbiçmim të lehtë ndaj valutave kryesore. Gjatë periudhës, aktiviteti i sektorit bankar dhe i sistemit financiar u zgjerua më tej, por ritmi i rritjes ishte i ngadalësuar. Financimi i veprimtarisë u realizua përsëri nëpërmjet depozitave të cilat zënë 82.3% të aktiveve të sektorit bankar dhe treguan qëndrueshmëri të vlerës gjatë periudhës. Banka e Shqipërisë vlerëson se gjendja e kapitalizimit dhe e përfitueshmërisë së bankave paraqitet e mjaftueshme për të përballuar rreziqet e veprimtarisë. Zhvillimet ndërkombëtare ekonomike dhe financiare kanë qenë në linjë me pritshmëritë. Politikat stimuluese, veçanërisht në vendet e zhvilluara, kanë mbështetur rritjen e moderuar të ekonomisë botërore. Çmimet e lëndëve të para dhe të naftës, janë stabilizuar pranë niveleve të ulëta dhe sinjalet për një rikuperim të tyre kanë nevojë të konsolidohen. Presionet inflacioniste në përgjithësi mbetën të dobëta, megjithë një përmirësimi relativ në tregun e punës për ekonomitë më të zhvilluara. Tregjet e këmbimit të valutave kanë qenë përgjithësisht të stabilizuara, megjithë luhatshmërinë që shfaqën në fund të periudhës në vijim të rezultatit të papritur të referendumit të mbajtur në Mbretërinë e Bashkuar për daljen e saj nga Bashkimi Evropian (“Brexit”).