Raporti i Stabilitetit Financiar 2009
Authori: Departamenti i Statistikave
Data e prodhimit: 03.05.2010
Data e shtypjes: 03.05.2010
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti i Stabilitetit Financiar
Ky është numri i tretë i Raportit të Stabilitetit Financiar, një publikim i
Bankës së Shqipërisë, i cili duke filluar prej vitit 2010, do të përgatitet dhe do
të publikohet dy herë në vit. Ky ndryshim motivohet nga nevoja për të
integruar në një dokument të vetëm edhe Deklaratën e Stabilitetit Financiar,
publikimi i së cilës çdo gjashtë muaj është një kërkesë ligjore. Në këtë
mënyrë, realizohet një konsolidim dhe fokusim më i mirë i informacionit,
përsa i takon numrit të publikimeve, çështjeve që trajtohen dhe
përshtatshmërisë kohore. Deklarata e Stabilitetit Financiar është vendosur në
hyrje të raportit dhe përgjithësisht shërben edhe si një përmbledhje e tij.
Qëllimi i raportit është identifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve me të cilat
ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij, për t’i dhënë autoriteteve
publike mundësinë që të identifikojnë masat përkatëse për korrigjimet e
nevojshme. Për hartimin e raportit janë shfrytëzuar të dhëna që disponohen
në Bankën e Shqipërisë, është shkëmbyer informacion me autoritete të tjera
që mbikëqyrin veprimtarinë e tregut financiar, si edhe janë shfrytëzuar
informacione dhe analiza të institucioneve të vendit dhe të atyre financiare
ndërkombëtare, publike dhe private.